Një ditë e vërtetë shqiptare

29 Prill 2014, 19:28Blog TEMA

Nga Skender Minxhozi*

 

E enjtja e ka marrë tashmë famën si dita e debateve. Duke nisur me parlamentin, e duke përfunduar me mediat kryesore, të cilat hapin studiot për politikanë e komentatorë gjithfarësh. Edhe kjo e enjte, si ajo paraardhëse, prodhoi një sasi të frikshme sherri. Syri i ciklonit ka qenë në Kuvend, ku është debatuar për gjithçka: nga droga e Gjadrit tek Inspektoriati i Deklarimit të pasurive, nga reforma territoriale tek situata ekonomike e tek protestat e ardhshme të opozitës. Duket sikur politika shqiptare ka hyrë në një fazë të përndezur, ku më së pari kërkohet dhe konsumohet konflikt. Fryma e muajve të parë të këtij parlamenti, pas zgjedhjeve të fundit, duket e lënë pas shpine një herë e mirë. Tashmë opozita ka iluzione të qarta ringritjeje, kurse pozita po tregon shenja se i ka duart e zëna në batakun e vjetër shqiptar.

Si për ta plotësuar mozaikun e kësaj lufte globale që nisi në Kuvend, mediat mbrëmë hodhën dozën e pritshme të benzinës, në zjarrin e madh politik. Shkresa e Visho Ajazit për ministren Kodheli, përtej kalkulimit të qartë të momentit dhe formës së filtrimit në media, i shton edhe më tej gjasat që debati për trafiqet e drogës të vijojë me tone të larta.

Në fakt mediat janë edhe kontribuesit kryesorë në krijimin e “sindromës së të enjtes”. Duke nisur nga minuta e parë, diku rreth orës 11 të paradites, e deri në orët e mëngjesit të ditës tjetër, rreshtohen që të gjitha në dyert e Kuvendit, për të përcjellë “live” debatet e seancave. Një dukuri edhe kjo shqiptare ekskluzivisht shqiptare, që nuk e gjen në asnjë nga vendet që na rrethojnë. Asnjë batutë s’duhet të shpëtojë, asnjë grimcë ironie, asnjë mesazh i kriptuar, serioz apo banal, asnjë akuzë, qoftë edhe më vulgaret, nuk duhet lënë pa nxjerrë me titra në jgyrë të ndezur, që të kapin për xhakete. Spektakli i politikës shfaq çdo të enjte anën e tij shpesh më të ndyrë, e mediat janë aty, për të përthithur çdo tingull, çdo imazh.

Përtej nevojës për padiskutueshme për transparencë dhe informacion të shpejtë e të balancuar, kjo fushatë në stil të gjerë transmetimesh jo rrallë pa asnjë vlerë, përbën një element reflektimi për sektorin e medias shqiptare, por edhe për politikën e institucionet. Sepse nuk është aspak normale që të gjithë të transmetojnë të njëjtën gjë, në të njëjtën orë dhe në mënyrë integrale.

Në fund të fundit ky nuk është pluralizëm mediatik, por uniformitet i shëmtuar mediatik, i cili ndodh shpesh për shkaqe aspak fisnike, që lidhen me politikat editoriale të pronarëve. “Lidhe pak, se do flas unë tani”, është një frazë që përdoret jo rrallë në segmentin e komunikimit media-politikë, kur është fjala për transmetimet parlamentare. E shëmtuar, por e vërtetë. Kjo simbiozë, bashkë me ethet e shtuara të klasës politike, i japin formë ditës së enjte të çdo jave, duke e bërë atë një ditë të vërtetë shqiptare.

*Revista JAVA

2 komente në “Një ditë e vërtetë shqiptare”

  1. Berti says:

    Po mor shoku Skender, po por ti je njeri prej ketyre zerave te medias qe rri sa ne nje tv ne tjetren e sa ne nje gazete ne tjetren.
    Ti je pjese e kesaj corbe te medias, duke na servirur Rilindjen bashke me shoket e Partise Socialiste. Sic duket nuk te kane rritur rrogen/honorarin dhe po ben kritikun.

    Mjere shqiptaret per kete lloji soji opioninstesh/analistesh/politkologesh/etj/etj qe jane kthyer ne sherbetore te rilindjes. Ju s’keni asnje lloj morali per bere moral shqiptareve.

  2. titi says:

    kur te flasesh per Skenderin, ti o Berto, duhet ta lash gojen mbare e prapsht se Skenderi osht nga me te nderuarit gazetar qe cdo fjale qe thote e shkruan, peshohet me ar. Po ti kush je qe guxon te hedhesh balte mbi te paktet intelektuale qe na kane mbetur? Nga komenti yt del qe je nje zero!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje