Mentor Mazrekaj nuk është më një çështje te Partizani. Mesfushori kosovar i kërkoi falje publike trajnerit Marsio Sampaio dhe stafit mjekësor për sjelljen e tij joprofesionale në javët e fundit, duke i hapur rrugë rikthimit në stërvitje me të kuqtë, raporton Sport News. Në një konferencë për shtyp në ambientet e klubit, 24-vjeçari e pranoi se kishte gabuar, duke theksuar se ishte shtyrë nga ato që kishte lexuar në media:
“Dua t’i kërkoj falje trajnerit dhe stafit mjekësor për sjelljen time. Shpresoj që të gjithë të më mirëpresin në stërvitje dhe të vazhdoj të kontribuoj për këtë klub të madh. Trajneri kurrë nuk më ka thënë personalisht se do të më dërgonte te Partizani B, por unë jam bazuar te ato që kanë shkruar gazetat.”
Mesfushori kosovar tha gjithashtu se është i fokusuar vetëm te objektivat e Partizanit, për të luajtur në Europa Legue sezonin e ardhshëm:
“Shpresoj të arrijmë objektivat dhe të luajmë në Europa League. Kemi edhe tri ndeshje të vështira, ku fillimisht duhet të kalojmë Laçin.”
Mazrekaj e pranoi se ka patur kontakte me skuadrat e tjera të Superiores, por e ardhmja e tij mbetet Partizani, edhe pse marrëveshja edhe për dy vite të tjera me të kuqtë është vetëm në parim:
“Është e vërtetë që kam patur oferta nga klube të tjera, por unë jam i fokusuar vetëm te Partizani. Shumë shpejt do të firmos kontratën që më mban të lidhur me këtë klub edhe dy vite të tjera, pasi për gjithçka kemi rënë dakord me presidencën.”
Sapo përfundoi konferencën për shtyp Mazrekaj iu drejtua fushës me bar sintetik në Yshrshek, ku iu bashkua grupit pas tre javësh mungesë.
Shume mire Mazrekaj. Te kerkosh falje per gabimet eshte burreri.