Meta ofron mbështetje për peshëngritësit kampionë: Të ngremë edhe më lart flamurin kombëtar

22 Prill 2014, 11:11Sport TEMA

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti në një takim, bashkë me deputetët Paulin Sterkaj dhe Fidel Ylli,  peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, të shpallur përkatësisht kampionë dhe nënkampionë të Europës në dygarësh, për peshat 77 kg, në kampionatin europian të peshëngritjes, i zhvilluar në Tel Aviv dy javë më parë. Kryeparlamentari Meta  tha se të gjithë ndjehemi të detyruar ndaj Erkandit, Danielit dhe gjithë ekipit kombëtar të peshëngritjes, por më të detyruar ndjehemi ne, deputetët e politikanët.

“Kemi detyrimin ndaj tyre, që me aq dinjitet e kthyen këtë garë, një nga më të vështirat, në një garë brenda flamurit kuq e zi, duke i dhënë dinjitet shqiptarëve kudo në botë. Ndjehem i detyruar se këta e kanë kryer me sukses detyrën e tyre ndaj vendit dhe qytetarëve tanë, ndërsa ne na mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim”, nënvizoi kryetari Meta.

Ai vuri në dukje se Shqipëria në vite ka nxjerrë sportistë të mëdhenj në peshëngritje, si kampioni olimpik Ymer Pampuri. Madje, kemi nxjerrë dhe kampionë bote, tha Meta, që për fat të keq dhe jo për faj të tyre, jo si përfaqësues të Shqipërisë.

“Por tani është koha që ne të shikojmë më shumë në këtë sport ndaj dhe jemi sot këtu për të shprehur mbështetjen tonë si Kuvend, si qeveri e si qytetarë, ndaj ëndrrës së këtyre djemve dhe vajzave me talent, pasion e guxim për të ngritur edhe më lart flamurin e Shqipërisë, në botërorë e olimpiada. Dhe besoj se i kemi të gjitha mundësitë për këtë”, theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit u angazhua për një përkrahje konkrete nga ana e qeverisë dhe parlamentit përmes përmirësimit të legjislacionit për sportin, ku të shprehen qartë detyrimet e shtetit, veçanërisht ndaj sportistëve elitarë. Kampioni Erkand Qerimaj, falenderoi kryeparlamentarin për mbështetjen dhe u zotua për rezultate të larta në garat e ardhshme botërore në peshëngritje.

Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, në cilësinë e kryetarit të grupit të punës për përmirësimin e legjislacionit në sport, e vuri theksin sidomos tek trajtimi me prioritet i sportistëve elitarë. Në takimin e sotëm me kryetarin e Kuvendit ishin të pranishëm dhe peshëngritësja Romela Begaj, trajneri i ekipit kombëtar të peshëngritjes Zef Kovaçi, Presidenti i Federatës së Peshëngritjes Elez Gjoza. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje