Reforma territoriale dhe ndikime të pritshme të saj

27 Mars 2014, 21:01Blog TEMA

Nga Alqi Kadenasi

 

Reforma e pritshme territoriale, si një domosdoshmëri imperative, duket se po përgatitet në mënyrë graduale dhe me kujdesin e hapave sa më të matura. Si antar i grupit të punës për përgatitjen e kësaj reforme për qarkun e Durrësit, kam qënë e mbetem i interesuar për trajtimet dhe këndvështrimet lidhur me këtë reformë.

Nuk ka asnjë dyshim që kjo reformë do të kërkojë veç angazhimit politik, atij që quhet konsensus, në radhë të parë angazhimin profesional. Duket se propozuesit e kanë në konsideratë një situatë të tillë. Në të gjitha rastet, qoftë në median e shkruar, në takime apo diskutime të shumta që janë duke u organizuar, vërehet se theksi vendoset pa mëdyshje në domosdoshmërinë e reformës.

Kryefjala e reformës territoriale, qartazi, është evidentuar  funksionaliteti i njësisë që krijohet si njësi më vete. Duket se kriteri bazë i përzgjedhjes, ai i funksionalitetit, është në vetvete edhe pse-ja e vetë reformës administrative që po dëshirojmë të realizojmë.

Kur themi funksionalitet, së pari kemi në konsideratë funksionalitetin zhvillimor, atë ekonomik. Sipas statistikave të sotme, edhe brenda qarkut të Durrësit ka diferenca të theksuara zhvillimore, ekonomike e të efikasitetit ndërmjet njësive aktuale administrative. Kështu, ndërsa komuna e Cudhisë nuk realizon pothuajse asnjë një të ardhur ekonomike (vetëm 1 € për banor), ajo e Xhafzotajt realizon afro 74 € për banor, vetë bashkia e Durrësit shpenzon 6 herë më pak për personelin se sa  bashkia e Krujës, që administron një popullsi 12 herë më të vogël se sa ajo e Durrësit, e kështu me radhë.

Diskutimet në tërësi, e jo vetëm për qarkun e Durrësit, e kanë vënë theksin tek fakti se derivati i reformës administrative do të jetë edhe efekti ekonomik që do të sjellë ndarja e re. Por pikërsisht, ky është edhe një nga problemet që do të duhet të jetë në qëndër të vëmëndjes dhe që sigurisht i kalon dimensionet  e diskutimit aktual për reformën teritoriale.

Për shembull, në qarkun e Durrësit, në qoftë se Cudhia sot është e paaftë të gjenerojë të ardhura e ato i janë dhënë nga qeveria qëndrore, nesër, Cudhija do t’i bashkohet fjala vjen Krujës. Pyetja është se çfarë ndryshoi për Cudhinë? A do ta bëjë ky bashkim Cudhinë më të pasur ekonomikisht, apo paratë që dje ia jepte shteti, nesër do t’ia japë bashkia e Krujës?.

Në Durrës sot është si njësi më vete komuna e Ishmit. Të ardhurat e saj ekonomike janë shumë të kufizuara dhe si shumë njësi të tjera, baza e financimeve është buxheti i shtetit. Nesër Ishmi do të jetë pjesë e një njësie të vetme administrative për shembull së bashku me bashkinë e Sukthit apo me Bubqin e Thumanën. Ç’do të ndodhë nesër? Paratë që sot Ishmit i vijnë nga buxheti i shtetit, nesër do t’ia japë Sukthi, Bubqi apo Thumana? Çfarë ndryshoi kështu për Ishmin?

Shembuj të tillë mund të merreshin shumë. Problemi është më i thjeshtë. Reforma territoriale e pritshme nuk do të duhej kurrsesi të bënte “transferimin e financimit” të komuniteteve (ish- njësive territoriale) të varfra nga shteti në kurriz të njësive më të zhvilluara e më të pasura. Kësaj i thonë të mos e shtojmë verën me ujë, pasi kështu asnjë nuk fiton, por të gjithë humbasim.

Në këtë këndvështrim, është e domosdoshme që përgatitjet aktuale për reformën administrative të përfshijnë gjerësisht  legjislacionin aktual, por edhe politikat zhvillimore shtetrore. Do të duhej të ndryshonte vetë ligji organik nr.8652 i funksionimit të pushtetit vendor, do të duhej të ndryshonte edhe ligji i buxhetit të shtetit, mjaft ligje të tjera që lidhen me sistemin fiskal, me tatimet etj. Synimi i kësaj sa nënvizojmë, është që njësitë e reja territoriale të mos jenë viktimë e  shtrirjes së varfërisë që sjellin në këtë bashkim, ish- njësitë e vjetra.

Nga ana tjetër, kur të ndodhë e kundërta si në rastin e bashkisë së Durrësit, e cila pret t’i bashkëngjitet vija bregdetare, njësia “mëmë” të mos jetë thjesht përfituese e resurseve që sjellin financime. Si do të realizohet detyrimi që në këtë rast,  këto resurse, të vijojnë të kontribuojnë në zhvillimin e ish- komuniteteve? Lënia e këtyre problemeve në dorën e politikave zhvillimore të njësive mëmë, pa përcaktuar detyrime ekstra, të paktën për një periudhë tranzitore, do të çojë pa asnjë diskutim në një polarizim të zhvillimit ekonomik rajonal në shumë të pasur dhe në shumë të varfër. Kjo do të jetë me pasoja.

Në këtë këndvështrim, është e domosdoshme që problemeve t’u paraprihet me kohë. Problemi i reformës administrative e territoriale nuk është kurrsesi detyrë e veçuar, aq më shumë e shkëputur nga realiteti i pritshëm zhvillimor i vendit. Ndaj realizimi në front i të gjithë detyrimeve ligjore që do të rrjedhin nga reforma territoriale është domosdoshmëri për të mos qenë nesër të befasuar nga “efektet anësore” dhe të padëshiruara të reformës së pritshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje