Komisioni Hetimor për Policinë e Shtetit/ Rrumbullaku: Shkarkimin ma tha Burgaj. Bizhga: E vërteta për tritolin

8 Prill 2014, 15:06Politika TEMA

 Komisioni Hetimor për emërimet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit ka vijuar edhe sot procedurën e mbledhjes së dëshmive të drejtuesve dhe ish-drejtuesve të strukturave policore në kuadër të hetimit parlamentar. Një ditë pasi u pyetën Drejtori i Përgjithshëm Artan Didi dhe ish-drejtori Hysni Burgaj, Komisioni ka vijuar me dëshmitë e Nëndrejtorit Sokol Bizhga dhe ish-Nëndrejtorit Muhamet Rrumbullaku. Gjithashtu në komision kanë dëshmuar edhe disa nga shefat e Komisariateve që u emëruan në këto funksione në Dhjetor 2013.

Dëshmia e Bizhgës

Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga ka sqaruar fillimisht emërimin e tij në këtë funksion më pas i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve për çështje të ndryshme, përfshi këtu edhe shpërthimet me tritol.

“Në 1999-2006 isha drejtor i parë me gradë ekuivalente. Në mënyrë të paligjshme më kanë hequr 2 grada në 2006”, u shpreh Bizhga para deputetëve, ndërsa ka pohuar se emërimi i tij në këtë detyrë është bërë në përputhje me ligjin.

Pyetjes së Kryetarit të Komisionit Hetimor, deputetit demokrat Arben Ristani nëse ka pasur masa disiplinore ndaj tij, Bizhga iu përgjigj “isha i penalizuar, por jam rritur në gradë kur isha në detyrë. Masa disiplinore tani është shlyer. Ligjërisht jam zv/drejtor pa asnjë mangësi dhe shkelje”.

I pyetur nga deputeti socialist Taulant Balla se kush e propozoi tek ministri Tahiri, Bizhga tha se është propozuar nga Hysni Burgaj. “Kam karrierë 20-vjeçare në polici, jam plagosur në detyrë. Nëse ka shkelje në emërimin tim, largohem nga detyra, jo nga policia”, theksoi Bizhga.

Duke replikuar deputeti Noka tha se “Burgaj tha dje që nuk ju ka propozuar për zv/drejtor”, por Bizhga sqaroi “unë kam urdhërimin e ministrit për t’u bërë zv/drejtor”.

Një nga çështjet për të cilat Nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit u pyet nga deputeti demokrat Eduard Halimi ishte ajo e shpërthimeve. Halimi kërkoi të dijë më shumë për denoncimin e Gjokonës në media, pasi ky i fundit kishte deklaruar se policia nuk kishte pranuar denoncimin e tij.

“ Nuk është e vërtetë që nuk e kemi pritur Gjokonën, e kemi dëgjuar dhe kemi marrë në mbrojtje famijen e tij “, u shpreh Bizhga.

Ndërsa deputeti demokrat Gent Strazimiri pasi ngriti shqetësimin se Italia ka dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria dhe komunikimi i tyre me policinë shqiptare është bërë i vështirë i është drejtuar Zv.drejtorit Bizhga me pyetjen:A kanë ndikuar ndryshimet në Policinë e Shtetit për komunikimet me palën italiane?

Por, Bizhga sqaroi se Policia shqiptare bashkëpunon me homologët italiane për zbulimin dhe goditjen e trafikut të drogës, duke iu përgjigjur kështu deputetit të PD-së, Eduard Halimi, i cili tha se “ka raportime nga italianët që policia shqiptare nuk e kap dot drogën”.

Dëshmia e Rrumbullakut

Largimin nga detyra ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku e ka mësuar nga drejtori i Përgjithshëm i asaj kohe Hysni Burgaj. I pyetur nga deputetët në Komisionin Hetimor parlamentar, nëse ka dhënë dorëheqjen apo është larguar nga detyra, Rrumbullaku tha se ka “ka patur urdhër nga Ministria e Brendshme, të cilin e ka komunikuar gojarisht Hysni Burgaj”.

“Fillimisht mu tha gojarisht për t’u larguar nga posti dhe për të shkruar në një post tjetër si shef i trajnimeve në shkollën e Policisë së Shtetit, ku edhe jam aktualisht”, tha Rrumbullaku.

Në vijim, njëri ai sqaroi procesin e ndryshimeve në rradhët e uniformave blu. “Ndryshimet në polici bëhen duke ngritur grupe pune. Ka patur urdhër nga Ministria e Brendshme, na e komunikoi Burgaj. Në departamentin e Sigurisë Publike nuk pati ndryshime. Nuk më ka kërkuar njeri mendim për ndryshimet. Unë kam 26 vjet karrierë në polici në pozicione të ndryshme”, tha Rrumbullaku.

Një tjetër çështje për të cilën ish-zëvendës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit është pyetur nga deputetja Ermonela Felaj, është ajo për një fotografi ku Rrumbullaku shfaqet me Arben Frrokun dhe persona të tjerë. “Sa etike ju duket që ishit në foto me Arben Frrokun?”, tha Felaj, ndërsa në përgjigje Rrumbullaku sqaroi “për foton jam prononcuar në media. Prokuroria të hetojë mbi mua, s’kam lidhje me atë person”.

Ndërkaq, Rrumbullaku theksoi se grada e tij është e rregullt dhe brenda ligjit, në përgjigje të pyetjes nga deputeti Ristani, i cili u shpreh se “Didi tha se grada juaj është marrë në mënyrë të paligjshme”. I pyetur lidhur me emërimin e zv.drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Rrumbullaku tha se “Bizhga e ka gradën për postin që mban. Bizhga ka patur një vërejtje e cila s’e pengonte në karrierën policore”.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Komisioni Hetimor për Policinë e Shtetit/ Rrumbullaku: Shkarkimin ma tha Burgaj. Bizhga: E vërteta për tritolin”

  1. tfgs says:

    njeri Rrumbullak e tjetri Bizge………..
    o Zikeeeeeeeeeeeeee,e ngrite marmiden sot mor gyzel….!!!???

  2. ariu says:

    po ky balla , po fshatar qe ne ecje , ne te folur ppupupupupup cfar turpi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje