Viti sabatik i arsimit të lartë

9 Maj 2014, 19:07Blog TEMA

Nga Dr. Gafur Muka

 

Më së pari dua të them që grupi i emëruar nga Kryeministri për të hartuar draftin për kryerjen e një reforme në arsimin e lartë, ka bërë përpjekje të paqortueshme për të realizuar një produkt me shtrirje të gjerë në dhembnajën që shqetëson arsimin e lartë në vendin tonë. Natyrisht që produkti është kompozuar sipas ideve të këtij grupi dhe nuk ka kuptim që të adresojmë kritika formale për këtë. Në thelb, puna e bërë është edhe voluminoze edhe serioze. Pikërisht pse është e tillë ajo duhet të pranojë edhe shqyrtime, le ta themi sugjeruese, në mënyrë që edhe të plotësohet por edhe të përmirësohet. Sigurisht kjo do të bëhet edhe nga këndvështrime të ndryshme, gjë që padyshim çon në propozime për zgjidhje alternative: diku të pranueshme e diku të kundërshtueshme, diku të qarta e diku jo të qarta, diku me sens e diku pa sens. Përkundër prerjes disi institucionale që ka përzgjedhur Komisioni unë do preferoja një prerje më formalizuese, duke u ndalur veçmas në katër elementë bazikë që përbëjnë arsimin e lartë e, konkretisht, në infrastrukturë, kontigjent, personel e aktivitet. Është e qartë që hapsira e një shkrimi nuk është gjithpërmbledhëse prandaj, paraprakisht, do t’i kërkoj ndjesë si Komisionit ashtu edhe lexuesit të interesuar për kufizime të kuptueshme. Duke patur konsideratën që kur flitet për arsimin e lartë e kërkimin shkencor flitet për një fushë aktiviteti, ku zhvillimet duhet të ruajnë më së paku tendencën e përmirësimit, vlerësoj që puna e bërë nuk ka referencë “vitin zero” por, veçanësinë e një “viti sabatik” ku e ardhmja gjithmonë synohet të jetë më pjellore se e shkuara.

1)    Infrastruktura

Infrastruktura është tërësia e të gjithë elementëve të nevojshëm e të domosdoshëm që sigurojnë zhvillimin e një aktiviteti. Meqë në rastin tonë bëhet fjalë për aktivitet mësimor e kërkimoro-shkencor, kuptohet që infrastruktura ka specifikat e veta që nisin me godinat, koridoret, tabelat informative, ambientet e administratës, ambientet e drejtuesve akademikë, ambientet e personelit (akademik e ndihmës), auditoret, tavolinat, ulëset, dërrasat e zeza, kompjuterat me aksesorët e tyre, video projektorët, laboratorët, biblioteka, ambientet shlodhëse e argëtuese, të banimit etj. Të gjitha këto konfigurojnë atë që quhet ambient universitar. Po të merret në analizë ky ambient, me siguri, ashtu siç e dimë të gjithë, do rezultojë problematik. S’ka asnjë dyshim që në këtë drejtim duhet një reformë e thellë. E vërtetë, që diku këtë ambient e gjen disi më të kompletuar e diku disi më pak por rrallëkund (unë do të thoja askund) në vendin tonë këtë ambient nuk e gjen të plotë. Po të flasim për një dallim, ai në të vërtetë ekziston midis ambienteve që ve në dispozicion, në disa raste, arsimi (i deritanishëm) privat dhe ai që ve në dispozicion arsimi (i deritanishëm) publik. Me dhimbje duhet pohuar që ky i fundit është katandisur në gjendjen për të të ardhur keq. Veçse për këtë nuk është fajtor as personeli i arsimit të lartë publik , aq më pak, kontigjenti i tij. Po si i bëhet hallit për të dalë nga halli. Këtu hyn në lojë financimi. Komisioni i reformës nuk parashikon ndonjë zgjidhje për këtë problem. Ai rekomandon tre lloj grantesh të cilët (shpresohet) ta japin efektin mbi nivelin ekzistues, që prej grupit konsiderohet si niveli i startit të njëjtë, ndërkohë që për arsimin publik nuk është i tillë por është njëlloj si ndërtimi i një godine të re mbi themelet e një godine të vjetër pa kalkuluar aftësinë mbajtëse të themeleve. Zgjidhja e rekomanduar nga Komisioni përshtatet për disa nga institucionet e arsimit të lartë privat pse ata, derimëtani, e kanë ngritur “godinën” nga themelet duke investuar qëllimshëm fort në infrastrukturë. Them qëllimshëm sepse infrastruktura është parë (dhe me të drejtë) si prona e tyre. Sido që të vejë puna prona e ka një pronar. Po arsimi i lartë publik? Pronari shtet nuk i ka bërë investimet e duhura. Në të kundërt, shtimi (i paparë do thonin adoleshentët) i kontigjentit është përballuar pothuajse tërësisht nga infrastruktura e para viteve 90. Gjurmët e përkeqësimit të situatës janë të dukshme për çdokënd që dëshiron t’i shohë. Atëhere kjo skemë financimi kë favorizon? Kuptohet që favorizon ata që ja kanë bërë hyzmetin kësaj dite. Nga leximi i draftit nuk kuptohet çfarë raporti do ketë themeluesi i institucionit me infrastrukturën. Ama, e sigurtë është që nuk do ketë shtetëzime. Prandaj starti i fillimit me statusin e ri të fondacionit është një “shuplakë” e pamerituar për arsimin publik. Pse?! Nisur nga përparësia infrastrukturore, disa nga aktorët e arsimit të deritanishëm privat do kompozojnë fillimisht tarifa për studimet dhe paga për personelin që vërtet mund të jenë interesante duke e vënë në pozitë të vështirë themeluesin shtet, i cili duhet patjetër të merret fillimisht me riparimet në infrastrukturë dhe pastaj të hyjë (le të supozojmë) si i barabartë në vallen e reformës, të cilën po e krijon vetë. Ajo që parashikohet në këto kushte është dorzimi i themeluesit shtet e, për pasojë, dominimi i shpejtë i peisazhit të arsimit të lartë nga themeluesi privat. Nëse kjo perspektivë gjykohet si e dobishme, atëhere le t’i themi po kësaj nisme dhe të presim si do evoluojë humanizmi i themeluesit privat. Ama, përvoja botërore tregon që në kushtet e një niveli të ulët mirëqenie ky humanizëm shfaqet vetëm në formën e përpjekjes për të rritur fitimet, çfarë do të thotë përjashtim nga mundësia e shkollimit e të gjithë atyre që nuk kanë kushte për të përballuar tarifa të larta. Prandaj unë do sugjeroja përfshirjen në draft të një faze financimi që mund të quhej “faza e unifikimit të infrastrukturës” në të cilën të financohej vetëm arsimi i lartë shtetëror. Pas realizmit të kësaj faze mbase do të kishte sens të fillonte “viti sabatik” për njësimin e statusit edhe pse unë mbetem skeptik për jetëgjatësinë e themeluesit shtet përballë themeluesit privat.

2)    Kontigjenti

Nga drafti që na është vënë në dispozicion rezulton që cilësinë në arsimin e lartë e ka dëmtuar dukshëm rritja numerike e kontigjentit. Nuk ke se si të mos pajtohesh me këtë konkluzion duke patur parasysh edhe mungesën e investimeve në infrastrukturë. Imagjinoni që në një auditor, të mjaftueshëm për 50 studentë, të planifikohen për të ndjekur leksionin mbi 100 studentë. Fakti që arsimi i lartë publik e ka pranuar këtë Ububu lidhet me nënshtrimin e ligjshëm ndaj dëshirës së pronarit shtet. Po pronari shtet a ka gabuar me këtë strategji? Autorët e draftit lenë të kuptohet që po. Në fakt objektivi për të rritur numrin e të arsimuarve me shkollë të lartë është për t’u përshëndetur. Por jo deri aty ku rezultati bëhet “shumë e për lumë”. Aktualisht ky “lumë” ka mjaft “juristë”, “ekonomistë”, “psikologë”, “sociologë”, “mësues” madje dhe “inxhinierë” që popullojnë profesionet e kamarierit, shitësit, recepsionistit, guzhinierit apo thjesht klientit të kafeneve. Të vjen keq pasi këta të rinj mund të ishin profesionistë të zot në profesionet e përmendura e plot të tjera si muratorë, hidraulike, elektriçistë, etj. Natyrisht këtë dyndje e ka favorizuar jo vetëm dëshira populiste për tu bërë të gjithë me shkollë të lartë por edhe klientelizmi politik i administratës dhe strukturat e pakonsoliduara të ekonomisë private. Në këtë kuadër detyra e reformës në arsimin e lartë është ta dekurajojë pozitivisht këtë dyndje që do të thotë: jo privimi i së drejtës për të ndjekur arsimin e lartë por, arsimimi në përputhje me aftësitë dhe, mundësisht ,në përputhje me tregun e punës. Po të pritet derisa politika ta kuptojë mirëfilli domosdoshmërinë e eficencës së administratës apo derisa konkurenca e ndershme në ekonominë private t’i hapë rrugë profesionalistit të vërtetë duhet të rrjedhë shumë ujë. Mbase globalizimi i shpejtë që sjell integrimi do diktojë domosdoshmëri partneriteti në nivelin e dijeve. Veçse ne rrezikohemi që kjo periudhë të na gjejë të papërgatitur dhe pastaj do habitemi pa masë kur të shohim që vendet tona të punës do t’i zënë të huajt. E pra, për të mos arritur këtu duhet lëvizur në dy drejtime. Drejtimi i parë është imtësimi i filtrave përzgjedhës për arsimin e lartë universitar dhe drejtimi i dytë është profesionalizimi në rritje i arsimit pranëuniversitar pra, fuqizmi i arsimit të lartë profesional. Për të mos patur humbje në cilësi kërkohet edhe një reformë e thellë në arsimin parauniversitar. Unë e kuptoj që është e lehtë t’i formulosh teorikisht këto nevoja aq sa ç’është e vështirë të realizosh fillesa të mbara në to. Sidoqoftë rritja e mesatares së pranimit të studentëve, propozuar nga Komisioni i reformës, nuk më duket zgjidhja e duhur, pasi përvoja e deritanishme ka treguar që fiktiviteti i mesatares është më i lartë se dy, madje tri nota. Nuk e di nëse Komisioni ka bërë ndonjë përpunim të dhënash për kufirin e vendosur por, në draftin e paraqitur nuk thuhet asnjë fjalë për këtë.

Një tjetër masë dekurajimi është rritja e kontrolluar e tarifës së studimit. Këtu futemi në një terren të panjohur pasi nuk e dimë se cila do të jetë vërtet ajo tarifë që do t’i bëjë funksionale institucionet e ardhshme jo fitimprurëse. Nëse rritja nuk do jetë e madhe (pra do të jetë e përballueshme nga kontigjenti) do të duhet që studimi të subvencionohet nga institucionet jofitimprurëse. Kjo duket nonsens sidomos në kushtet kur nevoiten financime të mëdha psh në infrastrukturë. Flitet për kredidhënje. Duket sikur qeveria do të ketë çelsin e kasafortave të bankave dhe harrohet që bankat e kanë shumë të shtërnguar politikën e kredidhënjes. Më së pari bankat do kërkojnë siguri tek integriteti i dijeve të individit e jo tek dorëzania e shtetit. Ky filtër do përzgjedhë një numër relativisht të vogël aplikantësh. Më tej ato do t’i referohen tregut të punës. Por tregu i punës, jo vetëm tek ne por, sidomos tek ne, është krejt i pakalkulueshëm. Ecet me ndjesinë që studentët do t’ia venë gishtin kokës kur të zgjedhin drejtimin e studimit. Një ndjesi e bukur por, për fat të keq, jo reale pasi ekonomia jonë e ka barrë shumë të rëndë papunësinë. Dhe mundësia për të hyrë në kategorinë e të papunëve është më e madhe se për të marrë një vend pune.

Për të mos thënë pastaj se sjelljen bankare e përcakton edhe njohja e mentalitetit të kredimarrësve që mendojnë se kredia edhe mund të falet, aq më shumë kur si dorëzanë kanë shtetin. Nuk duhet të harrojmë që jetojmë në një vend ku shteti akoma vlerësohet si “zot shtëpie” dhe duhet të marrë përsipër gjithshka. Bankat i njohin mirë fuqitë e shtetit por edhe shteti duhet ti njohë mirë mundësitë dhe fuqitë e veta. Ta premtosh kredinë është gjë e bukur, ta shlyesh kredinë është hall i madh.

Një shpresë lehtësimi, siç e thamë, mund të vijë nga zhvillimi i arsimit të lartë profesional pranëuniversitar sidoqë kjo shpresë lidhet me faktorë investimi ekstra të patrajtuar në draftin e paraqitur si dhe me një përvojë me fillesa aspak inkurajuese. Atëhere çfarë? Unë do sugjeroja një ritestim të kontigjentit nga institucioni pranues i arsimit të lartë. Ritestimi mund të paraprihej nga një periudhë përgatitore (dy ose tre mujore) në disiplinat bazike sipas specifikave të diplomave të institucionit. Shpenzimet për të duhet të përballohen nga pjesëmarrsit dhe gjithsesi pa kredi. Jo për t’i penalizuar ata, por për t’i bërë që t’i venë gishtin kokës para zgjedhjes: të shpenzojmë atje ku ka pak ose aspak shanse t’ia dalim apo të drejtohemi atje ku vërtet marrim një profesion që na bën shpejt me rrogë? Mendoj që në këtë zgjedhje një pjesë mjaft e mirë e kontigjentit do heqë dorë nga tangërllëku për të treguar diplomën e pavlerë në favor të dinjitetit për të treguar paranë e fituar me punë. Nuk është e thënë që kjo barierë të vendoset gjithkund e para çdo diplome. As të paraqitet si gogol. Thjesht të ketë rolin e navigatorit inteligjent që të navigojë drejt së dobishmes.

3)    Personeli

Në të gjitha rrethanat personeli akademik i arsimit të lartë është personel i kualifikuar. Detyrimi për të zhvilluar mësim në universitete lidhet me njohuri të çertefikuara. Nëse ka një vend pune ku paaftësia ekspozohet si struci është mësimdhënja në universitet. Studentët, edhe falë moshës, e kanë mjaft të zhvilluar shqisën për ta vlerësuar aftësinë e pedagogut. Nuk është rastësi fakti që edhe në statistikat botërore rrallë gjen pedagogë që shkarkohen për paaftësi. Edhe drafti i propozuar nuk ve pikëpyetje mbi aftësinë e pedagogëve. Meraku qëndron tek kualifikimi i vazhdueshëm i tyre si dhe, për kushtet e vendit tonë, tek dypunësimi. Sa i përket komponentes kualifikim (gradë shkencore, titull akademik) vlerësoj se kohët e fundit janë shfaqur simptomat e të notuarit në ujëra të cekta. Lidhja e pagës me gradën përkatësisht titullin, jo vetëm në universitete por edhe në administratë (mundësisht edhe në ekonominë private) ka çuar në relativizimin e vështirsive në fitimin e tyre. Ka rrezik që këta “doktorët” e administratës të konkurojnë dhe të zenë vendet e punës si pedagogë universiteti. Unë kam bindjen që këtij lakrori do t’i zbulohen shpejt petët, veçse kjo nuk do kalojë pa pasoja për arsimin e lartë. Sidoqoftë pronarët alias themeluesit, nën presionin e studentëve, nuk do shkojnë larg nëse do manifestojnë prirje të tilla. Kontribut në këtë drejtim shpresoj të kenë edhe ata që kanë studiuar apo kualifikohen jashtë vendit.

Sa i përket komponentes dypunësim unë hamendësoj që lepuri fle tek interesi i themeluesit privat. Me përparësitë në infrastrukturë dhe me statusin të njësuar me arsimin e lartë publik ai është në gjendje të përballojë fillimisht tarifa interesante studimesh si dhe të ofrojë paga po ashtu interesante për personelin. Në rrafshin psikologjik të jetëgjatësisë ai fiton kredibilitetin e arsimit publik. E pra, oferta e tij për personelin që tashmë është në arsimin publik do të jetë fort tunduese për këtë të fundit. Ai nuk do hezitojë tashmë ta lerë vendin e punës në universitetin publik dhe të punësohet me kohë të plotë tek punëdhënësi (derimëtani) privat. Pra, unë hamendësoj, që në kushtet e zbatimit të reformës, themeluesi shtet nuk do jetë në gjendje të bëhet më interesant se sa konkurenti i tij privat për personelin. Nëse kjo gjykohet si konkurencë e ndershme ahere mirë: na qoftë rruga e mbarë. Viti “sabatik” për themeluesin privat bëhet viti i fillimit të dominimit mbi themeluesin shtet.

4)    Aktiviteti

Edhe në draftin e reformës ekspozohen masa për dy drejtimet bazë: mësimdhënjen dhe kërkimin shkencor. Diskutimet për rritjen e cilësisë në këto dy drejtime kanë qenë e mbeten jetike për aktivitetin e shkollës së lartë. Ndërsa cilësia në mësimdhënje lidhet me përgaditjen shkencore e pedagogjike të pedagogëve që reflektohet përveçse në komunikimin me studentët edhe në kurikula të kopsitura e syllabuse konkuruese, cilësia e kërkimit shkencor, duke qenë veprimtari sintezë e jep efektin në nivel modelesh, me veçori të identifikuara kryesisht si “tjetërsoj” dhe prirjen për t’i përdorur me bindjen që rezultatet do jenë më të mira. Kudo, personeli akademik i universiteteve, është target i besimit të financimeve që bëhen për kërkimin shkencor. Dhe kudo atyre u krijohen kushte që të angazhohen për t’a mbajtur e justifikuar peshën e rëndë të këtij besimi. Pra mbështetja (edhe financiare) e punonjësve akademikë për t’u marrë me kërkimin shkencor nuk është ndonjë privilegj, pasi përvoja ka treguar se për këtë “sakrificë” të shoqërisë shpërblimi për të ka qenë i pamatshëm. Por le të kthehemi në terrenin tonë. Kërkimi shkencor ka qenë dhe mbetet më pak i mbështeturi. Edhe shifrat e cituara në draftin e paraqitur e kanë “gojën” ta tregojnë këtë. Ata kanë “gojën” të tregojnë edhe që këto financime janë konsideruar si privilegj (jo në sensin e vlerës por të shpërndarjes). Duke e ditur se përsëri në të ardhmen këto do të jenë “ujë i pakët” shtrohet pyetja e do të mbeten përsëri privilegj? Drafti nuk jep përgjigje për këtë.

Unë mendoj që në kushtet e reformës duhet, në rradhë të parë, që të gjithë pedagogëve të universiteteve t’u sigurohet akses tek financimet për kërkimin shkencor. Kjo duket e pamundur pasi kundrejt një numri relativisht të madh të personelit akademik qëndron një sasi e vogël mjetesh financiare. Dhe po të zbatohet parimi “të hanë të gjithë” është e sigurtë që të gjithë do mbeten pa u ngopur. Për t’a zgjidhur me sa më pak dhembje këtë ngërç do sugjeroja jo vetëm theksimin por edhe përdorimin në masë të gjerë të vitit sabatik. Do të ishte me vend që për të gjithë personelin të kishte një vit të shtatë (sabatik) ku ai jo vetëm t’i përkushtohej shkencës por edhe të financohej për të bërë shkencë. Përkushtimi për shkencën do verifikohej nga hartimi, prezantimi dhe mbrojtja e një projekti shkencor. Koha për ta bërë këtë do përfshinte një periudhë shtatë vjeçare gjatë së cilës aplikanti do ta krijonte ambientin për të finalizuar një projekt cilësor. Formulimi i plotë, mbrojtja në seksion, departament, fakultet si dhe para një komisioni psh nga QKKSH-ja do të ishin faza verifikimi e inkurajimi që do çonin në një vendimmarrje të argumentuar. Askush nuk duhet të përjashtohet nga domosdoshmëria e hartimit dhe paraqitjes së këtyre projekteve. Askush nuk duhet të përjashtohet edhe nga disponueshmëria e fondit. Miratimi i financimit për projektin mund të vihej si kriter kualifikimi si për asistentin ashtu edhe për profesorin. Kjo do të ishte një shtysë e fortë për angazhimin e gjithë potencialit kërkues dhe një dalje elegante nga mentaliteti se me marrjen e titullit profesor aktiviteti shkencor bëhet formal dhe pa dobi praktike në drejtim të karierës akademike. Mosmiratimi i argumentuar i këtij financimi duhet të çojë në penalizime, natyrisht jo drastike, pasi aplikanti gjithsesi ka zhvilluar aktivitet mësimdhënës dhe po ashtu e ka shpërfaqur profilin e tij gjatë gjithë punës për hartimin dhe mbrojtjen e projektit.

7 komente në “Viti sabatik i arsimit të lartë”

  1. majakovski says:

    Si gjithnje e lexova me kureshtje dhe ngadale shkrimin tuaj I nderuar Dr.Gafur Muka.Ke vene theksin tek gjerat qe me te vertete I konstatojme cdo dite por qe I ke formuluar si konkluzione.Prandaj ju falenderoj dhe besoj personat pergjegjes duhet te referohen dhe psqyrojne problemet qe ju ngrini.

  2. Xhema nga Tirana says:

    Nuk jam person i fushës akademike apo mësimdhënies por mendimet dhe sugjerimet T’uaja m’u dukën me shumë vlerë. Mendoj që ai Komision shtetëror për arsimin duhet t’ju thërrasë zyrtarisht për të “vjelur” saktë sugjerimet e Juaja; sa të drejta po aq edhe pragmatiste.

  3. TV says:

    Nje veshtrim i sakte dhe me shume kompetence. Nese ndodhin keto gjera, edhe drafti behet me i kuptueshem per kushtet e Shqiperise. E vetmja gje qe mendoj se na dhemb te gjitheve eshte ne lidhje me fatin e ketyre kontigjenteve qe ja dolen te jene me diplome deri tani, cfare do te bejme me ta?

  4. rizai says:

    Mendime shume te vlefshme dhe te thena shume bukur.
    Mendoj se thelbi i ceshtjes eshte kundershtimi i fuqishem qe i behet dhe duhet ti behet perfshirjes se universiteteve private ne skemen e financimit nepermjet perfshirjes se tyre ne universitete publike.Eshte nje perceptim masiv tashme se reforma po behet qe te ndihmohen universitetet private nepermjet perfshirjes se tyre ne financim nga shteti. Kjo gje do te paragjykoje edhe masat e tjera te dobishme qe propozohen ne draftin e grupit te punes per reformen ne arsimin e larte dhe nuk do te kene mbeshtetje. Prandaj duhet perjashtuar perfshirja e universiteteve private ne skemen e financimit nga shteti.

  5. Ana says:

    Jam shume dakord me shkrimin. Jam pedagoge ne UT prej 13 vjetesh dhe keto probleme I prekim cdo dite. Mua propozimet me duken teorike dhe me thene te drejten shume utopike, te pakten per rezutatet e pritshme ne sektorin publik. Dhe sipas analizes se profesorit shume favotizuese per sistemin privat. Mendoj qe para miratimit te diskutohen mire me gjithe personelin akademik dhe grupet e interesit, sidomos ne sistemin publik

  6. kaurri says:

    Viti sabatik nise ne vjeshte te ketij viti.

  7. Profesor, je ne rregull... says:

    Profesor Gafur Muka gjithnje ka qene serioz,
    edhe kur i eshte qasur ndonjehere politikes, mbeti serioz…

    Por politikanet e gazetaret nuk bejne shkence, nuk ka si te jene
    e as te mbeten serioze,

    dhe se si tingellon kur dikush vazhdon ose rifillon tu besoje
    nga e para…

    Edhe me Hysenin kete po flisnim ca dite me pare: Mire e ka profesori
    por …!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje