Meta takon Presidentin e Senatit italian / Rikonfirmohet mbështetja për marrjen e statusit në Qershor (VIDEO)

5 Maj 2014, 10:44Politika TEMA

Italia rikonfirmon mbështetjen për Shqipërinë në procesin e Integrimit Europian si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin Qershor. Presidenti i Senatit italian Pietro Grasso nisi vizitën dy ditore në Tiranë me ftesë të Kryeparlamentarit Ilir Meta dhe në kuadër të çeljes së javës italiane, ku disa qindra investitorë italianë pritet të shpalosin projektet e tyre për Shqipërinë.

Kreu i Kuvendit Meta ndërsa vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve si të shkëlqyra, vuri theksin në mundësinë që ka Shqipëria për tu ofruar edhe më shumë me familjen europiane gjatë Presidencës italiane të BE-së që fillon pas dy muajsh.

“Marrëdhëniet me Italianë nuk kanë nevojë për shumë komente, kemi një miqësi tradicionale me lidhje të forta. Italia na ka qëndruar në krah dhe na ka mbështetur qoftë në anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe integrimin tonë në BE.Italia mbetet  avokate e përhershme e Shqipërisë në BE”, theksoi Meta

Në vijim ai garantoi Presidentin e Senatit italian se Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtësisht për realizimin e reformave integruese.

“Presidenca italiane e BE është një mundësi më shumë që Shqipëria të ofrohet me BE apo edhe për ti dhënë një shtysë edhe më të madhe projektit Adriatiko-Jonian apo projektit TAP”, tha Meta.

Në vijim ai apeloi për rritjen e investimeve italiane në të gjitha fushat,duke theksuar se  investitorët italianë mund të gjejnë një terren të natyrshëm dhe një portë të rëndësishme për investimet italiane në rajon.

Nga ana e tij, Presidenti i Senatit italian ka vënë theksin në forcimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, duke i cilësuar këto si bazat për forcimin e bashkëpunimit dhe ofrimin e Shqipërisë në BE. Në vijim ai shprehu gadishmërinë për rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërsa vlerësoi se vizita të tilla në nivel parlamentar apo diplomacia parlamentare japin një kontribut të rëndësishëm në rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje