Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka dhënë një intervistë për emisioni “7 pa 5”, në televizionin Vizion Plus.
Meta iu është përgjigjur një sërë pyetjeve të cilat kishit të bënin me reformat në sistemin e drejtësisë, reformën territorialo-administrative, qëndrimin e opozitës dhe stinën e saj të protestave, raportin e shumicës së sotme qeverisëse me institucionin e Presidentit të Republikës, një parashikim për vendimin evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë dhe çështje të tjera.
Çfarë mendoni për marrjen e statusit kandidat për t’u anëtarësuar në BE? Si e vlerësoni punën e qeverisë shqiptare në këto 8 muaj?
Shqipëria duhet ta kishte marrë statusin që në muajin dhjetor. Nuk u mor sipas vlerësimit tim për arsye politike, pra të mënyrës sesi realizohet vendimmarrja në Këshillin e Ministrave të BE-së, por absolutisht që Shqipëria duhet ta kishte marrë që në dhjetor, sepse me realizimin e tre kushteve të njohura përpara zgjedhjeve dhe me vlerësimin pozitiv që morën zgjedhjet e përgjithshme, “kalvari” i plotësimit nga ana e Shqipërisë të 12 prioriteteve apo rekomandimeve ishte përmbushur. Ndërkohë që në muajin dhjetor Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, të prekshëm, që shpresojmë të vlerësohet përsëri edhe nga Komisioni Evropian dhe të ketë mundësi të vlerësohet nga të gjitha vendet anëtare.
A mendoni se protesta e fundit të opozitës do të japë ndikimin e BE-së për dhënien e statusit kandidat të Shqipërisë në qershor?
Mua më vjen keq që lidershipi i PD-së kërkon të prodhojë tensione artificiale, të cilat nuk kanë një bazë reale. Duhet të keni parasysh që Shqipëria prej kohësh ka qenë një vend prodhues dhe transit i kanabisit. Dihet gjithashtu që një fshat me tradita mjaft pozitive, por për fat të keq edhe në ndikimin e demokratëve u bë një identifikues i këtij fenomeni në Shqipëri. Ajo që është më absurdja, protesta kundër drogës bëhet duke patur në plan të parë dhe në vijën e parë të protestës kryetarin demokrat të komunës së Lazaratit. E përmenda këtë, sepse edhe për atë kam konsideratë si individ. E përmenda këtë për të treguar që është një vepër politike, që nuk ndihmon vendin, që kthehet në një kosto për vendin, kthehet edhe në një kosto edhe për vetë PD-në. Le të marrim rastin tjetër të kërkesës së PD-së për të krijuar një komision hetimor parlamentar të dytë për akuzat për çështjen e drogës. Ndërkohë që një komision i tillë ishte krijuar edhe më parë, ku opozita kishte konfirmuar pjesëmarrjen e saj. Kjo ndodh kur pikërisht për fat të mirë kemi dy të ndaluar, pilotin italian dhe bashkëpunëtorin shqiptar, të cilët janë tashmë nën hetim nga ana e Prokurorisë. Ka shumë zhurmë për të dëmtuar imazhin e vendit, jo se bëhet me këtë qëllim që të dëmtohet imazhi i vendit, por mendohet që në këtë mënyrë të dëmtohet qeveria.
Në mes të kësaj zhurme të madhe, sidomos në Parlamentin e Shqipërisë, ju i keni lënë hapësirë të madhe opozitës, sidomos ish-kryeministrit Berisha i cili mund të flasë pa fund. Është kjo një lloj taktike nga ana juaj apo ka të bëjë me një marrëdhënie e dikurshme me z. Berisha?
Nuk është një çështje sentimentesh, por është një filozofi, që në tërësi edhe mazhoranca e ka për një sjellje ndryshe në raport me opozitën. Kur kam marrë detyrën e Kryetarit të Kuvendit kam vendosur që të jem ekstremisht i duruar. Opozita ka të drejtën e fjalës, ka kontrollin parlamentar. Këto janë instrumente kryesore me të cilët ajo operon dhe sigurisht që rregullorja është bërë për të mbrojtur të drejtat e opozitës, nga synimi i arbitraritetit të mazhorancës. Unë nuk kam ndërmend të sillem në mënyrë arrogante. Shpresoj që edhe opozita të mos e shpërdorojë këtë hapësirë, sepse njerëzit janë mjaft të lodhur nga akuzat, kundërakuzat. Ata kërkojnë zgjidhje, propozime, reflektim kur flasin kundër kanabisit, por më parë duhet të bëjnë një autokritikë të fortë dhe të fuqishme.
A ka një sasi të mbjellë?
Patjetër që është mbjellë. Unë jo më kot e përmenda faktin që në krye të protestës qëndronte kryetari i komunës së Lazaratit. Jo për të demonizuar as fshatin e nderuar të Lazaratit, as kryetarin komunës, por për të treguar që kemi të bëjmë me një lojë politike. Nuk është se kemi të bëjmë me një distancim të qartë, të plotë, të prerë të kësaj force politike nga ky fenomen. Në rast se policia do të ndërhynte në Lazarat dhe do të kishte disa probleme, atëherë do të flitej për të drejtat e njeriut që u dhunuan nga qeveria, etj. Epitete që nuk i mungojnë pafund doktorit, ju e dini.
A ka një lloj të drejte apo justifikim opozita në rastin e avionit me drogë kur deklaronte që në zona të caktuara në territorin e Shqipërisë, bëhet transport nga ajri i drogës?
Opozita ka të drejtë të thotë çfarë dëshiron. Problemi është cili është qëllimi i opozitës. Këtë besoj se qytetarët e dallojnë qartë. Qëllimi është që në rast se ajo ka informacione që disa avionë janë ulur këtu apo janë ulur atje, të identifikohen, të ndalohen trafikantët, qofshin këta njerëz me pushtet, pa pushtet, të ndëshkohen apo jo. Mendoj se opozita edhe për shkak të rrethanave që kanë krijuar shumë institucione në Shqipëri, në rast se e ka këtë vullnet, këtë mundësi, duhet të japë një kontribut shumë më konkret. Ndonjëherë zhurma edhe mund të ndihmojë trafikantët dhe jo që t’i ndëshkojë ata. Ju e dini që opozita e ka të gjithë aksesin për të komunikuar jo vetëm me qeverinë, por po e përjashtoj qeverinë për arsye të karakterit politik, por me Presidentin e Republikës dhe me drejtues të tjerë të institucioneve të Shërbimit Informativ apo të Prokurorisë që janë institucione jo vetëm të pavarura, por janë edhe institucione përfaqësuesit e të cilëve kanë gëzuar besimin e mazhorancës së dikurshme, pra të opozitës së sotme. Në rast se bëhet fjalë për të ndëshkuar një fenomen, në rast se kërkojnë thjesht të bëjnë zhurmë, në bazë të një historie, në bazë të një legjende, kjo është diçka tjetër. Në rast se kjo gjë është bërë në të kaluarën dhe nuk bëhet më, ose në rast se janë shkëputur lidhjet midis atyre që bënë në të kaluarën dhe trafikantëve, dhe sot ka ndonjë shqetësim se mos dikush tjetër është lidhur dhe po bëhet kjo zhurmë, atëherë përsëri këtu ngelet mjaft për të hamendësuar. Pra, kush është qëllimi i opozitës?! Do ta luftojë?
Asnjë nga përfaqësuesit e opozitës në fakt nuk ka shkuar në prokurori?
Asnjë prej tyre as nuk ka shkuar, por ka bërë diçka duke thënë që jo ne pse duhet të shkojmë në Prokurori, ne kemi Parlamentin. Dhe kush është problemi kryesor tani i Shqipërisë? Është që politika bën gjyqësorin dhe i bën në sallën e Parlamentit dhe në komisione dhe nëpër media, ndërsa një pjesë e gjyqësorit ndërkohë merret me politikë. Ky është problemi.
Qeveria ka marrë një mbështetje të madhe dje. Ambasadorët kryesorë të vendeve më të mëdha partnere janë rreshtuar krah Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në atë demonstrim djegie droge. Ju çfarë note i jepni qeverisë në këto 8 muaj?
Një gabim tjetër i madh që bën opozita e sotme dhe që nuk është e para opozitë që e bën në Shqipëri, është që nga dëshira për të dëmtuar qeverinë aktuale politikisht, me vrap nxiton nëpër ambasada për të thënë që trafiku i madh po ndodh, dhe po ndodh një gjë e tmerrshme, etj. Por të gjithë e dimë që ky fenomen nuk është një fenomen shqiptar, është një fenomen rajonal, është një fenomen ndërkombëtar. Në rast se ka pasur avionë në të kaluarën që kanë ardhur, ata natyrisht nuk kanë ardhur nga Shqipëria në Shqipëri. Sepse nuk ka qenë ky qëllimi se brenda Shqipërisë transporti mund të bëhet me makinë, mund të bëhet me mushka, me çdo gjë. Pra ndërkombëtarët janë pjesë e këtij bashkëpunimi, janë pjesë e kësaj sfide. Fakti që janë kapur sasira shumë më të mëdha se në periudhat e mëparshme tregon një vullnet të rritur, tregon një vullnet të shtuar dhe unë jam i bindur që me përmirësimin e situatës ekonomike në vend, me hapjen e më shumë vendeve të reja të punës, ky fenomen do të goditet në mënyrë akoma më efikase.
LSI-ja është shtylla kryesore e koalicionit qeverisë. Çfarë note do t’i vini?
Së pari ajo që është më e rëndësishmja në të gjithë këtë periudhë, duhet të keni parasysh sepse Shqipëria ishte në një dishezë ekonomike.
Në rënie të lirë është konsideruar…
Disheza është më e butë, se rënia e lirë është më e fortë. Ajo që është shumë e rëndësishme është që kjo rënie e lirë u stopua dhe tani ka filluar ngritja e ekonomisë. Vlerësimi i fundit i “Standard and Poor’s” për performancën e ekonomisë shqiptare është mjaft shpresëdhënës që rritja do të jetë jo vetëm më e madhe se në të kaluarën, por do të jetë vazhdimisht në përmirësim të ndjeshëm, jo vetëm gjatë këtij viti në raport me vitin që lamë pas, por edhe në një perspektivë afatmesme. Kështu që ajo që njerëzit kërkojnë më shumë është mbrojtja e vendeve aktuale të punës, hapja e vendeve të reja të punës dhe kjo mund të realizohet vetëm përmes një politike ekonomike më realiste. E dyta, është forcimi i sigurisë në vend dhe i zbatimit të ligjit dhe njëkohësisht i zbatimit të tij në mënyrë të barabartë për të rritur besimin te shteti, tek institucioni. Kjo është për qytetarët, kjo është për investitorët vendas dhe të huaj dhe natyrisht që ka ndikim edhe tek prioriteti i parë, pra tek përmirësimi i klimës ekonomike në vend. Dhe sigurisht që qeveria ka arritur me sukses, edhe pse ka qenë një qeveri e re, edhe pse ka marrë situatën në një gjendje mjaft të vështirë. Mos të harrojmë tre muajt pas 23 qershorit, janë krijuar më shumë probleme se gjatë katër viteve në kuptimin edhe të një vendimmarrjeje.
Po e kuptonte ndoshta PD-ja që e kishte humbur?
Kishin përfunduar zgjedhjet. Në atë kohë u morën shumë vendime ekonomike të rëndësishme, një pjesë e madhe në mënyrë të gabuar, të nxituar, jo transparente me të cilat edhe qeveria e re ka qenë e detyruar të përballet dhe të harxhojë një pjesë të madhe të energjive të saj. Tani jemi në një moment ngjitjeje, një moment tepër pozitiv dhe natyrisht që kjo është edhe meritë e qeverisë dhe ajo vazhdon që të jetë tepër premtuese si në fillimet e saj.
Ju dje keni patu një takim me Presidenti austriak i cili shoqërohej nga një delegacion me 70 biznesmenë. Përveç resurseve që ne kemi si vend, kemi disa probleme të cilat në njëfarë mënyrë dyzojnë investitorët e huaj. Kemi edhe çështjen e pronave, kemi problemin në drejtësi, etj. E ndjeni këtë problem në kontaktet që keni me përfaqësues të vendeve të huaja të cilët duan që të investojnë në Shqipëri, por janë skeptikë?
Sigurisht që ne e ndjejmë këtë sfidë dhe këtë interes në rritje të vendeve si Austria dhe të tjera përkrahëse të vendosura të Shqipërisë që nga themelimi i pavarësisë dhe i shtetit dhe deri më sot dhe të gjithë vendeve të tjera. Edhe interesin e investitorëve të huaj. Të mos harrojmë që këto probleme nuk kanë penguar investitorët austriakë që të jenë në Shqipëri, të jenë të suksesshëm në Shqipëri dhe shumë investitorë të tjerë të huaj. Natyrisht që probleme të tilla nuk ka vetëm Shqipëria, kanë edhe vende që janë anëtare të Bashkimit Europian, por për ne është e domosdoshme që të kuptojmë që zgjidhja e këtyre problemeve na ndihmon, jo vetëm të përmirësojmë klimën e biznesit, por të rrisim shumë ekonominë e vendit tonë, të rrisim mirëqenien e qytetarëve tanë dhe është interesi ynë për t’i zgjidhur këto probleme dhe për të favorizuar rritjen e interesit të të gjithë investitorëve të huaj për të investuar në Shqipërisë. Për më tepër nuk është se përfaqëson një treg jashtëzakonisht të madh e kështu me radhë, por padyshim që Shqipëria është një vend që ofron mundësi shumë të mëdha, sidomos duke pasur parasysh edhe pozitën e saj gjeo-strategjike apo gjeo-ekonomike, e cila është gjithnjë e më shumë e rëndësishme për këta investitorë. Qeveria e re dhe kjo mazhorancë janë të angazhuar që të bëjnë reforma të rëndësishme, sikurse është reforma në fushën e drejtësisë, e cila besoj këto ditë do të lançohet në një mënyrë më të qartë dhe më të plotë, se cilat do të jenë konturet e saj dhe qëllimet e saj, dhe e cila do të realizohet me një proces mjaft transparent dhe në një bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët tanë evropianë të cilët për forcimin e ligjit dhe efikasitetin e drejtësisë e kanë sot një kërkesë kyçe.
Pa dashur që të hyjmë në shumë detaje, a ndani të njëjtin mendim me z. Naço, Ministrin e Drejtësisë, se duhet nisur nga KLD-ja kjo reformë, pasi KLD-ja është shndërruar në një institucion që po e bllokon dhënien e drejtësisë në vend?
Duhet të ketë një ndarje shumë të qartë në këtë drejtim. Unë mendoj se nuk mund t’i klasifikojmë të gjithë gjyqtarët, të gjithë prokurorët në të njëjtën mënyrë. Përkundrazi, mendoj se ka shumë prej tyre që janë njerëz me integritet, janë njerëz të përkushtuar, janë njerëz të cilët besojnë tek profesioni i tyre. Ndaj është e rëndësishme edhe njëherë që ta ndajmë politikën nga gjyqësori. Politika të bëjë politikën, gjyqësori të japë drejtësinë. KLD-ja natyrisht që ka një rol kyç pa asnjë diskutim, pasi është praktikisht qeveria e gjyqësorit. Por kjo reformë nuk ka të bëjë thjesht me KLD-në dhe s’mund të ketë vetëm këtë dimension. Ajo është një reformë mjaft e gjerë, e cila do të përfshijë të gjithë elementët kyç të sistemit të drejtësisë dhe që do të bëhet në bashkëpunim dhe me vetë institucionet e drejtësisë, me shoqërinë civile dhe, e theksoj edhe një herë tjetër, me partnerët tanë evropianë dhe amerikanë. Sepse duhet të nënvizoj që kërkesë kyçe tani për një hap të ri të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është një standard i ri i zbatimit të ligjit dhe i funksionimit të drejtësisë në vendin tonë. Kjo në interes të shqiptarëve, por kjo edhe në interes të evropianëve, sepse kuptohet që një vend që do të anëtarësohet në BE duhet të jetë një vend shembull i zbatimit edhe të ligjeve dhe rregullave të përbashkëta.
Ndoshta kanë të drejtë kur janë pak skeptikë. Kemi shumë vite që diskutojmë për këtë reformë, pse duhet të kemi besim kësaj radhe?
Unë besoj se këtë herë kjo reformë do të ndodhë dhe nuk do të jetë si në të kaluarën, sepse është vetë momenti që e kërkon. …Jam i bindur që është edhe një presion i jashtëzakonshëm i gjithë shoqërisë sonë, që e kërkon këtë reformë. Sepse zbatimi i ligjit dhe moszbatimi i tij ndihet dhe ndeshet çdo ditë nga qytetarët tanë. Pra, domosdoshmëria për realizimin e kësaj reforme gëzon përkrahjen më të madhe të qytetarëve në sondazhe në gati 90 pwr qind e qytetarwve. Nw tw kundwrtwn, mosrealizimi i saj, do të ishte një dështim jo vetëm për këtë mazhorancë, por edhe për politikën në përgjithësi.
Një aktor i fuqishëm në fushën e drejtësisë është edhe Presidenti i Shqipërisë. Një javë më parë Kryetari i Komisionit të Sigurisë, z. Spartak Braho ka kërkuar nisjen e procedurave për shkarkimin e z. Bujar Nishani. Ju si Kryetar i Kuvendit, do ta mbështesni një nismë të tillë?
Nuk besoj se është hera e parë që deputeti i nderuar z. Braho ka reagime shpërthyese ose djaloshare le të themi. Unë respektoj mendimet e tij dhe të çdo deputeti, por unë e them me bindje të plotë që Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani është dhe do të jetë i interesuar për realizimin e reformës në drejtësi për arsye se është edhe Kryetari i KLD-së. Për arsye sepse në Kushtetutën tonë rol kyç i Presidentit mbetet në këtë fushë. Është fusha ku pritshmëritë janë më të mëdha se në çdo fushë tjetër dhe kërkesa dhe presioni për ndryshime dhe për reforma. Dhe sigurisht unë besoj se edhe ai vetë është i ndërgjegjshëm që komuniteti i gjyqtarëve, i prokurorëve, i noterëve e kështu me radhë nuk e meriton të identifikohet në një mënyrë jo të denjë për shkak të papërgjegjshmërisë, për shkak të mungesës së etikës, për shkak të mungesës së profesionalizmit që reflektohet nga një pjesë e tyre. Në këtë drejtim unë besoj te përgjegjshmëria e Presidentit Nishani dhe tek vullneti i tij për të bashkëpunuar në një mënyrë parimore dhe në një mënyrë kushtetuese për realizimin e kësaj reforme vendimtare për të ardhmen europiane të vendit.
Megjithatë para zgjedhjeve kemi reformën administrative territoriale. A do të mbyllet kjo reformë deri në korrik sipas planeve që ka mazhoranca?
Reforma duhet tw quhet e përfunduar në korrik apo në gusht,por se edhe njw gjw e tillw nuk mund ta them me siguri të plotë. Vullneti dhe objektivi është që deri në 31 korrik të përfundojë kjo procedurë dhe Parlamenti të shprehet për këtë reformë, e cila wshtw e domosdoshme.
Afatet janë tw rwndwsishmw sepse kanw tw bwjnw me detyrimet kushtetuese, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve vendore pas një viti. Është bërë një punë mjaft e madhe dhe gjithëpërfshirëse nga ana e Ministrisë së Çështjeve Vendore, nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë gjithashtu që janë mjaft aktivë, nga Komisioni parlamentar.
Kemi një mungesë të rëndësishme që është ajo e opozitës për të cilën nuk ndjejmë asnjë faj dhe përgjegjësi.
Asnjëherë nuk ka ndodhur qw opozitës t’i ofrohet, nuk e teproj po tw them, me kaq zemwrgjerwsi, qw tw ketw një rol kaq të madh.
Kemi një komision me numër të barabartë antarësh pozitë-opozitë edhe pse në parlament diferenca është mjaft e ndjeshme. Opozita ka bashkëkryesimin, pra janë dy bashkëkryetarë, një nga PS-ja dhe një nga PD-ja. Opozita ka refuzuar në një mënyrë të pajustifikueshme, duke deklaruar se kjo reformë ka qenë në sirtar me kohë dhe gjithçka është një lojë. Ndërkohë kriteret janë bërë publike se cilat do të jenë, dhe, në bazë të kritereve, ka edhe disa variante. Opozita ka të drejtën e saj të shprehet për kriteret, ka të drejtën e saj të shprehet për variantet, hapësira është e madhe.
Opozita ka të drejtë dhe është e mirëpritur të paraqesë edhe një variant të sajin, por opozita në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë të thotë që Shqipëria nuk ka nevojë për reformë administrative. Opozita në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë t’u thotë qytetarëve shqiptarë që Shqipëria mirë është dhe le të vazhdojë ende me 400 bashki dhe komuna, kur sa për krahasim, Kosova ka vetëm 37, Maqedonia ka vetëm 70. Në rast së Shqipëria do të vazhdojë sërish me mbi 400 bashki dhe komuna, absolutisht që ne do të vazhdojmë të kemi probleme shumë të mëdha të shërbimit që u ofrohet qytetarëve, do të kemi probleme akoma më të mëdha të menaxhimit të ujit të pijshëm të menaxhimit të mbetjeve urbane. Do të kemi probleme shumë mëdha në raport me investitorët e huaj. Investitorët e huaj detyrohen të marrin një letër këtu dhe një leje aty tek çdo kryetar komune dhe çdo kryetar bashkie. Kështu nuk do të kemi mundësi të bëjmë politika zhvillimi, sepse në një njësi të vogël nuk ke se çfarë politike zhvillimi të bësh. Do të vazhdojmë të kemi humbje të jashtëzakonshme, deri në dhjetëra milionë dollarë apo euro në vit për shpenzime administrative, të cilat janë tërësisht të kursyeshme për t’u investuar në shërbim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Pra, vetëm këtë të drejtë nuk e ka opozita: të drejtën që të thotë se nuk ka nevojë për reformë. Ajo ka drejtë të zgjedhë, ka të drejtë të propozojë kriteret e saj, ka të drejtë të japë një alternativë dhe të thotë që unë kam këtë alternativë dhe e kam më të mirë se maxhoranca. Ne nuk kemi absolutisht asnjë interes tjetër përveç interesit, që përmes kësaj reforme të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm të raportit midis pushtetit vendor dhe qytetarit shqiptar.
jeni i vetmi politikan qe floisni me realizem, ehste e vertete politika ka bere gjyqesorin keto kohe dhe gjyqwtarte politike, per kete keni gjithe mbehstetjen tone per nje reofmre te thelle te drejtesise qe te mos kemi me gjyqtare te korruptuar.
KLD po sillet si vegel e berishes ! rilindje sa me shpejt !
Rama Meta per shqiperine ne BE
Mos vallë ky Meta po gatitet ndër skuta të errëta me ia hedhë sërisht Ramës? Hë,hëëë! Me shumë gjasa po. Prandaj e mban mirë ky me Berishën dhe Nishanin që do i keni premtue të rrëzojnë Ramën e të bëjnë Metën Kryetar qeverie. Pragmatizëm alla soj, bravo LSI.
Bravo Mero per censurimin !!!!!
Ilir Meta do te na fuse ne BE? Rrofte Blloku i perqindjeve, ha ha ha, palaçolleqe pa fund
Nese Salloshi eshte akoma i lire dhe ha mender duke pordhosur ter vendin, kjo eshte ne saje te Ilir Metes. Fakti eshte se Saliu ja di hilet Metes, Meta eshte pjese e kualicionit ne pushtet, Edi Rama ia ka nevojen Mets per numrat ne parlament, keshtu qe Edi nuk mund te bej asgje kundra Berishes se i ka duart e lidhura. Ilir Meta eshte kolona e peste. Edi Rama u fut ne zgjedhje dhe beri kualicion me Meten me synim per te hequr qafe Balgen Berisha. Por deri tani s’ka mundur te bej asgje per te spastruar bajgat. Me hezitimet e deri tanishme rrezikon te humbasi besimin qe i dhe populli per te ven ne vend ligjin e drejtesine dhe per te shporrur bajgat qe po na mbysin.
Shume i qarte, eshte kodosh keshtu nga fjalet.
Ilir Meta vetem per drejtesine nuk flet dot se eshte i ZHYTUR DERI NE ….FYT!!!
Presionin qe i ben BRAHOS tregon se ai eshte kunder shkarkimit te PRESIDENTIT LOLO TE Berishes e jo te Republikes!!1
Meta do te behet President .keto jane planet e “RILINDJES”.