Një fabrikë prodhimi vajrash dhe gomash është përfshirë nga flakët paraditen e sotme në Sukth të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur pranë stadiumit të Sukthit ndërsa zjarri është i përmasave të mëdha.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e zjarrëfikësve të Durrësit dhe të Portit të këtij qyteti dhe po bëjnë të mundur lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e zjarrit.
Mësohet se nga zjarri nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale.
Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit në fabrikë ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet.