Asnjë cent për të akuzuarit potencialë!

2 Maj 2014, 19:37Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

 

është e zorshme të thuash diçka ndryshe në një shoqëri kaq uniforme, ku shkëlqimin e luftëtarit krenar e ka mbuluar balta e mburravecërisë, ku modestinë e çlirimtarit e ka çakërdisur krekosja; e ku humanizmin e ka zvetënuar mujshia egërshane dhe ku, dallimi mes së keqes dhe së mirës pothuajse nuk ekziston më.

Si duhet të veprojë kjo shoqëri që t’ua japë hakun luftëtarëve të vërtetë të luftës çlirimtare që e kanë kryer në mënyrë shembullore një detyrim qytetar për ta mbrojtur atdheun nga agresioni i Serbisë së Milosheviqit, duke i veçuar dhe ndarë individët abuzivë, që kanë mundur të kryejnë krime lufte?

Në kontekstin e lirisë së Kosovës, kjo është një punë e vështirë, sepse rëndom shumë njerëz e kthejnë Serbinë në këso debatesh: “A e dini se çka ka ba Serbia”?

Natyrisht se dihet!

Për krimet e lemerishme që Serbia i ka bërë gjithandej në Kosovë, kosovarët janë shpërblyer me “vetëvendosje zhdëmtuese”, pra kanë fituar lirinë kombëtare dhe kanë ndërtuar shtetin e tyre të pavarur kombëtar – si rast sui generis – madje duke e tronditur të drejtën ndërkombëtare.

Për ta ftilluar këtë opinion, si qytetar i këtij vendi, do të isha i lumtur që akuzat monstruoze të pretenduara në raportin e Dick Martyt të mos provohen kurrë dhe me asgjë.

Madje secili qytetar me ndërgjegje do të ndihej mirë po qe se këso akuzash nuk do të ngrihen fare.

Për këtë ekzistojnë një varg arsyesh.

Dua të besoj se shumica e qytetarëve kosovarë do të dëshironin po ashtu që pretendimet e raportit Marty për mizori të dilnin false dhe të paprovueshme me mjete hetimore e juridike. Dhe të mbeten thjesht krijesa të imagjinatës.

Mirëpo, duke parë tek turren disa figura të PDK-së për të krijuar fond të posaçëm, ende pa u krijuar Gjykata Speciale (sepse sefte është miratuar ratifikimi i Marrëveshjes Kosovë-BE për krijimin e një task force speciale të BE-së për ndjekje penale), shumë më e ndershme dhe humane do të ishte për një pushtet nominalisht demokratik që të krijonte fond për përfaqësimin dhe mbështetjen (në ndonjë gjyq eventual) të viktimave civile të luftës, pra fond që do të derdhej për rehabilitimin e tyre, të të mbijetuarve të torturës ose familjeve të viktimave eventuale, pa përkufizim etnik.

Të shfrytëzosh fuqinë e pushtetit për t’ua zhvatur paratë taksapaguesve (qytetarëve) kosovarë pa i pyetur ata dhe me destinacion për të akuzuarit e paragjykuar për krime lufte, do të thotë t’ua marrësh atyre pos parave edhe fytyrën!?

Do të thotë krim i dytë!

Prandaj qytetarët e Kosovës duhet ta refuzojnë këtë fond – përderisa të dihet nëse do të ketë të akuzuar ose jo, dhe se kush mund të jenë ata që do të akuzohen dhe për çfarë veprash?

Pastaj, sefte duhet ditur nëse ata që potencialisht mund të akuzohen dhe që potencialisht mund të kenë bërë krime ndaj civilëve, janë luftëtarë të rëndomtë, që kanë mundur të abuzojnë me të drejtat e civilëve dhe që s’i kanë përfillur zakonet e të luftuemit (konventat ndërkombëtare), pra ushtarë të thjeshtë që kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre dhe eventualisht tashti nuk kanë mundësi materiale për t’u mbrojtur, apo ndër ta mund të jetë ndonjë ish- komandant që përmes zhvatjes është bërë milioner!?

Sa për emrat që figurojnë në raportin 27-faqesh të Dick Martyt askush nuk mund të thotë se janë disa fukarenj, që shoqëria kosovare i ka lënë keq, të harruar e plot vuajtje!?

Andaj krijimi i ndonjë fondi qeveritar për mbrojtjen e tyre është thjesht aprovim i krimit eventual të tyre!

Dhe këtë nuk besoj se ka qytetar normal e më ndërgjegje që do ta kapërdinte!?

Ka disa megjithatë që e justifikojnë krijimin e këtij fondi, së pari me pretendimin se ata janë cilësuar si çlirimtarë dhe shoqëria u ka borxh dhe së dyti, pretendohet se më mirë të krijohet fond legal sesa të krijohen fonde private e të dyshimta.

Porse asnjëri nga pretendimet nuk qëndron.

E para, çlirimtarët e vërtetë nuk kanë shkuar në luftë për shpagim material, pra nuk kanë qenë mercenarë, dhe së dyti, një dorë e mirë e prijësve të gueriljes kosovare tashmë ose janë pasuruar përmes veshjes me pushtet, (nga zyrat publike) ose përmes fondeve të zeza, zhvatjeve, trafiqeve, tenderëve për kompanitë që i kanë financuar ata, uzurpimeve të pronave që njiheshin si publike etj.

Dhe së treti, duhet pritur që ta thotë fjalën një gjykatë kredibile, (Gjykata Speciale) nëse dikush do të shfajësohet dhe do të lirohet dhe tek atëherë mund të flitet për kompensim moral dhe material të tyre, pra tek atëherë mund të krijohet ndonjë fond qeveritar për rehabilitimin e ndonjë të akuzuari që faqe gjyqit e Zotit del i pafajshëm.

Dhe, natyrisht se ata nuk mund të paragjykohen, përderisa të bëmat e tyre nuk i vërteton ndonjë gjykatë. Mirëpo derisa askush nuk e di se a do të ketë aktakuza, se a ka prova dhe se a do të dënohet dikush, të krijosh një fond të tillë, disi po më duket pranim i tërthortë i atyre mizorive të pretenduara.

Në anën tjetër, secilit që i vërtetohen akuzat eventuale për krime duhet ta bartë vetë tërë barrën juridike, morale dhe materiale.

Përndryshe, nëse ndonjëra nga akuzat e pretenduara nga raporti i senatorit zviceran Dick Marty vërtetohen, do të ishte turp historik që dikush i këtij profili të subvencionohet nga paratë e qytetarëve, të cilëve shteti duhet t’ua garantojë nderin dhe integritetin moral e qytetar!

Sepse qytetari i edukuar nuk paguan llogari në kontot e kriminelëve të supozuar!

Pos në vende e shoqëri të kriminalizuara!

Pyetja legjitime në këtë rast është përse Kosova nuk krijoi fond të tillë për komandantët e UçK-së të akuzuar nga Tribunali i Hagës, por atë e do tashti?

Në këtë kontekst, sipas një hulumtimi të BIRN-it, gjatë përballjeve me drejtësinë në ICTY në Hagë, Kroacia ka shpenzuar 28 milionë e 145 mijë e 610 euro (plus një fond privat prej 1 milion e 100 mijë eurosh) për mbrojtjen e të dyshuarve për krime lufte; Bosnja 640 mijë euro (të dhënat zyrtare janë vetëm për Republika Sërpska); Serbia 1 milion e 700 mijë euro; Maqedonia përafërsisht 9 milionë e 480 mijë euro, kurse shteti kosovar i ka shpenzuar vetëm 16 mijë e 750 euro, për pritjet që i janë bërë ndonjërit nga të liruarit, ndërsa fondet private kanë arritur 1 milionë e 712 mijë euro.

Kuçi e të tjerët po duan t’u thonë kosovarëve se kështu kanë vepruar të gjitha shtetet e rajonit.

Po a u dashka patjetër që Kosova ta imitojë gjithherë anën e errët të rajonit?

“Përmes një diskursi nacionalist publiku nxitej që të paguante para për mbrojtjen e Haradinajt, Limajt dhe të tjerëve, porse publiku  kurrë nuk e mori vesh se ku dhe si u harxhuan ato para”, thotë Nora Ahmetaj nga Qendra për hulumtime, dokumentim dhe publikim, lidhur me fondet për të akuzuarit e Tribunalit të Hagës.

Mirëpo atëbotë Qeveria e Kosovës (e drejtuar nga AAK-ja dhe më pastaj nga PDK-ja) nuk kishin dhënë ndihmë materiale për mbrojtjen e të akuzuarve nga Tribunali i Hagës, edhe pse këtë e kishin kërkuar organizatat e veteranëve të luftës.

Kurse tashti, kur shumica e të akuzuarve (nëse do të ketë të tillë) pritet që të jenë  njerëz të PDK-së, së paku sipas pretendimeve të Martyt, shteti duhet të krijojë patjetër një fond për mbrojtjen e tyre.

Mirëpo lë të shohim retorikat e politikanëve të paskrupullta dhe hipokritë, të cilët dikur e hidhnin poshtë me forcë secilin pretendim të Dick Martyt, kurse tashti po nguten të krijojnë fond të posaçëm për mbrojtjen e të akuzuarve potencialë, pa pritur nëse do të ketë apo jo aktakuza dhe për kë mund të bëhet fjalë.

Më 16 dhjetor 2010, një zyrtar i lartë kosovar pretendonte se kryeministri Hashim Thaçi ka kontaktuar avokatët për të ndjekur me padi për shpifje Martyn.

Kurse vetë ai, kryeministri deklaronte:  “Unë jam i ri dhe kam boll kohë që ta ndjek Martyn për shpifjet e tij”.

Padia kundër Martyt nuk ndodhi kurrë.

I njëjti, në seancën e Kuvendit të Kosovës të 23 prillit 2014, thoshte se kjo gjykatë është padrejtësi dhe fyerje për Kosovën, por njëkohësisht apelonte tek deputetët që të votonin pro.

Ashtu edhe doli.

Ngase 89 deputetë votuan pro, 22 kundër, kurse dy abstenuan në votim.

Pastaj, zëvendëskryeministri dhe monistër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, më 16 dhjetor 2010 në BBC i cilësonte shpifje ordinere gjetjet e raportit të raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Atëbotë zëvendëskryeministri Kuçi thoshte se pretendimet për implikim në krime të emrave që përmenden në raportin e komisionuar nga Këshilli i Evropës, mund të kenë prapavijë për dëmtimin e imazhit të UÇK-së.

Kurse më 23 prill 2014 Kuçi thotë: “Qeveria e Kosovës, përmes një udhëzimi administrativ, duhet që të krijojë fond të veçantë për mbrojtjen juridike të të akuzuarve potencialë dhe për udhëtimet e familjarëve të tyre në gjyqet që do të mbahen jashtë shtetit”.

Pra, Kuçi tërthortë u tha kosovarëve se “priten aktakuza dhe gjykime” për krime lufte.

PDK-ja tashmë po e di krejt historinë!?

A pret ministri duartrokitje?

Mbase!

Porse kredibiliteti i tij politik dhe moral është në zgrip të fundosjes.

Në anën tjetër politika dhe shoqëria civile kosovare po heshtin. E heshtja është miratim. Vetëm Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH) ka kërkuar nga Qeveria të krijojë fond për familjet e personave të zhdukur dhe jo për kryerësit e mundshëm të krimeve.

Nëse Qeveria e Kosovës paska aq mundësi të mëdha materiale, do të duhej që t’i merrte në mbrojtje viktimat civile të luftës (pa dallim etnie), rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës (në të dyja anët e frontit) dhe familjet e civilëve të vrarë.

Ky hap do të shënonte një kthesë në imazhin e shtetit kosovar, në thelb do të ishte një hap brilant në sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë, se Kosova po e merr anën e humanitetit dhe po shkëputet nga e keqja brenda vetes.

Për shoqërinë kosovare do të ishte qetësim i ndërgjegjes, kurse për viktimat satisfaksion.

*KOHA DITORE

7 komente në “Asnjë cent për të akuzuarit potencialë!”

  1. Drenicak says:

    O Halil Lopa une kame vra shkije per me jetu ti i lire .
    UCK ka gabime te hatashme qe nuk ka pas nje struktur per verifimimin e disa shqiptarve pro serb dhe me ju qi nanen me i vra si qĕt.

    1. Ilir Hoti says:

      Po a e di se ‘Matoshi e matoshat jane ‘askushi’ apo ,koqevare’ por jo shqiptare!!!!Shiko si nuk citohet ne asnje rresht ‘shqiptare’ Pra te denohen shqiptaret edhte i gezuar si anti-shqiptare here i maskuar e here haptas..Ky monster me gene te prishura e i paeikulibruar nuk ka shume shoke ne mjedisin shqiptare por duhen te luftohen pa kompromis..Nuk ka gje te keqe qe ‘matoshat’ te thote ‘nuk jemi shqiptare, sepse mund te mos jene te sigurte,ose …..Kombi yne do pastrohej prej krimbave te tille!!Ka serb apo tjeter qe sulmon popullin e vet????Moral zero

  2. shqiptar says:

    kate drejte Matoshi.Po deshet lerini kriminelet dhe spiunet te qeverisin ne te dyja Shqiperite se si cuba jeni mesuar nga baballaret komuniste.

    1. Ilir Hoti says:

      ‘Maroshat’nuk jane shqiptare. Inatin ma te madh e kane ata qe cliruan popullin shqiptare ne KOSOVE duke nderuar brezat e shkuar dhe ata qe do vijne….Europa e Amerika i dhane ate per te cilen luftojne shqiptaret tash 100-vite..Vite ma te mira do vine per KOMBIN SHQIPTARE, duan apo jo ‘matoshat’ apo dikush tjeter

  3. bami says:

    Akuzat kryesore kundra clirimtareve i bejne shqiptaret ,njerezit e LDK dhe UDB,keshtu si puna jote.Po te kishe qene ne lufte ti debil(keshtu dukesh ne vijat e fytyres),nuk do flitshe keshtu o matosh leshi.

  4. lindi says:

    Akuzat po i bene amerika me BE,e jo halil matoshi.Po kur lexon kete lloje komentimi te komentuesve ,ateher kam pershtypjen se nuk do te behemi shtet kurre.

  5. Skenda says:

    Nuk keni pse frikoheni nese nuk keni bërë krime. Nëse keni bërë krime, më kot krijoni fonde, se parat nuk ju shpëtojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje