Jemi në juglindje të Elbasanit, në zonën e Shpatit, e më konkretisht në Gjinarin Turistik, shtrirë në 1000 m lartësi nga niveli i detit.
Sigurisht që nuk e patëm të lehtë ta zbulonim këtë vend.
Na u desh një mik që të na e tregonte, pasi edhe për të parë kësisoj bukurish në Shqipëri të duhet një mik, në të kundërt rrezikon të shkosh nga kjo botë pa i parë e shijuar…
Dhe jo për fajin tuaj e as të Gjinarit turistik sigurisht, por për faj të “atyre” të turizmit që kushedi se me çfarë do jenë duke u marrë në këtë fillim sezoni turistik.
I imagjinoj nëpër zyra, me plan-projekte nëpër duar, gati për t’i çuar për miratim.
I imagjinoj tek ecin me orë e orë të tëra përqark zyrës me mendimin sesi mund të thithin dhjetra e qindra turistë vendas a të huaj në të tilla mrekulli natyrore.
I imagjinoj nëpër mbledhje duke hedhur e pritur ide, të shqetësuar për gjendjen aktuale…
Pastaj ndal imagjinatën time të pabazë dhe shoh ç’kam përreth…
“Një zonë turistike të mbajtur peng!”
Në vitin 2001 kjo zonë, me vendim të Këshillit të Ministrave është shpallur pikë Turistike dhe që atëhere s’kanë lënë dorë njeriu ta prekë.
Dhe mirë kanë bërë se dora e njeriut ka dëshmuar se di të bëjë batërdi, ama…edhe mrekulli kur do.
Ashtu siç ka bërë këtu në Shpat me krijimin e një liqeni artificial që të krijon ndjesinë se ka qenë gjithnjë aty, mes natyrës shijeplotë e ajrit që të mbush mushkritë.
Fundja… mirë dorë njeriu që s’kanë lënë po as vetë nuk kanë vënë dorë mbi këtë zonë e cila duket sikur ka mbetur dergjur nën regjimin komunist.
E meqë jemi te regjimi, këtu në qendër të Gjinarit kemi ndërtesën e parë të ngritur në vitin 1939 nga italianët, të cilët mendohet ta kenë shfytëzuar për qëllime ushtarake.
E mbas viteve ’70 kjo ndërtesë u shndërrua në muze, një muze i cili dëshmonte gjithë historikun e kësaj zone.
Ndërsa sot…ajo s’është gjë tjetër veçse një magazinë ku njëri nga banorët e fshatit mban veglat e punës që përdor për bujqësi.
Pak më lart kemi gabinat e pushimit që kënaqësinë e tyre turistike e patën vetëm gjatë viteve ’75-’90.
Ato të japin idenë e një shtëpize komode, me një dhomë, aneks, e pak metra korridor.
Të paktën kur i sheh së largu mbuluar me çati , se kur afrohesh , e kupton se janë tërësisht jashtë funksionit.
Madje çelësat e njërës nga ato i ka Petro, një nga banorët më të vjetër të zonës i cili bëhet papërtuar edhe udhërrëfyesi ynë në këtë udhëtim.
Ai mban aty drutë e stivosura që i shërbejnë për t’u ngrohur gjatë dimrit.
Në kohën kur këto gabina ishin funksionale pushuesit rrinin aty përgjatë 15 ditëve, të rrethuar nga hijeshia dhe pastërtia e bimësisë halore si pisha dhe bredhi, karakteristikë e kësaj zone.
Mungesa e infrastrukturës po bëhet pengesa më e madhe e turizmit në Gjinar…
Përpos 22 km rruge të asfaltuar, që lidh qytetin e Elbasanit me këtë pjesë juglindore të tij, gjithçka tjetër ka mbetur pas .
(Megjithëse ka shumë për të thënë dhe për këto 22 km ku mungon sinjalistika rrugore. Asnjë sinjal paralajmërues për ndonjë kthesë të rrezikshme, gropë të mundshme, dishezë të fortë, ulje shpejtësie a për ndonjë rrezik të panjohur. Asnjë!)
Që pas rënies së komunizmit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi për të ngritur qoftë edhe një hotel për pushuesit që 10 ditëshin a 15 ditëshin e tyre do donin ta kalonin aty.
Ndërkohë, ata që vijnë strehoen në ndonjë dhome që banorët e zonës e vetofrojnë për turistët kundrejt një vlere prej 100-150 mijë lekësh të vjetra për 10-15 ditë.
Të tjerët që s’gjejnë ndonjë dhomë, kthehen mbrapsht.
Siç bëmë dhe ne. U kthyem…
Me çfarë u kthyem?!
Me një makinë të rastit e cila fikej befas, herë në malore e herë në dishezë.
Zbrisnim, ecnim pak në këmbë, pastaj hipnim prapë në makinë me dorë në zemër (po të ecnim në këmbë deri në Elbasan do na duhej së paku tre orë dhe kushedi ku na zinte nata) .
Po kujt i shkon në mendje se mund të ktheheshim përsëri aty, pa një transport të sigurt?!!
Është më minimalja, por edhe më e rëndësishmia që mund të kërkohet nga turistët, qofshin ata vendas (“të stërvitur” me këtë transport) apo të huaj (të pamësuar me këtë lloj transporti).
Jeta është njësoj e shtrenjtë për të gjithë…
Po sikur komuna të vinte nja dy autobusë me të gjitha kushtet e tranportit, t’i vinte qoftë e nja dy muaj falas ( atëhere kur mund të ishte dhe periudha e bumit turistik ) a nuk do thitheshin turistët?!
A nuk do niseshin ata me vrap për t’u kuruar nga ajri i pastër i halorëve përzier me erën e ajrit të jodizuar që vjen nga perëndimi?
E nga këtu, në një ditë të kthjellët si kjo e sotmja, do dukej qartazi deti nga Sazani në Kavajë…
Po sikur në qendër të vendosej një sistem orientimi ?
Një shigjetë do mjaftonte për t’i treguar vizitorëve se Gjinari nuk fillon e mbaron te qendra e fshatit, përkundrazi ai zgjerohet e thellohet duke u ngjitur lart në mal, aty ku dashamirësit e pushimeve dimërore mund të kalitin muskujt duke bërë ski e alpinizëm.
Një shigjetë tjetër do mjaftonte për t’i orientuar turistët në kishën e re , (ndërtuar në vitin 2001 ) këmbana e së cilës kish’ rënë përpara se ne të arrinim.
Pse do duhej të kërkonim ndihmën e banorëve të fshatit për të na treguar ku dhe si duhet të shkonim për të parë gjithçka që e bënte Gjinarin turistik?
Pse të hiqnim të urtin e të diturin Petro nga puna dhe t’i kërkonim përmes ndjesës , të lodhej e çapitej sa andej-këndej për të na treguar ne të paditurve çdo pëllëmbë të Gjinarit?
Mos duhet të bëjnë këtë , të gjithë turistët që shkojnë atje? Mos Petro, duhet t’i shoqërojë të gjithë një e nga një?!
Ai as nuk paguhet për këtë…
Një shigjetë… Një shigjetë do mund ta zgjidhte fare lehtë situatën.
Po ne jemi me fat që gjetëm Petron.
Ai ecën paralelisht me ne dhe s’lodhet të na tregojë gjithë ç’ka parë , dëgjuar e di për Gjinarin e tij turistik.
I mjafton të rrotullojë shikimin në vendin ku është lindur për të ndjerë emocion, nostalgji po edhe trishtim. Siç ndjen për shtëpitë e vjetra kthyer në gërmadha apo edhe për fushën e sportit ku dikur stërviteshin të rinjtë e ekipit të Labinotit.
Sot aty nuk luan më askush dhe ai s’e fsheh dot zemërimin që ndjen kur e sheh të boshatisur.
S’mund ta justifikojë pasivitetin e të rinjve ndaj futbollit në fushë, në fushën ku dikur ata vrisnin gjunjët e pambrojtura me gjunjëza dhe ku shënonin gola në portën pa rrjetë..
Po ndoshta kjo është një histori personale dhe emocionale e Gjinarit të tij me fushën e futbollit.
Sot jemi këtu për Gjinarin turistik…
Banorët e Gjinarit i përkasin besimit ortodoks.
Petro na tregon duke qeshur sesi në kohën e pushtimit otoman gjyshi i tij, nga Konstandin u bë Beqir dhe sesi për festën e Pashkëve, i fshihnin vezët poshtë në nëntokë.
Dhe meqë jemi te besimi…
A e dini se në fshatin Shelcan të Komunës së Gjinarit gjendet kisha e Shën Kollit ndërtuar në mesjetë (viti 1554), e pikturuar nga Onufri?
Po për kishën e Shën Premtes në Valësh keni dëgjuar?
Edhe ajo është ndërtuar në mesjetë, pikturuar me afreske nga Onufri sipas stilit bizantin.
Edhe po nuk i dini këto, edhe po mos t’i keni dëgjuar ndonjëherë emrin Gjinarit turistik a zonës së Shpatit… mos u shqetësoni!
Nuk është për fajin tuaj.
Në qytetin e Elbasanit me zor qëndron varur një tabelë që të tregon rrugën ku shkohet për në Gjinar, e jo më t’ju tregojë se çfarë është ai apo çfarë bëhet aty.
Veç kur ngjitesh lart në Shpat e kupton që ke shkuar në një vend turistik dhe kjo , jo falë infrastrukturës dhe zhvillimit të turizmit jo, por falë natyrës që e ka bërë këtë vend, kështu siç e ka bërë….
SA PERLA TURISTIKE KA SHQIPERIA, NUK KAN FUND NGA TROPOJA NE SARANDE.
SHQIPERIA NUK KA NJEREZ POR BAGETI DHE KAFSHE, SE TOKA ESHTE PRODHUSE DHE NATYRA ESHTE PLOT E BUKUR.
SHKONI NJEHER NE THETH THE SHIJONI AJRIN E PASTER EDHE UJVARAT. APO PLAZHIN KRISTAL NGA VLORA DERI NE SARANDE.
APO PISHAT, BREGDETIN RANOR DHE USHQIMET BIO TE MYZEQES.
une se marr vesht nje milion e gjysem shqiptare jane me gjithe rraqe pse nuk i ben azil politik gjermani te gjitheve dhe ktu te vine gjermanet dhe ta bejne vendin e tyre,dhe ta shijojne. Dhe shqiptaret te kene te drejte ta vizitojne shqiperine do ishe me e ndershme kjo gje se sa ti veme kazmen dhe sharren natyres dhe ta bejme bunkerizim si bregdetin kush eshte dakord ta ngreje…doren ??