I lidhur që në djep!

27 Mars 2014, 20:53Blog TEMA

Nga Magdalena Ramohito

 

Djepi ka qenë, jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë fshatarët e botës, shtrati i prehjes, gjumësjellësi, besoj jo shumë tërheqës për fëmijët e lëvizshëm dhe energjikë, në të kundërt shumë i dashur për ata të zbërdhuqurit.

Kam bindjen se njeriu lind si një strukturë e fortë e më pas zhvillohet i tillë edhe si karakter, i aftë për të përballuar gjithë vështirësitë që i ‘rezervon’ jeta dhe i gatshëm për të luftuar me cilindo, që i del përpara, përveç të dobtëve…

Struktura e fortë, gjithë ‘arrogancën’ dhe forcën e ushtron në një luftë të barabartësh, dhe sa më i fortë të jetë kundërshtari, aq më shumë rritet ‘arroganca’ e tij, sepse ai kërkon rezistencë… lufta me një të zbrujtur nuk ka asnjë kuptim, ajo neglizhohet, sepse i zbrujturi të krijon vetvetiu përbuzje, sepse nëse e merr qoftë për një minutë të vetme seriozisht, atij i jep automatikisht vlerë, mjafton fakti që ti denjon t’i përmendësh emrin.

Ai që ka qenë i zbërdhuqur që në djep, i tillë rritet. Krenaria, dinjiteti, parimet, normat, meritokracia… për të janë terma të huaja. Zvarritja, lëpirja, vënia në shërbim të eprorëve, shitja e blerja e njerëzve, për të është mjet jetese.

I zbrujturi ka idhujt e tij dhe ai nuk i kundërshton kurrë ata, as kur është vetëm me veten, përzihet me turmën e ndihet mirë mes tyre, sepse vetminë e urren. Çfarë mund të thotë i zbrujturi me veten?! Ai ka frikë nga vetmia.

I zbrujturi nuk përballet dot me luftën, por duke u zvarritur, ai të bën gjëmën… jo se tek toka gjen forcën, por ai gjen mbështetjen e zvarranikëve me pushtet dhe kështu ndihet i fortë. S’ka gjë se zvarraniku që e shpërblen me një vend pune mund të largohet me gradim në një detyrë të re, ky i zbrujturi fillon e buzëqesh e sillet si ‘trim’ për aq kohë sa mbështetja e re nuk i ka ardhur, saqë ndonjë i sinqertë fillon e mendon se ky njeri po ndryshon… madje përpiqet edhe ta ndihmojë nga gëzimi se: ndoshta e fituam një njeri… por gabohet, sepse ai harron djepin…

I zbrujturi nuk ka këllqe, ai është i lidhur që në djep, dhe ndërsa njeriu i sinqertë vazhdon përpjekjet… ai e ka tradhëtuar që në fillim. Ai kërkon atë, zvarranikun e ri sepse e di, madje është i bindur se ai do të vijë, s’ka si ndodh ndryshe, sepse këta të zbrujturit i bashkon ‘shpejtësia’ e ecjes… ata janë ‘të qetë’, ecin ngadalë e me durim…

Sepse edhe proverbi thotë: “Kush ecën ngadalë, shkon larg”…

Prandaj Shqipëria ka ecur shumë, apo jo?

Këtë e ka thënë edhe ish- Kryeministri, madje më shpejt se shumë vende të zhvilluara, mos qofsha e gabuar, e dyta pas Gjermanisë.

Domosdo me të lidhurit që në djep Shqipëria vazhdon të ecë, madje pretendon të marrë edhe statusin si vend kandidat i BE-së. Pse jo? Këta të zbrujturit rrëshqasin me qetësi e nuk bëjnë zhurmë, sepse zhurma nuk është e mirë, zhurma tremb, zhurma prish qetësinë, zhurmë bëjnë të kundërtit, ata që kanë qenë të fortë që në djep… Në këtë vend rural, 80% e popullsisë ka fjetur në djep, i lidhur këmbë e duar, por ata me konstrukt të fortë arrinin të zgjidheshin nga shpërgënjtë, ndërsa të zbrujturit qanin sa plasnin, deri sa dy duar të shqetësuara vinin e i zgjidhnin…

Këta të zbrujturit na i kanë sjellë në majë të hundës dhe nuk janë të pakët dhe janë ngjitur pas pushtetit jo pak, sepse ata zvarriten pa zhurmë…

Edhe populli pret prej tyre, i adhuron, i do, ka besim teka ta sepse është një popull i lidhur që në djep!!!

5 komente në “I lidhur që në djep!”

  1. LexuesiTemes says:

    Fatkeqesisht.., por shume e Vertete!!!

  2. Ariu nga Korabi says:

    Shumë bukur zonja Ramohito, i pëlqej shkrimet e tua. Kanë finesë, talent dhe trajtojnë tema interesante, në një stil të bukur…sigurisht për ata që dinë “të lexojnë” dhe “të kuptojnë”…

  3. Tani says:

    Sa bukur e ka pershtatur: Nje popull i lidhur qe ne djep.
    Cfare klasi!!!
    Gazeta Tema pa Magdalenen do te ishte pa kuptim.

  4. PALMA says:

    Tronditese ,tragjike e trishte por e vertete.
    Magdalena ofron opinione efikase ,parime te fuqishme,
    BRAVO

  5. ATDHEU says:

    Respekte per kontributin thelbesor Realist.
    MAGDA je UNIKE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje