Catherine Ashton ka thënë se beson te kryeministri i ri serb, Aleksandar Vuçiç dhe kapacitetet e tij për të thyer të gjitha rekordet dhe për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.
Kështu është deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Ashton gjatë vizitës në kryeqytetin serb, Beograd.
Gjatë konferencës me gazetarë, pas takimit me Vuçiç, ajo ka thënë se është e mrekullueshme që e sheh Serbinë në rrugë drejt BE-së.
Ashton është pyetur nga gazetarët nëse është reale të pritet që Serbia, deri në vitin 2018 të përfundojë negociatat me BE-në:
“Nëse do të isha në vendin tuaj, nuk do dyshoja në kapacitetin e këtij njeri që të thyejë të gjitha rekordet”, është përgjigjur Ashton.
Ndërkaq, pas takimit që Ashton pati me presidentin serb, Tomislav Nikoliç, ky i fundit tha se për Serbinë çdo gjë është e pranueshme përpos njohjes së Kosovës si shtet. /Zëri/