Akuzat e PD/ MSH: Shëndeti për ne nuk është biznes

17 Prill 2014, 16:22Sociale TEMA

Ministria e Shëndetësisë reagon ndaj akuzave të Partinë Demokratike lidhur me tenderat e medikamenteve, duke theksuar se “shëndeti për ne nuk është biznes. Përkujdesje shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë, jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë”.

“Në përgjigje të deklaratës për media më herët gjatë ditës së sotshme të deputetes së Partisë Demokratike, znj. Albana Vokshi, në të cilën, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet për modifikimin e kritereve të tenderit në kundërshtim me ligjin, çka, sipas pretendimeve fatkeqësisht dashakeqe, i hapka rrugën abuzimeve dhe kërcënon shëndetin publik, duke ndërhyrë në tenderin e barnave për përdorim spitalor për interesa klienteliste, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se znj. Vokshi është, në rastin më të mirë, tërësisht e painformuar apo e keqinformuar në lidhje me nismat dhe projektet që ka ndërmarrë ministria e shëndetësisë për përmirësimin e shëndetit publik dhe sigurimin e furnizimit ritmik me barna dhe gatishmërisë së pajisjeve mjekësore për të përmirësuar sadopak situatën katastrofike që trashëguam nga keqmenaxhimi dhe makutëria e qeverisjes së kaluar në këto tetë vjet”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Më tej, në deklaratë i kujtohet deputetes Vokshi situata në të cilën u gjet shëndetësia shqiptare nga qeveria aktuale. “Eshtë e kotë t’i kujtojmë znj. Vokshi, se përveç situatës mjerane ku e gjetëm shëndetësinë shqiptare, na duhet që të përballemi ende me rekuperimin e dëmeve të keqqeverisjes së kaluar. E gjetëm sistemin shëndetësor, përveç të tjerash, me mbi 40 milionë USD borxhe në formë faturash të pashlyera, një barrë që vazhdon të rëndojë në shpatullat ende të brishta të sistemit të shëndetësisë publike shqiptare. Dhe kjo është një faturë, që pavarësisht se nuk e kemi shkaktuar ne, e kemi marrë përsipër në kuadrin e planit të përgjithshëm të qeverisë për të shlyer edhe borxhet e prapambetura të trashëguara nga keqqeverisja e tetë viteve të shkuara”, thekson MSH.

Ministria e Shëndetësisë sqaron se “se çdo nismë apo projekt që është ndërmarrë në këto shtatë muaj të parë të qeverisjes, ka pasur në qendër të vëmendjes qytetarin, dhe vetëm interesin e qytetarit, duke qenë të vetëdijshëm se do të duheshin përpjekje titanike për shndërrimin e sistemit shëndetësor që trashëguam në mjerim dhe bjerrje të plotë, për shkak të paaftësisë, praktikave abuzive dhe klienteliste”.

“Dëshirojmë të ritheksojmë se importi dhe regjistrimi i barnave ka qenë deri para pak kohësh një proces tërësisht i kompromentuar dhe i mbyllur, me një mungesë të theksuar transparence, duke lënë, kështu, shteg për praktika abuzive dhe klienteliste në treg. Interesi i Ministrisë së Shëndetësisë për barnat për përdorim spitalor, ka qenë që, pa cënuar aspak cilësinë dhe efektin që këto barna duhet të kenë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për pacientët, si dhe me të njëjtën sasi parash të mund të blejë më shumë barna, për t’ja lënë njëherë e përgjithmonë të kaluarës, dukurinë e mungesës kronike të barnave në shërbimet tona spitalore”.

Më tej, MSH sqaron se furnizimi i vijueshëm me barna është siguria më e mirë që mund t’i japim qytetarit shqiptar dhe në këtë kuadër, është ndërmarrë edhe kjo nismë e fundit për të mundësuar që për barnat për përdorim spitalor, pa cënuar aspak cilësinë dhe efektin që këto barna duhet të kenë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.  Kështu sipas MSH, në listën e miratuar për barna spitalore për vitin 2014, e hartuar në bazë të kërkesave të shërbimeve spitalore universitare, të spitaleve rajonale dhe spitaleve të tjerë, janë më shumë se 50 barna që nuk janë regjistruar në Shqipëri. Kjo është një dukuri normale e plotësimit të nevojave të shërbimit spitalor me barna që ka ndodhur edhe vitet e mëparshme.

“Lista spitalore e vitit 2014 përmban 525 barna, përkundrejt 327 që përfshiheshin në listën e vitit 2013 – pra numri i barnave është rritur me 198. Por kjo listë, përmban edhe barna që janë të vetëm të regjistruar. Këtë situatë, de facto monopol, Ministria e Shëndetëtsisë është e vendosur t’a hapë drejt konkurencës së ndershme. Për tre procedurat e para të tenderimit të realizuara deri tani, nëse krahasohen çmimet e ofertuara në këto procedura me çmimet e kontraktuara në vitin 2013, rezulton një ulje në vlerën prej 84,890,000 lekë (ose 22% më pak se vitit të kaluar). Prandaj, dëshirojmë të theksojmë se shëndeti për ne nuk është biznes. Ne duam të ofrojmë përkujdesje shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë, jo vetëm për ata që kanë mundësi të paguajnë. Në këtë pikëvështrim, pavarësisht prishjes së disa interesave klienteliste, reforma që kemi ndërmarrë po funksionon dhe qytetarit jo i shërbehet më mire”, nënvizon MSH.

9 komente në “Akuzat e PD/ MSH: Shëndeti për ne nuk është biznes”

  1. greiss says:

    Jane mesuar keta te pd te bejne pazare me shendetin dhe jeten e njerezve, dhe mendojne se akoma keshtu behet. shteti sot eshte ne sherbim te qytetarit, dhe jo qytetaret ne sherbim te shtetit.

    1. edina says:

      Gati per çdo vit MSH prokuron per spitalet mbi 30 barna te cilat nuk kane perfaqesues ne Shqiperi, fakti qe barnat nuk jane regjistruar, nuk do te thote se nuk do funksionoje sistemi i monitorimit dhe farmakovigjilences nga ana e institucioneve perkatese, se jane mesuar keta me perpara qe nuk behej asnje kontroll, kjo s’do te thote qe do te vazhdoje keshtu.

      1. endri says:

        Perse barnat duhet te jene ne Shqiperi disa here me te shtrenjta se ne vendin e origjines?

        P.sh., përse barin IPSOFLOG ampulë, pacienti në Itali e blen per 3.34 euro dhe këtu 1360 lekë të reja, afërsisht 10 euro?

        Me këtë lëvizje të Ministrisë së Shëndetësisë, hapet më tej tregu për te tjera firma e produkte farmaceutike, atëherë ketu nuk mund të flasim as për favorizim, as per klientelizëm, por flasim per liberalizim te tregut farmaceutik.

        1. bledi says:

          keta flasin ose me sakte brockullisin sepse u jane cenuar interesat e tyre klienteliste, grosistet te cilet keta i kane favorizuar nder vite qe kane futur barna jashte cdo standarti dhe qe nuk i jane nenshtruar asnjehere kontrollit dhe nuk i pergjigjeshin farmakovigjilencës, kjo ndodhte ne kohen qe nuk funksiononte shteti. Por nuk mund te jene grosistet ata qe diktojne cilesine e barnave, duhet te jete shteti qe kontrollon cilesine e barnave qe hyjne dhe qe po e ben, ndryshe nga c’ka ndodhur deri me tani.

          1. romina says:

            Para se te futet ne Shqiperi, parakusht eshte qe cdo bar duhet te jete i regjistruar dhe te qarkulloje ne vendin e origjines, dhe ashtu jane ne fakt te gjitha barnat qe qarkullojne sot tek ne, ndryshe nga me pare, qe vinin barna prodhim posacerisht per Shqiperine. Dhe te gjithe barnat qe do te vijne, do t’i nenshtrohen se s’ben monitorimit.

            1. farmacisti says:

              Me duket gjeja me e drejte qe te tentohet drejt liberalizimit te tregut te barnave, tu jepet mundesia barnave qe ne vendet e origjines jane te regjistruara dhe te kontrolluara, dhe te futen ne Shqiperi me kosto me te ulet, per perdorim spitalor, ku kerkohen edhe barna te nje cilesie me te larte. e rendesishme eshte qe te monitorohen dhe te kontrollohen ne vazhdimesi.

            2. erjona says:

              Ne fakt me mire barna qe s’jane te regjistruar ne Shqiperi, se deri me sot kemi pare qe kane ardh barna prodhim posacerisht per ne dhe e dime se si jane regjistruar per t’i bere favore njerit apo tjetrit grosist per interesa te pushtetit. Barna qe jane te regjistruara ne vendet e origjines dhe qe perdoren nga vete pacientet e atyre vendeve jane sigurisht me te sigurta dhe me efikase.

            3. lorena says:

              Biznes do te ishte nese do vazhdonin te perdoreshin ende ato ilacet e skaduara deri me sot, prodhim skarco vetem per Shqiperine.
              Por ilace te cilat perdoren me sukses, kane efikasitet te larte ne vendet e origjines sigurisht garantojne trajtim me te mire te semundshmerise.

  2. Post Edit says:

    nUK eSHTE ME BIZNES, ESHTE iLIR META iNC NE KRYE. vETEM PER TE MIREN E POPULLIT!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje