Kush t’i besojë më Thaçit

12 Maj 2014, 20:57Blog TEMA

Nga Agron Bajrami

 

Javë të tëra para shpërbërjes tragjikomike të Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes së paralajmëruar të zgjedhjeve të parakohshme për 8 qershor nga presidentja e vendit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka hyrë garës zgjedhore me energji dhe entuziazëm, duke kërkuar që votuesit t’i japin edhe një mandat qeverisës, të tretin me radhë, pas shtatë viteve sa ka udhëhequr ekzekutivin e vendit.

Në këtë fushatë të tij, Thaçi e ka tejkaluar edhe veten, duke premtuar miliarda euro në shkëmbim të votës së qytetarëve, rritje të përvitshme të pagave për shërbyesit civilë, mësuesit e punëtorët mjekësorë, subvencione milionëshe për bujqit, vende pune për të gjithë të tjerët, shkollim pa pagesë, investime pa kufi…

Kështu, Hashim Thaçi i fushatës zgjedhore po ofrohet si një lloj alternative e Hashim Thaçit të shtatë viteve të kaluara në pushtet. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse fushata është ndërtuar qëllimisht për të përçuar mesazhin e distancimit të Thaçit nga qeverisja e tij shtatëvjeçare.

Natyrisht, vetë Thaçi dhe ekipi i tij nuk do ta pranojnë këtë publikisht, por në radhët e tyre tashmë është e qartë se realiteti brenda të cilit ata kërkojnë votën edhe për një mandat është shumë negativisht i pozicionuar ndaj qeverisjes së deritanishme, të cilën një pjesë e madhe e popullatës tashmë e shohin si periudhë e skandaleve, korrupsionit, kompromiseve politike, stagnimit ekonomik, rritjes së pasigurisë sociale, thellimit të hendekut mes njeriut të rëndomtë në njërën anë, dhe njeriut në pushtet, politikë e biznes, në anën tjetër!

Andaj, nuk është për t’u çuditur se në më shumë se një mënyrë, kryeministri i Kosovës, dhe kryetar i PDK-së, para votuesve të vendit ka kohë që po merr pozën e një opozitari të sertë, i cili premton ndryshime dramatike nëse fiton pushtetin.

 

Por, para se të shkojmë drejt së ardhmes, pyetja për të cilën njerëzit kërkojnë përgjigje sot është: kush është përgjegjës për këtë situatë të cilën tani të gjithë duam ta ndryshojmë?

Dhe kush është përgjegjës për nivelin e lartë të korrupsionit, që prej Kosovës ka krijuar një shoqëri të ndarë, ku një grusht njerëzish në pushtet dhe afër tij, gëzojnë pjesën dërrmuese të të mirave shoqërore, derisa të tjerët vuajnë pasojat e keqpërdorimit të parasë publike.

Kush është përgjegjës për sistemin e klientelizmit dhe nepotizmit, që ndërmarrjet publike dhe administratën shtetërore i ka shndërruar në klube partiake e farefisnore, ku kriteri i vetëm që nuk merret parasysh në punësim është aftësia profesionale?

Kush është përgjegjës për dështimin e sistemit të drejtësisë, i cili, së fundi, solli deri tek miratimi skandaloz i krijimit të një Gjykate Speciale për Kosovën, për akomodimin e së cilës kushdo që do t’i fitojë votat dhe të ulet në Kuvendin e ardhshëm do të duhet të miratojë ndryshime kushtetuese dhe ligjore.

Kush është përgjegjës për rihapjen e bisedimeve me Serbinë, koncesionet e reja që janë bërë dhe do bëhen në veri, dështimin e sigurimit të integritetit dhe sovranitetit të plotë të vendit, në çdo metër nga 10.887 kilometrat katrorë sa ka zyrtarisht Kosova?

Kush është përgjegjës për dështimin e sistemit arsimor që prodhon njerëz të padijshëm dhe glorifikon plagjiatorët e falsifikatorët?

Kush është përgjegjës për nivelin e papunësisë që nuk është zbutur me vite të tëra, përfshirë këto shtatë vitet e fundit të qeverisjes Thaçi?

Kush është përgjegjës për ekonominë pa kurrfarë vizioni, e cila Kosovën e mban në fund të listës së vendeve ku investohet, ku prodhohet, ku ka rritje të qëndrueshme ekonomike?

Kush është përgjegjës që situatën në shëndetësi, shërbime publike, energjetikë, infrastrukturë, kulturë, sport e tregti, nëse jo kreu jo vendit?

Natyrisht, nuk është vetëm një njeri përgjegjës për të gjitha, por ai njeriu në majë të pushtetit, siç ka qenë tash e shtatë vite kryeministri Thaçi, është kryepërgjegjësi për dështimet sistemore e politike të Kosovës, dhe si i tillë, sot, para se të kërkojë votën, do të duhej të përballej me këtë realitet që e rrethon atë dhe neve.

Pra, pyetja që shtrohet para qytetarëve, por edhe para vetë Thaçit, është: A mund të ndryshojë Kosova pa u ndërruar edhe pushteti?

Ndoshta shembulli nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, tregon qartë se si e konceptojnë ndryshimin e kërkuar votuesit kosovarë: në shumicën e komunave pushtetet janë ndërruar!

 

Sigurisht, në fushatën e vet, Thaçi nuk përmend fjalën ndryshim. Ai tani flet për një Mision të ri!

Por çka ndodhi me Misionin e Vjetër? çka ndodhi me premtimet e para katër viteve? Po me ato të para shtatë viteve?

Siç mund të lexoni në temën e kësaj jave, në këtë gazetë, pjesa dërrmuese e premtimeve të kaluara të Thaçit nuk është përmbushur, ndërsa edhe ato që janë përmbushur, janë përmbushur me kosto të ngritura dhe vonesa të mëdha.

Dhe, me këtë histori premtimesh të papërmbushura dhe besimit të tradhtuar, kush mbetet për t’i besuar Thaçit se do t’i përmbushë premtimet që jep sot?

Sigurisht, nuk është se të gjithë kanë vuajtur në sistemin e kësaj Qeverie, dhe tani të gjithë edhe do t’ia kthejnë shpinën. Jo. Një numër njerëzish ka përfituar nga kjo qeveri, qoftë përmes afërsisë politike me partitë në pushtet, qoftë përmes punëve në hije që u kanë krijuar qasje në përfitime nga buxheti shtetëror. Dhe këta, nuk kanë pse besojnë në premtimet zgjedhore. Këta, në fakt, shpresojnë që të mos ketë fare ndryshime.

Por, pjesa tjetër, ajo që do të mund të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve (nëse votimi dhe numërimi do të jenë të rregullt), nuk e ka asnjë arsye për t’i besuar më kryeministrit aktual.

Sepse, kredibiliteti i një politikani, sikur edhe i çdo njeriu, çfarëdo pune që bën, është fjala që jep.

Në rastin e fjalëve që sot jep Thaçi, argumenti kryesor që konteston kredibilitetin dhe besueshmërinë është vetë ai, me punën e keqe që ka bërë në shtatë vitet e fundit.

*KOHA DITORE

3 komente në “Kush t’i besojë më Thaçit”

  1. Drenicak says:

    Agron me te shkrujt ne Koha net nuk i publikoni komentet.
    Kosova nuk eshte e Hashimit nuk qendrojn ato qfar thu,pse ti nuk i permend sukseset pse ti shef veq zi apo ndodhta je qorru.
    Po kush qe ai qe e shpalli kosoven shtet po kush e futi kosoven konkretisht veriun nen administrimin dogsnor te kosoves kush ndertoi magjistrale po kush i ndertoi te gjitha shkollat ne kosove .
    Thuhet qe qeni ku han edhe leh pra ti han te vetoni dhe prandaj je idetyrum me leh.
    Une nuk jetoi ne kosove dhe nuk lehi per kerkan e as qe pjerdhi per askend ne ks.

    1. Ilir Hoti says:

      Eshte normale qe jo te gjithe ti besojne Z. Thci…Por Agron Bajrami mendon se ‘askush’ nuk duhet ti besoj !!! Pra cdo njeri duhet te mendoj si Agron Trimi!!!!Nuk e kuptoj ku e marrin frymezimin e guximin keta persona te shfaqin ‘opinione’ thellesisht jo demokratike..duke quajtur palen tjeter gati’armike’!!.Ne qoftese Agroni me shoke nuk do votoje PDK-ne eshte normale qofte edhe si vote per ‘qevesisje ma te mire’ Te hedhesh balte mbi perfaqesuesit e UCK-se eshte propogande anti-shqiptare..Por vota kundra per nje qeverisje ma te mire(sipas bindjeve personale) do te ishte normale

  2. Albanezi says:

    Po te kishe shkruar dicka ndryshe do te isha i befasuar.
    Ti je nje bir i nje UDB-shi kriminel dhe bir nj komunisti te ndyr.
    Cfar do priste ndonje lexues dicka me vlere nga ti.
    Shporrru ne boten tende te erret antishqipetare aty ku je dhe e ke vendin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje