Real Vajadolidi të mërkurën në mbrëmje shkaktoi bujë të madhe, duke ndaluar me barazim 1-1 kundër Real Madridit. Me këtë barazim ekipi i Ançelotit zvogëloi dukshëm gjasat që të fitojë titullin në Spanjë, ndërsa Vajadolidi bëri një hap të rëndësishëm në garën për ekzistencë. Por, në këtë rezultat të madh për Vajadolidin kontribut nuk dha mesfushori shqiptar i kësaj skuadre, Valdet Rama. 26- vjeçari nuk ishte as në stol. Rama ka mbi një muaj që nuk po luan për Vajadolidin dhe ka shprehur dëshirën që në merkaton e verës të largohet nga kjo skuadër. Futbollisti nga Mitrovica ka edhe një vit kontratë me Vajadolidin, por vlerëson se meriton të luajë më shumë nga sa është duke luajtur aktualisht. Ai është futbollisti i vetëm shqiptar në La Ligan spanjolle, ndërsa këtë edicion ka regjistruar 26 paraqitje dhe ka shënuar një gol. Për Ramën, që luan në krah, interesim po shprehin skuadra nga ligat e forta europiane.
“Kam edhe një vit kontratë, ndërsa jam në kontakt të vazhdueshëm me agjentin. Ka skuadra që po shprehin interesim, por varet nga disa faktorë nëse do të rri apo do të largohem. Në të ardhmen time mund të ketë ndikim edhe fakti se a do të mbesim në ligë apo jo. Personalisht kam dëshirë që të largohem. Ka ekipe që kanë pyetur për mua, por fjalën e fundit e ka klubi, – ka thënë Valdet Rama të premten për ‘Kohën Ditore’. – Kam dëshirë të kaloj te ndonjë klub ku luaj më shumë. Mendoj se e meritoj të luaj më shumë, prandaj edhe është dëshira ime që të largohem. Mirëpo, edhe nëse mbetem te Vajadolidi do të jem i kënaqur, pasi më pëlqen liga spanjolle dhe jam zhvilluar këtu si lojtar”.
Rama në janar të vitit 2013 kaloi te Vajadolidi. Deri në fund të vitit 2012 ishte pjesë e Orebros në Suedi. Më herët karrierë kishte bërë edhe në Gjermani te skuadra si e Hanoverit dhe Ingolstadit. Kalimi te Vajadolidi ishte vlerësuar si hap i rëndësishëm në karrierën e Ramës. Në pranverë të edicionit të kaluar pati vetëm pesë paraqitje, por që mjaftuan të siguronte kontratë edhe për dy vite te Vajadolidi. Ai së fundi luajti më 27 mars kundër Real Sociedadit. Në gjashtë ndeshjet e fundit nuk është aktivizuar fare.
Në këtë fazë nuk guxoj të flas me klube të interesuara, pasi jam nën kontratë. Na presin edhe dy ndeshje të rëndësishme dhe më pas e kam më të lehtë që të flas edhe me drejtuesit e Vajadolidit. Nuk kam pasur fat kohët e fundit. Para një muaji kisha një grip. Tani pata një problem në gju dhe humba disa stërvitje. Kam pasur disa dëmtime të vogla që më kanë penguar të jem në 100 për qind në formë. Aktualisht jam mirë, por i takon trajnerit të vendosë se kush do të luajë. E rëndësishme tani është të sigurojmë ekzistencën dhe jo kush luan”, – ka theksuar Rama.