Akuza të rreme dhe që kanë bazë thashethemet. Kështu i cilëson ish-Presidenti Alfred Moisiu deklaratat e bëra nga opozita, e cila ka akuzuar përfshirjen e Forcave të Armatosura ose përdorimin e infrastrukturës së tyre në trafikun e drogës. Ish-Kreu i Shtetit në një prononcim për mediat tha se akuzat e artikuluara i ngjajnë me aventurat e Tom Sojerit.
“Më janë dukur si përrallat e Tom Sojerit. Janë thashetheme dhe supozime. Është vërtet për të ardhur keq që ne duam të nxijmë veten tonë patjetër”, tha Moisiu.
Për ish-Presidentin akuza të tilla nuk do të mund të ndikojnë në vendimmarjen e Komisionit Europian për ti dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë, pasi sipas tij, ndërkombëtarët tashmë janë mësuar me stilin e komunikimit të klasës politike shqiptare.
Moisiu theksoi se nëse akuzat do të ishin të vërteta, ndërkombëtarët do ta kishin mësuar përpara nesh, duke qenë se i kanë mjetet e nevojshme për të bërë një gjë të tillë.
“Kam mendimin që aleatët tanë perëndimor e njohin stilin e shqiptarëve që flasim pa shumë baza, ndërkohë që ata kanë mjete për t’i identifikuar para nesh”, tha ai.