Po ndërrohet sundimi politik në universitete

7 Maj 2014, 18:56Blog TEMA

Nga Besnik Gjongecaj

 

Është bërë krejtësisht e zakonshme që sapo merr përsipër qeverisjen e Shqipërisë, politika fillon e kujdeset menjëherë dhe veçanërisht për universitetet, reformimin e tyre. Është një sjellje normale, aq sa e kundërta do të sillte dyshime të rënda rreth sinqeritetit të saj për ndryshimin e vendit. Me reformimin e arsimit e fillojnë qeverisjen të gjithë ata që e njohin shoqërinë në thelbin e saj. Në perëndim ndodh gjithmonë kështu. Por, fatkeqësisht, ngjashmëria e Shqipërisë me perëndimin fillon dhe mbaron këtu, te fillimi. Pastaj, gjithçka tjetër që ndodh në këtë vend të varfër dhe të pafat është dhe mbetet unike, thellësisht shqiptare. Të gjitha përpjekjet e ndërmarra për reformimin e sistemit të arsimit të lartë, në thelbin e tyre, kanë patur ruajtjen ose rivendosjen e sundimit politik në universitete. Meqë qeverisjet ndërrohen shpesh edhe në këtë vend, një imitim cinik i demokracive perëndimore, po kaq shpesh qeveritë kujdesen për të instaluar sundimin e tyre politik në universitete duke shkulur atë ekzistuesin. Gjithçka i ngjan një rituali tragjikomik, që përsëritet pas çdo kalim pushteti. Në fillim, në tregun politik shitet shpresë. Shpresa se ajo, gjendja e tmerrshme në të cilën janë zhytur universitetet, ai mjerim i madh që i ka pushtuar ato, do të zhduket një ditë dhe vendin e tij do ta zenë universitete të vërteta, unike, të krahasueshme me botën. Për këtë fillohet nga reforma. Fillohet me nje grup pune të cilit Qeveria i jep detyrën e përgatitjes së Reformës. Grup i pavarur, teknicienë, dhe nëse nuk ka mundësi të gjejnë të huaj, andej nga vendet ku kanë lindur sistemet perëndimorë të arsimit të lartë, bëjnë tjetrën, të kundërtën; i marrin vendas, shqiptarë, jo të huaj, por njësoj si ata, si ata të arsimuar, dhe ç’është më e rëndësishmja, njësoj të ditur për sistemet arsimore që aplikohen atje! Grupi fillon dhe përgatit Reformën në letër, ndërkohë që, më të shkathëtit e tij, nuk harrojnë asnjëherë të kontaktojnë vazhdimisht me politikanët, porositësit e Reformës. Sepse, edhe Reforma duhet shkruar, edhe sundimi politik në universitete duhet zëvendësuar me këtë të riun. Sado që nuk rrinë dot bashkë, pra, sado që edhe nuk mund ta imagjinosh se si mund të ndodhin të dy njëherazi, në të njëjtin vend, edhe reforma universitare edhe zëvendësim i sundimit politik në universitete, kështu ndodh, madje, në atë farë feje që, edhe vetë zëvendësimi i sundimit politik duhet të duket si reformë. Kështu ka ndodhur me qeverisjet e mëparshme të tranzicionit dhe një Raport i Komisionit të Arsimit të Lartë porositur nga Qeveria e sotme dhe sapo i publikuar, ka dhënë shenja të qarta që kështu do të ndodhë edhe këtë rradhë. Mjerisht.

 

Në hyrje të Raportit të publikuar nga Komisioni, autorët theksojnë që “sugjerimet tona duhet të merren si një e tërë dhe se interpretimi e vënia në jetë e tyre mund të funksionojnë vetëm si një e tërë”. Është një nënvizim i drejtë, që në fakt i ka hije studimeve të kolauduara mirë dhe me një integritet të brendshëm, të cilat ose meritojnë të qëndrojnë si janë, ose meritojnë të mos jenë më. Unë do ta respektoj këtë nënvizim në analizën time. Nuk do të merrem me detaje, por me ato çështje që e mbajnë ose e rrëzojnë të tërën.

Raporti: Universiteti do të qeveriset nga Qeveria dhe jo universitarët

Manipulimi

Duke respektuar standardet ndërkombëtare, me qeverisje të universitetit duhet kuptuar kombinimi i natyrshëm i llogaridhënies së jashtme të universitetit (external accountability) ndaj qytetarëve, financuesve dhe qeverisë (stakeholders), me manaxhimin e brendshëm të tij (internal management). Ndërsa me manaxhim të brendshëm të universitetit duhet kuptuar administrimi i pjesës akademike dhe i pjesës burimore (burimet financiare, materiale, njerëzore) të tij. I gjithë ky koncept lind atëhere kur politika vendos që universitetet të shndrrohen në institucione autonome, dmth të marrin pushtetin (përgjegjësinë) dhe paranë e nevojshme për të zgjidhur problemet që lindin te to. Madje, sa më shumë pushtet që marrin, aq më llogaridhënës duhet të jenë ndaj publikut dhe aq më efektivë dhe transparentë duhet të bëhen brenda universitetit. Llogaridhënien apo komunikimin me Qeverinë, ose më mirë, me shoqërinë në përgjithsi, universiteti e realizon me Bordin e Jashtëm. Pjesa jasht universitetit, që në fakt e financon atë (përfshi Qeverinë), i kanë dhënë universitetit, nëpërmjet ligjit, edhe mjetet me anë të të cilëve universiteti jo vetëm qeveris vetëveten, por edhe formaton llogaridhënien e jashtme. Këto mjete, mekanizma, janë kontrolli i cilësisë, modeli i financimit, madhësia dhe delegimi relativ i pushtetit (parimi i subsidiaritetit), checks and balances, etj. Universiteti qeveris vetëveten me to, por i përdor njëkohësisht edhe si forma të qarta llogaridhënie para shoqërisë dhe qeverisë. Bordi i Jashtëm bën pikërisht këtë gjë: kontrollon se si universiteti i përdor këto mjete në zhvillimin e tij dhe nga ana tjetër, vetë universiteti, e shfrytëzon Bordin e Jashtëm për të komunikuar me shoqërinë në përgjithsi dhe për t’i treguar asaj, përmes raportimeve të hollësishme, se si po zhvillohet për shkak të zbatimit efektiv të tyre apo e kundërta, si po tkurret për shkak të abuzimeve me to. Bordi i Jashtëm ka përbërje mikse: të jashtëm (përfaqsues të Qeverisë dhe të shoqërisë në përgjithsi) dhe të brendshëm (universitarë të zgjedhur). Të jashtmit kanë shumicë absolute në Bord. Rektori është pjesmarrës, por jo me të drejtë vote. Në fillim ky Bord është këshillues (Advisory Board); ai këshillon Rektorin bazuar në raportet universitare që Rektori paraqet para Bordit. Menjëherë sapo asimilohet dhe quhet i natyrshëm nga universitarët, ai, Bordi i Jashtëm, nga këshillimor shëndrrohet në Bord Qeverisës (Governing Board), në kuptimin që Rektori jep, tani e tutje, llogari para tij.

Bordi i jashtëm nuk ekziston në Raport, dhe nuk ekziston qëllimisht. Përgjegjësitë e tij janë mjergulluar dhe fuzionuar me përgjegjësitë e një strukture tjetër, që në Raport e quajnë Këshill Administrativ, i cili, paradoksialisht, edhe pa u drejtuar nga autoriteti më i lartë i universitetit (Rektori, Presidenti), definohet si “organi më i lartë i universitetit” dhe misioni i tij është “të rrisë përgjegjësinë (accountability) dhe mirë manaxhimin e burimeve financiare” të universitetit (fq. 27, Raporti); pra, të kryejë ekzaktësisht detyrat që duhet t’i kryente Bordi i Jashtëm. Ç’hall i ka zënë, ç’nevojë kanë patur për të nulifikuar Bordin e Jashtëm dhe detyrat e tij t’ia kalojnë një Bordi të brendshëm: Këshillit Administrativ? Kemi të bëjmë me një skemë manipulimi, dhe jo shumë të thjeshtë. Prandaj, le ta ndjekim atë hap pas hapi, gradualisht dhe me qetësi. Bordi i Jashtëm është projektuar si një strukturë që absorbon llogaridhënien e universitetit, proces në të cilin universiteti paraqitet si një i tërë (administrim, ku futen edhe financat, plus veprimtari akademike). Prandaj Bordi i Jashtëm ka një shumicë “të jashtme” dhe nuk mund as të kryesohet nga Rektori (ai është universitar), por as ta ketë atë në përbërjen e tij (ka konflikt interesi, sepse Rektori jep llogari në Bordin e Jashtëm). Bordi i Jashtëm kryesohet nga një i jashtëm që mund të jetë, dhe nuk ka asgjë në disfavor të universitetit, edhe një përfaqësues i Qeverisë. E gjithë kjo situatë, që është specifike vetëm për një Bord të jashtëm, në Raport transferohet te një strukturë e brendshme që e quajnë Këshill Administrativ. Ky Këshill, përbëhet nga universitarë dhe të jashtëm, por meqënëse raporti në përbërjen e tij varet nga “pronësia financiare”, atëhere i bie që qeveria të ketë shumicën në këtë Këshill, dhe nga ana tjetër, sipas Raportit, asnjë autoritet universitar nuk mund të ketë anëtarësi te kjo strukturë. Raporti bën një ndarje me thikë midis strukturave administrative dhe akademike, me justifikimin që në këtë mënyrë dobëson fuqinë e një Rektori të fortë. Por pyetjet vijnë me rradhë: kujt i jep llogari ky Këshill Administrativ për administrimin e universitetit? Rektorit, jo. Qeverisë jo, sepse “Qeveria” është brenda tij, madje e kryeson atë. Atëhere, vetes së tij, ndoshta!? Sigurisht, s’është e mundur. Nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Këshillin Administrativ, Qeveria fiton pushtetin më të lartë brenda universitetit aq sa, asnjë autoritet dhe strukturë akademike nuk mund ta cënojë atë. Është edhe më shumë se kaq. Universitarët humbin vlerën e votës pa e kuptuar, madje edhe pse zgjedhja e autoriteteve universitare nuk iu mohohet kurrsesi. Ata zgjedhin nje Rektor kukull, një Senat po aq kukull, një tufë autoritetesh kuklla e një grumbull strukturash universitare që iu ngjajnë bashkimeve profesionale të dikurshme. Prania e Këshillit Administrativ nuk i jep autoriteteve dhe strukturave akademike as mundësinë e përcaktimit të numrit të personelit akademik, shkencor, ndihmës. Çdo gjë kalon te Këshilli Administrativ dhe autoritetet universitare, universiteti pra, nuk është aty, brenda Këshillit. Në vend që të qëndrojë jasht universitetit (Bordi i Jashtëm) dhe të kontrollojë, përmes mekanizmave të përmendur, performancën e universitetit, Qeveria hyn brenda universitetit dhe e komandon atë në çdo hap të tij. Në thelbin e vet, i gjithë ky koncept strukturor, po të materializohet, bën të mundur që Qeveria vetë t’i japë paratë universitetit dhe vetë t’i shpenzojë ato brenda tij.

 

Deformimi i parimeve si mjet manipulimi

Gjymtimi i balancës së qeverisjes universitare si një kombinim i llogaridhënies së jashtme-Bordi i Jashtëm (external accountability), me manaxhimin e brendshëm (Këshilli Administrativ: manaxhim i burimeve, plus Senati: administrim çështjeve akademike) nëpërmjet eleminimit të njërës anë të saj, Bordit të Jashtëm, nxjerr nga funksionimi mekanizmin checks and balances, gjë që deformon plotësisht shpërndarjen dhe kontrollin e pushtetit brenda universitetit si institucion. Thjeshtësisht, pushteti i shoqërisë nuk balancohet me atë të universitetit dhe si i tillë, bëhet e pamundur prej tij kontrolli i efektivitetit dhe parasë publike brenda universitetit. Bëhet e qartë që Komisionit nuk i ka interesuar që Qeveria dhe universiteti të ndërtojnë marrëdhëniet mbi bazë të checks and balances, por të një mekanizmi tjetër. Pasi e ka bërë copë e çikë këtë mekanizëm (parim), Komisioni parashikon transferimin e mandatit të Bordit të Jashtëm një strukture të brendshme universitare, Këshillit të Administrimit, duke shkelur njeherazi disa parime të rëndësishme në ndërtimin e institucioneve dhe duke e kthyer ndërtimin strukturor të universitetit në një lëmsh të vërtetë, sepse: e para, ngarkon një strukturë të brendshme për të dhënë llogari edhe të jashtme edhe të brendshme njëkohësisht, kur dihet që Qeveria edhe do të ketë shumicën, edhe do ta drejtojë këtë strukturë (Këshilli i Administrimit), çka e çon Qeverinë (Qeveria bëhet pjesë e universitetit dhe kontrollon brenda tij paranë që e ka dhënë vetë) në një konflikt të thellë interesi; ndan universitetin në dy pjesë pa u kujdesur të vendosë një lidhje midis tyre (administrimin dhe çështjet akademike), gjë që do të ulë dramatikisht efektivitetin e qeverisjes universitare edhe sepse midis dy pjesëve nuk ka dhe nuk mund të funksionojë mekanizmi checks and balances, si dhe, edhe pse të dy pjesët e të njëjtit trup (universiteti) do të kenë dy autoritete të pavarur nga njëri tjetri: Drejtor i Këshillit dhe Rektor universiteti. Efektet anësore të të gjithë këtij lëmshi institucional janë dy: mosrespektimi i parimit të sinergjizmit (funksionimi i universitetit si bashkëveprim i pjesës së administrimit me pjesën akademike prodhon një energji zhvillimi shumë më të madhe se në rastin kur operohet veçmas) dhe gjymtimi i parimit të përfaqësimit, sipas të cilit, autoriteti universitar është një individ që jo vetëm është një zgjidhje e përbashkët, por edhe përfaqsues i shqetësimeve dhe aspiratave të çdo universitari, gjë që do të thotë se është e pamundur që i njëjti universitet të ketë dy autoritete të ndryshme me të njëjtin legjitimitet përfaqësimi dhe në të njëjtën kohë. Në këtë pikpamje, po citoj atë që një ekspert i njohur i Këshillit të Evropës, me të cilin kam bashkëpunuar vite më parë, e ka të shkruar në një dokument të rëndësishëm për Shqipërinë: “Megjithëse disa universitete të vendeve perëndimore kanë zgjedhur një sistem dualist ku ndahen çështjet akademike nga ato të administrimit, struktura administrative është gjithmonë e varur nga autoritetet dhe strukturat akademike”.

 

Raporti: Rikthim te një sistem universitar i vjetëruar

 

Përjashtohet parimi i shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël (subsidiarity principle)

Raporti e koncepton sistemin e arsimit të lartë jo si një e tërë, ashtu siç është në fakt, si një organizëm, por si një “copë”, pa disa pjesë të rëndësishme të tij; pra, në thelb, operon me një sistem (organizëm) praktikisht të gjymtuar. Në Raport flitet për universitetet (IAL) dhe për strukturat ndërmjetëse: AKF (Agjensia Kombëtare e Financimit), AKKSh (Agjensia Kombëtare për Kërkim Shkencor), ASCAL (Agjensia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë), AKAU (Agjensia Kombëtare e Aplikimit Universitar) dhe shkarazi për fakultetet dhe departamentet. Flitet vetëm për tri apo katër nivele vendimmarrëse, ndërkohë që sistemi ka të paktën gjashtë apo shtatë të tilla. Duke shkuar vertikalisht poshtë, këto nivele janë Presidenti, Parlamenti, Qeveria, organizmat ndërmjetës, senatet e universiteteve, këshillat e fakulteteve, departamentet dhe individi, apo profesori. Veçanërisht dy prej tyre duhet të ishin përfshirë në Raport dhe përgjegjësitë e tyre duhet të ishin definuar mirë: Qeveria dhe profesori, apo, siç ai karakterizohet shpesh, niveli i punës (working floor). Për shkak të mospërfshirjes së tyre në analizën e sistemit, ka qenë e pamundur aplikimi i parimit të subsidiaritetit, gjë që ka krijuar një hapësirë ku lehtësisht është abuzuar me shpërndarjen e pushtetit brenda sistemit: dhënia e një pushteti të pamerituar Qeverisë dhe mosdelegimi i asnjë pushteti të qënësishëm te ai që, në fakt, e vë në lëvizje krejt sistemin, te profesori. Askush që e lexon Raportin nuk mund të thotë se sa pushtet i është lënë Qeverisë në sistem, por me anë të deduksionit çdo hulumtues mund të përcaktojë pushtetin që i është lënë asaj pasi ka përcaktuar pushtetin që i është marrë strukturave ndërmjetëse dhe universiteteve; ashtu sikundër mund të përcaktojë se sa pushtet i është marrë profesorit (si institucion) kur të përcaktojë se sa probleme apo përgjegjësi që mund të përmbusheshin prej tij i janë lënë strukturave dhe autoriteteve mbi të, deri edhe jasht vetë universitetit.

Le të shqyrtojmë strukturat ndërmjetëse, statusin e tyre në hierarkinë e sistemit. Këto struktura kanë gjetur legjimitet në një sistem universitar sepse luajnë një rol “buferik” midis qeverisë dhe universiteteve, nuk lejojnë, në fund të fundit, ndërhyrjen direkte të qeverisë te universitetet. Prandaj ato përmbushin përgjegjësi që nuk mund t’iu lihen as qeverive dhe as universiteteve njëkohësisht. Në Raport nuk është respektuar ky status, ky parim në fund të fundit. Për dy prej tyre, ASCAL dhe AKAU, Raporti shprehet që janë në thelb pjesë e vetë MAS (emërohen prej tij). Ky status është në konflikt të qartë me parimin e subsidiaritetit, ndërsa për Agjensinë e Sigurimit të Cilësisë (ASCAL), vendosja e saj nën “komandën” e MAS nuk është vetëm një konflikt, por një rikthim i papërgjegjshëm te sistemi që kontrollonte në mënyrë totalitare vetë ekzistencën e universitetit. Akreditimi është mbijetesë për një universitet dhe, nisur nga ajo që është shkruar në Raport, të jesh apo të mos jesh universitet në këtë vend, këtë e ka në dorë politika. Pothuajse në të njëjtën situatë në raport me Qeverinë përfshihen edhe dy strukturat e tjera ndërmjetëse: AKF dhe AKKSh. Për të dy këto struktura thuhet që janë të pavarura, madje për të dytën thuhet që ka edhe pavarësi të theksuar! (me sa duket është përkthim i gabuar i fjalës “significant”, që në shqip është “domethënës”). Por, qartësisht, pavarësia e tyre nuk provohet në këtë dokument dhe të gjitha gjasat janë që edhe këto dy struktura ndërmjetëse të mos jenë të tilla, por t’i përkasin Qeverisë në të gjitha kuptimet. Që të konsideroheshin të pavarura duhet të ishte përcaktuar qartë: sëpari, kush e përcakton drejtuesin e strukturave ndërmjetëse, sëdyti, në ç’raport janë përfaqësuesit e Qeverisë me ata të universiteteve dhe sëtreti, si i miratojnë vendimet e tyre. Asnjëra nga këto nuk është definuar në Raport, dhe ngjashmërisht me parimin “kur s’ka lajm është lajm i mire” (no news is good news), mungesa e tyre në Raport është në favor të inisiatorit të Raportit, është lajm i mirë për të, Qeverinë pra. Rrjedhimisht, Qeveria do të krijojë mundësinë të depërtojë në universitete po aq sa vetë këto struktura do të mundeshin po të ishin realisht të pavarura, (çka do të ishin edhe në këtë rast jashtëzakonisht të tejkaluara pasi ndërhyjnë gjerësisht në pjesën e përgjegjshmërisë që iu takon jo atyre, por universiteteve) dhe që në Raport janë parashikuar si: bëjnë propozime MAS-it për kriteret e promovimit të pedagogëve dhe kontrollojnë zbatimin e tyre!?; merren me përcaktimin e vlerës së botimeve, kërkimit shkencor; organizojnë, vlerësojnë dhe listojnë punën kërkimore të çdo departamenti, në çdo universitet!?; madje, bëjnë edhe vlerësimin e punimeve shkencore të pedagogut!?… Ç’mëndje i ka nxjerrë të gjitha këto! Gjithë ky pushtet për MAS, ndërkohë që nuk ka ekspert ndërkombëtar që s’ka konstatuar se ajo që i duhet MAS-it nuk është marrja e përgjegjësive që iu takojnë universiteteve, por rritja e kapacitetit analitik të saj, që është për t’ia qarë hallin!

 

Përjashtohet parimi i konkurrencës strukturore brenda sistemit

Raporti pranon gjendjen strukturore të sistemit të përbërë nga universitete të specializuara, madje e inkurajon atë, gjë që tregon se reforma nuk do ta prekë sistemin nga kjo pikpamje. Në një sistem me universitete të specializuara (nuk po konsideroj universitetet private të cilat janë të orientuara në dy apo tri fusha të njohjes ku sigurojnë maksimizimin e fitimit dhe prandaj orientimin dhe jo universialitetin e kanë natyror) monopolizohet dija dhe monopoli mbi dijen nga një universitet i vetëm nulifikon konkurrencën mbi dijen në tregun universitar. Një sistem i arsimit të lartë me universitete të specializuar dhe jo të universializuar është pjesa më e shëmtuar që kemi trashëguar nga ish sistemi komunist, prej së cilës nuk jemi ndarë kurrë, aq më shumë, ashtu si po e tregon edhe Raporti i kësaj Reforme, nuk po ndahemi dot as në letër. Madje, procesin e kemi thelluar edhe më tej (përveç Universitetit Politeknik, Bujqësor, Artet, etj., edhe Universiteti i Mjekësisë tashmë së fundi) për të plotësuar interesa pjesore të politikanëve në funksion të ruajtjes së pushtetit politik, duke e zhytur sistemin e arsimit të lartë në një zezëri që sa vjen e kalon koha aq më pak bëhet e mundur zbardhja e saj. Monopoli mbi dijen ose një sistem universitetesh të specializuar kufizon jo vetëm konkurrencën e tregut universitar, por edhe funksionimin e mjaft elementëve të tjerë të futur në sistem me qëllim të sendërtimit të konkurrencës. Kështu, nëse AKKSh do të bëjë vlersimin e një projekt (kriteri, publikimi, kërkimi, etj.) të prodhuar nga Universiteti Politeknik, psh., nga do t’i marrë vlersuesit e fushës (peers for review) përveçse nga ky universitet? A do të mund ta sigurojë në këtë mënyrë objektivitetin e vlerësimit? Sigurisht që jo. Nga ana tjetër, universializimi i universiteteve publike të vendit do të çonte në rrugën e zgjidhjes një nga problemet më tragjikomike që ka sistemi ynë i arsimit të lartë: numrin shumë të madh të universiteteve për njësi popullsie. Nëpërmjet riorganizimit të universiteteve ekzistuese do të mund të ndërtonin një sistem me një universitet për një milion banorë, dhe nëse e bënim këtë, arrinim disa gjëra njëherësh: sistemi përputhej me standardin, vendosej një konkurrencë reale dhe e natyrshme midis universiteteve të universializuar që kanë fakultete të ngjashëm, maksimizohej efektiviteti i funksionimit të sistemit dhe vetë universiteteve. E kështu me rradhë, por meqënëse në jo pak shkrime të mija e kam trajtuar këtë çështje, nuk po e avancoj më, edhe për shkak të vetëqartësisë së argumentit.

Raporti nuk bën një inventar të burimeve materiale dhe njerëzore në fushën e kërkimit shkencor, por në vend të kësaj, pranon që universitetet nuk janë të vetmet qendra për kërkim shkencor, duke iu rikthyer edhe njëherë situatës ku ministritë kishin institute kërkimore, situatë e provuar katërcipërisht si e dështuar. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë Raporti i hap shtegun dizintegrimit të sistemit unik të mësimit dhe kërkimit shkencor (bashkim i ish instituteve kërkimore me universitetet) që nuk arriti të provohet fatkeqësisht, jo sepse nuk funksionon, por për shkak të aplikimit të shtrembër dhe poshtërues që Qeveria e shkuar i bëri refomës në këtë fushë. Sistemi unik i mësimit dhe kërkimit shkencor ka një vlerë të dyfishtë: e para, përfshin rininë universitare në procesin e kërkimit shkencor dhe e dyta, rrit efektivitetin e sistemit, sepse nuk lejon mbivendosje të mjeteve dhe personelit shkencor brenda tij. Rikrijimi i ish instituteve kërkimore pranë ministrive, siç është parashikuar në Raport, hedh një hije të rëndë dyshimi mbi Komisionin, madje edhe të natyrës ideollogjike. Ndërkohë që e gjitha kjo çon në situatën ku bëhet e pamundur që krejt kapaciteti vendimmarrës dhe buxheti për kërkimin shkencor të vendoset te një ministri, te MAS konkretisht, gjë që, jasht çdo dyshimi, do të shndrrohet shumë shpejt, ashtu si në fakt edhe ka qenë dikur, në një pengesë të pakuptimtë institucionale për zhvillimin e sistemit. Ndërsa MAS do të legjitimojë më në fund emrin e saj të çuditshëm. Emrin që zëvendësoi, me cinizëm, kërkimin shkencor me sportin!

Nxirret vetë sistemi jasht procesit të Bolonjës

Më në fund mund të ndodhë ajo që nuk pritej. Një vendi si Shqipëria, pra një vendi të vogël që nuk pranon dot komplikime, aq më shumë kur ato janë të panevojshme, në Raport i propozohet që ta komplikojë akoma më shumë skemën e kualifikimeve universitare dhe në këtë mënyrë, praktikisht të dalë jasht sistemit të Bolonjës. Futen si nivele të rinj në procesin e kualifikimit nivelet ”Master Shkencor i Integruar”!? dhe ”Master Ekzekutiv 1 dhe 2”!?, madje ky i dyti në nivelin e tretë të doktoraturës! Mendoja që kishte përfunduar koha kur merreshin sisteme të vjetëruar ose të pakuptimtë kualifikimi dhe aplikoheshin në universitetet tona, siç ndodhi me MASh-in dhe me drejtuesit e saj të papërgjegjshëm në qeverisjen e shkuar. Vetëm për shkak të devijimit nga modeli, para jo shumë kohësh, Shqipëria humbi vite derisa më në fund po stabilizohet në përputhje me procesin e Bolonjës. Tani po propozojnë të dalë përsëri jasht këtij procesi. Nuk e di se ç’mund të ketë më të papërgjegjshme se kaq!

 

Raporti: Financimi i universiteteve-një kapitull i pasinqertë dhe i manipuluar

Financimi i universiteteve, ashtu siç është trajtuar në këtë Raport, nuk sjell asgjë të re në substancë që ta dallojë nga përpjekjet e deritanishme të një ose dy universiteteve private të vendit për të marrë pjesë në shpenzimin e parasë publike të shqiptarëve. Prandaj, meqë autori i këtij shkrimi e ka analizuar atë në jo pak shkrime të tjera, për të mos përsëritur, nuk do të shkojë në detaje në këtë analizë. Gjithsesi, ka një të re në këtë Raport, dhe ajo, si në të gjitha rastet e tjera kur flitet për këtë temë nga përfaqësues të universiteteve privatë dhe të Qeverisë, vjen e shërbehet në formën e një torte të helmuar. Në Raport, financimi i universiteteve paraqitet në kuadrin, kontekstin, e një reforme tërësore, gjë që në fakt, për shkak të implikimeve të shumta dhe të gjithanshme që financimi i universiteteve ka në të gjithë pjesët e sistemit të Arsimit të Lartë, është mënyra më e drejtë në paraqitjen e tij. Profesorati Shqiptar e ka aplikuar këtë koncept sa herë që i është dashur të përballojë inisiativa pjesore të Qeverisë së shkuar për të financuar padrejtësisht universitetet private në vend. Në dëgjimin (hearing) e tij para Komisionit Parlamentar të Arsimit, 2006, Profesorati Shqiptar i ofroi Qeverisë programin për një reformë tërësore në Arsimin e Lartë, si dhe një projektligj, në të cilët, pra në të dy këto dokumente, duke qënë si pjesë e të tërës, reforma financiare konceptohej si një reformë që nuk mund të kryhet pa u kryer reforma administrative, pa u kryer reforma strukturore, pa u kryer reforma akademike e sistemit të arsimit të lartë në përgjithsi dhe e çdo universiteti në veçanti. Reforma financiare u paraqit, prandaj, si pjesë e një universi, i cili ekziston vetëm se është i tillë, i pandashëm. Ne ishim të sinqertë me atë që bënim, por të tjerët, politikanët, qeveritarët e asaj kohe veçanërisht, nuk ishin. Me sa duket nuk janë edhe në këtë Raport. Nëse do të ishin të sinqertë nuk do të lejonin që krejt sistemi i akreditimit të jetë në dorën e Qeverisë, sepse, nëpërmjet një sistemi “kukull” akreditimi, qeveria akrediton çdo universitet që plotëson interesat e saj, ashtu sikundër lë pa akredituar çdo universitet që guxon të mos i shërbejë. Kjo gjë e bën të pabesueshëm plotësimin e kriterit të akreditimit si kusht që universitetet pivate të bëhen pjesë e modelit të ri të financimit. Nga ana tjetër, universitetet private të këtij vendi ndryshojnë esencialisht me perëndimorët të paktën në dy gjëra, prania e të cilave e bën abuzive çdo tentativë për financimin publik të tyre: e para, universitetet private në perëndim, në një proces të gjatë zhvillimi të karakterizuar nga integriteti, kanë fituar besimin e publikut, gjë që universitetet private shqiptare nuk e kanë, absolutisht; dhe së dyti, universitetet private jo fitimprurëse nuk e zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi një pronë private që mund të zgjerohet nga paratë e publikut, por mbi një pronë universitare (ku përfshihen edhe lapsat, letra, etj), e cila nuk mund të tjetërsohet, në asnjë mënyrë, nga asnjë pronar në statusin e individit apo grupi individësh. Po t’i shtojmë gjithë kësaj edhe një interes të veçantë, të çuditshëm, të qeverive të shkuara, por me sa duket edhe të kësaj qeverie, për financimin publik të universiteteve private, madje në kushtet kur vetëm 0.4-0.6% e GDP i dedikohet Arsimit të Lartë, pra, madje, edhe në kushtet më ekstreme të një financimi përbuzës, me siguri që është pikërisht kjo gjë, ky interes i veçantë qeveritar, që e zhvesh reformën nga interesi i përgjithshëm publik. Dhe pikërisht në këtë pikë, më kujtohet që në një nga librat e tij Kadare shkruan se në socializëm të gjithë e kishin mendjen te ajo që nuk e përmendnin kurrë: te paraja. M’u kujtua shkarazi kjo thënie e Kadaresë dhe befasisht, pasi e kisha lexuar me mundim raportin e shkruar lodhshëm të Komisionit, mendova që e gjithë puna e tij, Komisionit, nuk ka se si mos të karakterizohet në thelbin e saj nga kjo thënie e Kadaresë. Në marramendjen e faqeve të raportit, brenda kufijve të tretuar, prandaj edhe “të paanë” të reformës së projektuar, të gjithë pa përjashtim, autorë dhe jo autorë, autorë të shkruar dhe të pashkruar, të dukshëm dhe të padukshëm, protagonistë apo dytësorë, heronj fronti apo minj prapavije, politikanë të dëgjuar dhe të padëgjuar, me pushtet të frikshëm apo pas pantallonave të dikujt tjetër, pothuasje të gjithë, pothuajse pa përjashtim, mendojnë atë të cilën nuk e përmendin kurrë, në asnjë vend, në asnjë qoshe, kërkund: si ta çojnë paranë publike te universiteti privat, madje, jo ashtu në përgjithsi, por te universitetet privatë të adresuar mirë, të përgatitur prej kohësh në sytë e publikut për ta marrë atë. Universitarët, lexuesit e Raportit, do të fillojnë të debatojnë për qeverisjen universitare, për autonominë, për modelin e financimit, madje për parimet e Reformës, për Bolonjën, ndërkohë që “mjeshtrat”- autorë dhe jo autorë – do të fillojnë të tundin kokën, të veshin maskën e atij që di aq sa të tjerët nuk e kuptojnë, ndërkohë që mendjen do ta kenë ekzaktësisht te projekti që me kujdes e kanë fshehur nën xhyben e Reformës: atë të përfitimit nga paraja publike.

Është jasht çdo dyshimi që Raporti i paraqitur për reformimin e arsimit të lartë, përveç problemeve të përmbajtjes, të cilat nuk janë të korigjueshme pa dizintegruar vetë Raportin, që do të thotë se është e pamundur të ruash integritetin e Raportit dhe në të njëjtën kohë të korigjosh problemet ekzistuese, pra, përveç problemeve të përmbajtjes, ka edhe probleme të formës, të cilat, në fakt, kanë ndikuar rëndshëm në gjendjen e papranueshme të Raportit. Raporti është ndërtuar pa profesionalizëm dhe, qartazi duket që është ndërtuar nga njerëz që konceptin e manaxhimit të një universiteti të vërtetë (nuk është fjala për një universitet privat shqiptar) e kanë adoptuar në mentalitetin e tyre përmes informacioneve dhe jo praktikës jetësore, megjithëse kjo, pra drejtimi i një universiteti të vërtetë, mund të jetë, natyrshëm, në ëndrrat e tyre. Raportit i mungon kohezioni logjik dhe është i mbushur me kundërthënie, gjë që është e palejueshme për profesionistët dhe autoritetet universitare që kanë përjetuar udhëheqjen dhe administrimin e një universiteti. Disa fakte e ilustrojnë këtë përfundim. Në Raport faktohet, nëpërmjet krahasimit, se numri i universiteteve për njësi popullsie është një raport i përçudnuar, sepse është jashtzakonisht i madh, i dalë nga proporcionet; por në të njëjtën kohë pranohet pa asnjë problem ekzistenca e universiteteve të shumta në Shqipëri dhe ndërtimi i Reformës pa cënuar natyrën e specializuar dhe jo universale të tyre, ashtu sikundër edhe numrin e shpërndarjen e universiteteve të shumtë; mbështetet ekzistenca e universiteteve të specializuara në Shqipëri, madje kritikohet politika e 1992-94 që i nxorri universitetet (Korçë, Elbasan, etj.) nga profilizimi i tyre, ndërkohë që pranohet se konkurrenca (e cila nuk mund të ekzistojë midis universiteteve të specializuara) është thelbi i zhvillimit të sistemit; Këshilli Administrativ konceptohet me shumicë universitarësh, por po aty thuhet që përbërja e tij përcaktohet nga madhësia e financimit të konstituentëve (por Qeveria ka, sigurisht, edhe pagesën më të madhe, pra edhe sundimin mbi Këshillin, jo universitarët); flet për Këshill Administrativ por askush nuk e kupton nëse është konceptuar për llogaridhënie të jashtme (external accountability) apo të brendshme; flet për ndarje të pushtetit administrativ me atë akademik dhe nuk aplikon parimin checks and balances; flet për adoptimin e sistemit të Bolonjës dhe del jasht tij; flet për struktura të pavarura (ndërmjetëse) dhe nuk përcakton drejtimin (chair), raportet e anëtarësisë në përbërjen e tyre (qeveri-universitet); origjinën e përzgjedhjes, natyrën e vendimmarrjes, etj. Përveç profesionalizmit të shprehur dobët, Raportit i mungon integriteti etik dhe moral, në kuptimin që ai e ndërton punën e tij mbi një punë të kryer tashmë në Shqipëri, por pa e përmendur atë. Komisioni, qartësisht, e ndërton punën e tij mbi një realitet universitar që ka gjetur dhe ashtu si ai e koncepton atë, por anashkalon një realitet tjetër, atë dokumentar, i cili, megjithëse është kontribut i profesionistëve të shumtë, megjithëse nuk arriti kurrë të shkurtojë distancën me realitetin, ta transformojë ekzistuesin në një realitet më të mirë, ai përsëri mbetet një realitet dokumentar shumë interesant, shumë më i plotë se ai i paraqitur nga Komisioni, shumë më i drejtë, shumë më i kohës, për dy arsye: e para, u përgatit nga profesionistë të vërtetë dhe e dyta, aplikimi i gabuar i tij ishte faj i politikës, jo i cilësisë së dokumenteve të reformës. Me një siguri të patronditur, pasi lexova Raportin, konkludoj që nëse ky Raport ka një gjë pozitive, ai është edhe në dokumentet e përgatitura më parë (Master Plan i Arsimit të Lartë, 2006-2007) dhe nëse ky Raport ka gabim, ai nuk gjëndet te dokumenti i përmendur. E gjitha kjo nuk është thjesht një harresë e Komisionit. Në rastin më të mirë është plagjiaturë, në rastin më të keq është një manovër tinzare për t’i rikthyer universitetet nën një sundim të ri politik, madje edhe më tragjik se i mëparshmi.

6 komente në “Po ndërrohet sundimi politik në universitete”

  1. A says:

    Politikanet dhe pushtetaret e Shqiperise fatkeqesisht dhe mjerisht keto 24 vjet sa te pa afte, sa maskarenj dhe sa injorant ne lidhje me arsimin vetem kane bere ate qe e kane shkaterruar dhe prishur ne te gjitha menyrat e mundeshme me injorancen e tyre.
    Arsimi ne pergjithesi keto 24 vjet te ashtuquajtur demokraci eshte deformuar ne nje fare feje sikur ne Shqiperi nuk ka pasur ndonje here arsim, shkollim. Kur dihet qe nga data 28 nentor 1912 e deri ne vitin 1990 arsimi eshte ndertuar sipas strukturave austro-hungareze, italjane, franceze, amerikane dhe ruse. Kurse pas vitit 1957 u hap edhe shkollat e larta Universiteti sipas strukturave ruse. Pra, ne te gjithe kohrat arsimi fillor, unik, i mesem i te gjitha kategorive dhe i larti kane qene ne nivelet e duhura bashkekohore.
    Por per interesa te disa personave pas viteve 1990, futen hundet tipa pa karakter me mendesi fshatare prej shpellaresh si SALI BERISHA, per 13-te vjet dhe nje tjeter megjithese qytetar si FATOS NANO e paten mendjen vetem per korrupsion, per vjedhje dhe grabitje e shkaterruese.
    Nuk eshte problem i madh qe te rregullohet sistemi arsimor i te gjithave niveleve, por problem i madh eshte qe ne krye te puneve te reformave te vendosen njerez te mire shkolluar, te mire emancipuar, te mire qyteteruar me mendesi te thekesuara qytetarie. Nuk behet pune me tipa turli katundari, fshatari, maloku nga veriu ne jug te Shqiperise.
    Nuk behen refomat cdo fillim dhe mbarim viti shkollor.
    Ne jemi te fundit ne Evrope per gjithcka, ne nje kohe shembujt me te mire mund te merren ne shtetet me te zhvilluara te botes dhe Evropes.
    Ne nuk jemi ne gjendje per cpikje, por te pakten te jemi ne gjendje te pershtasim sa me mire ate teori dhe praktike qe kane vendet e zhvilluara, te civilizuara.

    1. Profesor Andi i UBT says:

      Cdo njeri mund te flase per politizimin e universiteteve por jo Besnik Gjongecaj. Ky arrogant dhe despot i vogel kur ishte ne drejtimin e Universitetit Bujqesor te Tiranes si Rektor vendosi sundimin e ashper te politikes ne universitet, dmth te PD-se. Mbeshteti vetem klanet e lidhura me PD-ne dhe shtypi pa skrupull cdo profesor qe mendonte ndryshe duke mos i dhene te drejten te emrohej, duke pushuar dekane ne menyre shume te paskrupullt, duke prere fondet per udhetime jashte shtetit te profesoreve te mendimeve te ndryshme politike, duke penguar vizitat dhe specializimet ne universitetet europiane te profesoreve qe mendoni ndryshe nga ky despot tropojan dhe duke mbeshtetur hapur PD-ne ne Universitetin Bujqesor. Ky majmun pellazg prej Tropoje i vuri flaken Universitetit Bujqesor ku u dogj libraria me e madhe ne ballkan me cetat e PD-se gjate periudhes se 1997. Po ashtu ky ‘teoricien’ liliput dhe i shemtuar ne shpirt shkaterroj gjithe laboratoret e Universitetit Bujqesor me pellazget qe leshoj neper fakultete duke djegur dhe vjedhur ne menyre masive gjithcka. Gjate viteve te shumta qe qendroj si rektor jo vetem qe nuk beri asnje reforme demokratike dhe ne dobi te universitetit por e ktheu universitetin me keq se ne kohen e persekutimit komunist. Ky intrigant dhe njeri i ulet futi friken ne profesoriat dhe njerezit nuk guxonin te flisnin sepse i perjashtonte nga puna. Prandaj eshte shume e turpshme qe nje person qe ka nevoje te permiresoje veten dhe te civilizohet te guxoje te shkruaje nje artikull te tille.

  2. sokoli says:

    Cfare komenti i lig. Vetem mllef, mllef mllef. Asnje gje e mire nuk paska nje raport 90 faqesh o njeri i lig ! U dashka te mernin raportin e vjeter vetem se ke qene ti anetar ! Jo Jo vetem intelektual nuk mund te jesh ti.

  3. sokol says:

    Oponence profesionale,e hapur qe duhet konsideruar nga hartuesit e reformes,pa mllefe dhe paragjykim.Autori duket se e njeh mire kete fushe.

  4. Mama mia says:

    Cfare koktej spermash jeni o Bese ? Di te na e thuash ?

  5. Dardan Mitrovica says:

    I nderuar Profesor!
    Shkrim i shkelqyer, i denje per nje akademik te formatit tend. Shkrimi hedh drite dhe sqaron gjithçka me profesionalizmin e nje akademiku qe i njeh ne maje te gishtave problemet e Arsimit te Larte, ne Shqiperi dhe ne bote. Ju njihni shkelqyer parimet,kriteret dhe ligjesite e botes akademike e universitare, garanci keto per nje reforme te vertete.
    Urime per gjithç beni per kete vend.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje