IN MEMORIAM: VASIL MIHO

2 Maj 2014, 19:20Blog TEMA
IN MEMORIAM: VASIL MIHO

Pellumb Kulla

                                                                           

 “I madh nuk është ai që ze shumë vend, por ai

 që le  shumë boshllëk kur ikën”

Mësova me shumë vonesë lajmin e hidhur të shuarjes në Tiranë të  miku tim të ngushtë, Vasil Mihos. U trondita thellë. Ky pikëllim bëhej edhe më i thellë tek e shihja të pasqyruar në mosbesimin, habinë dhe hutimin e dhimbshëm të gruas dhe fëmijëve të mi. Ishte nga ato raste vdekjesh të padrejta kur nuk ngrejmë zërin por guxojmë brënda vetes të jemi të pakënaqur me punët e Zotit. Vasoja ishte vetëm 55 vjeç! Dhe sot, tamam sot, 2 maj ai ka ditëlindjen!

Miqësia jonë me Vason nuk daton larg. Ka qenë fundi i 1992 teksa të dy bashkë përgatiteshim të shërbenim në ambasadën tonë në Bonn të RFGjermane. Puna e përbashkët në përfaqësinë tonë atje dhe të jetuarit familjarisht pranë e pranë solli njohjen më të hollësishme të këtij personazhi të veçantë, që u nda nga kjo jetë në një moshë shumë të re.

Vasil Miho u bë lehtë e lehtë një eksponent gazmor i fejsbukut, një mik simpatik që kishte anasjelltas 6000 miq fejsbukista të tjerë. Dhimbja për ikjen tragjike ishte e mprehtë, e ndjerë dhe tek gjurmoja me vonesë ngjarjen e hidhur bindesha edhe më shumë se sa i vyer, sa i kulturuar, sa i njohur dhe sa i shtrenjtë ishte bërë Vasoja për familjarët, shokët e afërt dhe ata që e njihnin vetëm nga shfaqjet e tij brilante të realiteteve gazmore.

Edhepse me arsye – që nuk ia vlen t’i sjell këtu, – e mësuara me vonesë e lajmit goditës, më shtyn të theksoj një pakënaqësi sa ndaj vetes aq edhe ndaj lënies së kësaj ikje pa zhurmën e merituar, të një njeriu që vlente të shënohej publikisht dhe të kish një vend më të dukshëm në atdheun e tij. Pra ma desh zemra të meritonte më shumë theksin e gjëmës, që edhepse i larguar disi nga mediat e vendit, ta merrja vesh edhe unë, ashtu si shpesh marr dije edhe për ngjarje banale, që fryhen për nga rëndësia. Mihoja ishte drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vendin tonë, por jo aq për këtë, se sa për vlerat jo zyrtare njerëzore. Unë do ta  cilësoja një personalitet të kulturës dhe të edukimit. Sado pretencioz të duket ky vlerësimi im unë e di që pas vetes do të kem mbështetjen e dhjetra mijërave. Falë lehtësive publicistike të një mekanizmi si fejsbuku, unë e di se ky shok i shtrenjtë që na la, ishte një shëmbull i shkëlqyer i një hokatari publik nga më modernët, ishte një princ i pakurrorëzuar i humorit të hollë dhe prurës i pashtershëm i gjallërisë gazmore, një urë takimi me mjediset fantastike të mençurisë botërore. Ishin të përditshme, pra me mijëra dhe mijëra karrikaturat e zgjedhura, montazhet ekstravagante të fotografive, gazmoret, citatet me kripë, paralelet dhe gërshetimet e botës njerëzore dhe shtazore. Mos harrojmë se audienca e Mihos ishte shoqëria e lartë e kulturës, të arsimuarit e vërtetë, njerëzit e botës internetike që zotërojnë shkathët kompiuterin, janë të familjarizuar me bursën e gjuhëve ndërkombëtare dhe me komunikimet në rrjetet shoqërore,pra jo audiencat e fshatrave (ku flitet demagogjikisht se gëzohet mosha e internetit!) dhe të atyre që nëpër studjo televizive shqyhen gazit në ca spektakle, ku humori është ultrabanal dhe ku fjalori i aktorëve merr tatëpjetë belit. Në faqet fb të Vasil Mihos ndrinte përditë, i pafshehur nga retë dielli i  një humori të shëndetshëm paqësor dhe jashtëpolitik, që mbillte të shumfishuar paqën dhe dlirësinë. Krahasuar me faqet fb të politikanëve, këto të Vasos ngjanin si ca oaze drite, miqësie dhe shlodhjeje. Ngjante sikur i vetëm, Vasil Mihoja i bënte ballë tërë lumit të turbull humoristik që sjellim ne shqiptarët në tregun zyrtar të humorit vendas, dëmtuar nga nevojat e shumta konsumatore. E të mendosh se ky militant i dritës nuk doli asedhenjëherë të vetme në skena dhe në ekranet e panumurta të vendit të vet! Po të ishte për mua, unë do ta dekoroja për vlerat e mëdha edukative në gjuhën e komunikimit njerëzor.

Miku ynë i shtrenjtë, që ditë pas dite na pikëllon edhe më shumë me ikjen e tij të papritur, duhet vlerësuar në disa plane. Në atë familjar ai dallohej se pat krijuar një mjedis të emancipuar dhe të kulturuar, me gruan dhe djalin. Gruan e tij, Mimozën dhe Klevisin, djalin, ai i sillte në një dritë ngacmimesh publike të ngrohta dhe të mirëkuptuara. “Më ka humbur karta e kreditit,” shkruante ai, “por kush e gjen, le ta mbajë, se me siguri do të harxhojë më pak se gruaja ime”  “Edhe 100!” i uronte të birit për ditlindje dhe nxitonte të shtonte: “100, them për vite, jo  për femra!” Vaso Mihoja duhet vlerësuar në planin e pasurimit vetjak kulturor. Jo vetëm për zotërimin e disa gjuhëve të huaja të Europës, gjuhë të mësuara para viteve ’90, jashtë fakulteteve shtetërore, por ai vlerësohet edhe për pasionin e zjarrtë ndaj letërsisë, muzikës dhe spektakleve që ndiqte pa pushim.  Gjuhët e shumta që zotëronte e bënin atë të thithte nektarin e luleve të lartësive, që pastaj mjaltin ta importonte për kënaqësinë e mijëra miqëve të tij. Ndërkohë që ishte peshkatar i detrave të humorit botëror, ai ishte edhe vetë prodhues i një humori cilësor, vetëtallës dhe të befasishëm. “Po vendosa unë të mos lëviz nga vendi, nuk ka Zot që të më ndalë!” shënonte vetëtalljen e kripur në një nga daljet e tij. Vasoja ishte model i shpirtit paqësor që më së shumti binte në kundërshtime me mua, tek e ngacmoja duke i vënë në dukje se sa e mërzitshme duhet të jetë një jetë pa armiq. Ai e dinte vetë më saktë në kish të tillë apo jo, por unë vura re me kënaqësi, bukurinë e shtrirjes së hartës së pikëllimit (edhepse “kënaqësi” dhe “bukuri” janë fjalët më pa vend po gjithsesi të çuditërisht të nevojshme) për efektin e vdekjes së tij. Malet me lule virtuale, shprehjet e dhimbjes së shokve e miqve më frymëzonin për të thënë këto pak fjalë që po shpreh. Vdekja e Vasil Mihos pati megjithatë dimensione publike, por jo aq sa do të dëshiroja unë dhe miqtë e tij. Mua do të më mbetet i pashlyer nga kujtesa ky portret i dashur, me ata sy paksa të picëruar gazmorë,prapa syzeve të tij të pandara.

Uroj  të prehesh në paqë o miku ynë i pazëvendësueshëm!

 

13 komente në “IN MEMORIAM: VASIL MIHO”

  1. agron molishti says:

    …u prefsh ne paqe doktor…me Vason jemi rritur ne nje lagje por edhe ne shkolle 8-vjecare,ishte djale i shkelqyer nga nje familje fantastike,mamane e tij e kishim doktoreshen e lagjes…e pa besueshme qe eshte larguar nga jeta ne moshe shume shume te re…ngushellime familjes…

  2. fllad says:

    Vaso, hero i heshtur ne zemergjeresi.Ata te shumte qe e kane provuar mund te kuptojne me mire kete cilesim.Vason e gjen kudo ne cdo cep e shtepi, rrugeve te Shqiperise, me pamjet dhe me fotot e shumta ne google earth.
    Te gjithe ata qe e kane njohur e kujtojne me dashuri me respekt dhe me ndjenjen e keqardhjes se perse keta kaq te miret te mos kene fatin te rrojne gjate qe tu tregojne te tjereve se si duhet te jete njeriu.

    Z.Pellumb te lumte zemra qe e kujtove Vason!

  3. OKBeeeeee says:

    O Kellumb Pulla !

    Para se te filloj komenttin ngushellime kozmike familjes se te ndjerit POR..

    ti mor kellumb je bere i nekrofil i nevertshem qe po shfrytezon dhe keto raste mortore per tu dukur ” a doni me per belulin”

    per mungese kohe po them vetem kryesoren:

    Bashke me te ndjerin ju Kellumb keni bere qefin 101% qofte me Enveri qofte dhe me saliun dhe nuk late ambasada dhe zyra shteti pa i hipur.

    Fakti qe keni kaq histori heroike ne FUCKBOOK tregon se ja keni ..erdhyer diplloamcine atij vendi

    RIP per Vasil Mihon…turpi per nekrofilin Kellumb Pulla

  4. Hasani says:

    TIP miku im. Ishevme te vertet njeri fisnik.

  5. tourkofagos says:

    Aq shume shoke e paske pas te ndjerin Vasil Miho,sa e more vesh pas dy muajesh vdekjen e tij………….!!!!!!!
    edhe ti Pellumb /Korrak Kulla,ben pjese ne ate llum artistes qe i sherbyet sistemit te Enverit ,por edhe atij te islamikut Berisha!
    Ju nuk i sherbyet aspak kombit,por vec karrikes tuaj……….

    1. Milua says:

      O kafshe e komentlandit, o shkrues nevojtoresh, di te lexosh ti a po…? Ti edhe raca jote i keni komentet gati kur shkrimet nuk jane vendosur akoma. Race e ndyre!

  6. Ngushellime familjes .R.I.P Vasil Miho.

  7. Kolegu says:

    Me një shkrim të tillë, duke nderuar mikun në ikje keni nderuar veten! Pëllumb Kulla, miku im i veçantë e i çmuar edhe në mesazhe të tilla të brishta ku preket shpirti njerëzor tregohet mjeshtër i hollë i ndjenjës e i fjalës. Një fjalë e tillë kaq e mënçur e kaq e ndjeshme kapërcen gjer në ‘botën tjetër’ dhe miku i ikur atje ku pushon përjetësisht ia dëgjon e buzëqesh me mirënjohje. Në kujtimet e tij, Pëllumbi harmonizon hollë në natyrën e tij prej artisti të madh edhe fije humori të jetës, duke ta bërë më të afërt e më të dhimbshëm ikjen e mikut. (po të shitej në farmaci fjala e tillë e Pëllumbit, do të kish çmimin më të lartë)…Nderimet e mia Kolegu

  8. Milua says:

    O ju vigjilentet e Temes! Dje kisha nje pergjigje tjeter per ate ndyresire OkBeeee… Ju nuk e vute, se perkrahni qelbesirat Dhe e quani moderim kete tuajin?! Filter te bukur keni dhe ju… Apo jeni pergjumesh?

    1. Monumenti i Vetem... says:

      Milo,
      gabohesh rende…
      ose nuk e njeh Shqiperine fare. Po fare fare ama…!

      Moderim per ke, dashke zotrote?!
      Per Njerezit e mire? Per ata qe duan e nderojne Njeriun?!

      Harroji, te gjithe…

      Ka vetem nje Vlere te Gjalle Njerezore: Ismail Kadare!
      ka vetem nje Institucion ne Tirane, Ismail Kadare!
      Ruajme Monumentin e Vetem, Ismail Kadarene…!

      1. tourkofagos says:

        keshtu thoshte edhe nje turk ne Turkye per Erdoganin……..je babai i kombit turk!!!

  9. dalipi says:

    e meritonte Vaso nje kujtim dhe Pellumbi e ka shkruar me sinqeritet.

  10. qirjako tace says:

    Ju faleminderit z. Pellumb

    na mbushe nje boshllek ne zemer me shkrimin Tuaj. Ju lumte dora edhe per kete shkrim kaq domethenes e me kaq ndjesi mirnjohje e respekti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje