Siria jonë

25 Mars 2014, 20:54Blog TEMA

Nga Alqi Koçiko

 

Kur plasi konflikti i përgjakshëm sirian, fillimisht u duk se rrota e historisë do të merrte shpejt drejtimin e treguar nga vendet e tjera të “pranverës arabe”: Asadi do të rrëzohej, paçka se me më shumë viktima se kudo tjetër. Por sa më tragjike bëheshin zhvillimet, sa më shumë ndërlikohej ekuacioni i forcave në lojë, aq më larg dukej fundi. Për shtypin tonë, ishte normale të kërkohej ndonjë element që e bënte më të prekshëm, më të qartë këtë konflikt, edhe për efekt “gazetaresk”. Kështu nisëm të shkruajmë për shqiptarët e vjetër të Sirisë, të intervistojmë qytetarë sirianë që jetojnë në Shqipëri etj. Mesa duket, pa e kuptuar se përgjatë kësaj kohe, ky “detaj pikant” po udhëtonte drejt vendit të përflakur në formën e luftëtarëve që fillimisht i përshkruam, me aq pak sa dinim, si “luftëtarë anti-Asad”.

Pas tre vitesh dhe një vendi të rrafshuar e të përgjakur, dimë më shumë. Dimë se shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria nuk kanë shkuar thjesht për të rrëzuar një diktator, por për të luftuar në emër të një ideologjie radikale që premton themelimin e një shteti fetar në zemër të Lindjes së Mesme. Mësuam dora-dorës, se nuk bëhej fjalë për “ndonjë” shqiptar naiv e të gënjyer nga malësitë e Kosovës a Maqedonisë, por për shumë të tillë nga çdo trevë, të indoktrinuar rëndshëm aq sa janë gati edhe të japin jetën në një luftë që dikush i ka bindur se është edhe e tyrja. Siç dhe ka ndodhur. Dhe ç’është më e keqja, tani jemi përpara faktit se të paktën 31 fëmijë shqiptarë janë në mëshirë të fatit mu në zemër të kasaphanës. Jo fëmijë “shqiptarësh të lashtë” të vendosur aty prej kushedi sa shekujsh, por kalamaj që deri dje i kishim mes nesh, nëpër fshatrat e qytetet tona. Fëmijë që në më të mirën e rasteve kanë vetëm nënën, dhe ku vajzat trajnohen si infermiere për muxhahidët e plagosur, ndërsa djemtë për të përdorur armët dhe për t’u bërë mish për top.

Si përfunduam deri këtu? Sigurisht, pyetja e parë që bëhet në kësi rastesh është se çfarë kanë bërë autoritetet shqiptare, shërbimet inteligjente dhe policia gjatë kësaj kohe. Konflikti sirian ka shpërthyer në pranverën e 2011-ës dhe jo menjëherë ka nisur rekrutimi i luftëtarëve të fesë. Në fillim është kryer indoktrinimi i elementëve më të përshtatshëm (familje të varfra, të rinj të pashkolluar etj.), mandej edhe udhëtimi drejt fushëbetejës është realizuar nën një mbulim të denjë për një organizatë të sofistikuar: Udhëtime drejt Turqisë ose Arabisë “për të punuar”. Dhe vetëm pas 2012-ës nisën të vijnë lajme për “dëshmorët” e parë, fillimisht nga Kosova e Maqedonia, pastaj edhe nga Shqipëria. Dhe këtu mësuam se drama e paskësh rrumbullakosur ciklin e vet: Luftëtarët kishin marrë me vete edhe familjet, gratë dhe fëmijët e tyre. A kishin Shërbimet në kohën e duhur, të dhëna dhe informacione për këto gjëra? Çfarë kanë bërë ato deri para aksionit të këtyre ditëve?

Nëse më parë jemi habitur e shokuar nga videot që tregonin mësimet lemerisëse të ndonjë hoxhe në Kosovë a Maqedoni, për mënyrën sesi duhet sjellë me femrën, fjala bie, tani kemi në dorë fjalimet e imamit të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, që këshillonte besimtarët të mos lidhnin miqësi “me të krishterët dhe çifutët”, e madje të refuzonin të njihnin Komunitetin Mysliman Shqiptar, një institucion që e ka “monopolizuar fenë myslimane”. Kish aty edhe “mësime” të tjera, si “ne nuk jemi më terroristë se të krishterët dhe çifutët”. Pra, dora-dorës, po shohim se kemi mes nesh çdo dukuri shqetësuese e shfaqje të radikalizmit që më parë na është dukur e largët dhe me pak gjasa për të ndodhur “tek ne”. Sepse shoqëria shqiptare karakterizohet nga harmonia fetare dhe bashkëjetesa e lëvduar mes feve të ndryshme, për çka nuk lëmë rast pa organizuar simpoziume e konferenca. Por ja që krimbi i fanatizmit dhe radikalizmit nuk i paska ndjekur këto konferenca.

Siria padyshim që nuk është lufta jonë. Por tani është e kotë të fshihemi, sepse Sirinë e kemi mes nesh dhe duhet reaguar me kujdes e vendosmëri për të minimizuar dëmin, që ende nuk e dimë sa i madh është. Kemi 31 fëmijë në atë thertore, që shteti ynë duhet të bëjë të pamundurën për t’i tërhequr (dhe duket vërtet e pamundur), por nga ana tjetër nuk mund të rrimë e të shohim sesi atyre u bashkohen edhe të tjerë.

*Revista KLAN

3 komente në “Siria jonë”

  1. tourkofagos says:

    Si perfunduan deri ketu????
    gjaku arab i dashur gazetar,ai i dergoi shqipfolesit jihadiste ne Syria.
    por te pakten te luftonin perkrah popullit syrian e jo me Alqaeda-n e Al novruzin,apo thjesht se kishin Al dhe yxhum me koke brenda…..

  2. gjovalin says:

    nuk ka asnje argument qe te con ne perfundimin se duhet shkuar per te luftuar ne siri. kjo qe po ndodh tregon se njerezimi ,kultura dhe zhvillimi i tij po degradon.

  3. Edi says:

    Enver Hoxha ja gjeti kapele ketij populli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje