Studenti i mjekësisë, Erjon Alizoti, i zhdukur në kanionet e lumit Erzen që prej mesditës së të dielës, nuk është gjetur ditën e djeshme.
Grupi i polumbarëve, që po kryen kërkime për gjetjen e 18-vjeçarit Erion Alizoti, ka pasur vështirësi gjatë operacionit, dhe për shkak se askush nuk e di saktësisht vendin se ku ka rënë adoleshenti.
Sipas Panoramës, personat që kanë qenë pranë tij, miku i tij i ngushtë Daniel Spahiu, po ashtu ka rrëshqitur në lumë, po ka mundur të shpëtojë, ndërsa vajza nuk është identifikuar ende plotësisht.
“Vajza erdhi te ne dhe na kërkoi ndihmë. Na tregoi se dy djem kishin rënë në lumë, njërin e kishte ndihmuar që të dilte, ndërsa tjetri nuk kishte dalë më në sipërfaqe. Ajo na tregoi se nuk i njihte më parë të rinjtë, por ishte takuar me ta në Pëllumbas. Kur kishin zbritur te kanionet e Erzenit, ajo dhe djemtë ishin shkëputur nga grupi për të bërë foto. Në momentin që vajza po shkrepte aparatin për t’u bërë fotografi dy shokëve, ata kanë rrëshqitur dhe, duke mbajtur njëri-tjetrin, kanë rënë të dy në lumë. Njëri nga ata, Erjoni, ka përplasur kokën në shkëmb dhe nuk ka dalë më në sipërfaqe”, u ka treguar vajza banorëve të fshatit.