Se një vend i duhet gjithkujt, qoftë edhe për kënaqësinë e tu larguarit nga ai vend. Të jesh pjesë e një kombi do të thotë të mos ndihesh i vetmuar, të dish që tek njerezit, tek lulet, tek toka ke diçka tënden, që edhe kur nuk i ndodhesh pranë, qëndron aty duke të pritur…
Këto mendime ma çokisnin trurin kur piloti i Boeingut 737 na bëri me dije se kishim nisur zbritjen
Po udhëtonim nga Venezia drejt Tiranes me reporterin italian Lorenzo Castriotin, mik tashmë i vjetër i imi.“Bukur, por duhet të shikosh Shqipërinë si është” – asgjë më shumë se një refren që veshët e Lorenzos patën dëgjuar nga goja ime ndër vite për mahnitjet e tij ndaj thuajse çdo vendi që kishim vizituar. E kishte dëgjuar aq shumë sa durimi i tij u sos e ndërkohë kurioziteti për të parë me sytë e tij “il paese delle acquile” e shtyu të merrte avionin e të më shoqëronte në një nga udhetimet e mia rutinë në Shqipëri. Kurioziteti, ndoshta, por mua më pëlqente të mendoja që thënia “gjaku thërret” gjeti vend në rastin e tij. Pikërisht ateherë kur vite më parë zbuloi se mbiemri që ai mbante i kishte rrënjët e ngulitura thellë në historinë shqiptare, rrënjë të cilat të çonin drejt e tek familja me gjak puro mbreteror, ajo e Kastriotëve.
E kuptova që prekëm hapësirën ajrore Shqiptare në momentin që avioni çau retë e zymta dhe shiun që kishte qënë përndjekës i yni prej nisjes nga terminali i Venecias. Kur dielli filloi të thante xhamin përkrah tij, e zgjova Lorenzon! Nuk mund ta lija ta humbiste një peizazh te tillë. Malet e Bromit dhe Gamtit dukeshin të dalë nga ndonjë kartolinë e mund të ishin subjekt e material goxha i mirë për ndonjë konkurs fotografie ndërkombëtar. Dukeshin sikur zgjasnin ‘duart’ drejt nesh dhe e tërhiqnin si magnet avionin tonë. Ia dolën mbanë, avioni po ulej.
Lorenco papritur merr pamjen e një turisti kinez, nxjerr aparatin e tij profesional dhe fillon të fotografojë çdo gjë që shfaqet në sfond përtej xhamit. Nuk flet, vetëm shijon pamjen me gojën hapur.
Shumica e pasagjereve shqiptarë, emigrantë dydekador të metamorfizuar, lehtësisht mund t’i ngatërrosh me ndonjë francez, spanjoll, italian a gjerman, por iluzioni zgjat fare pak. Genet e‘durimit’ shqiptar shfaqen që në momentin kur rrotat e avionit puthin dhunshëm asfaltin e nxehtë të këtyre ditëve maji. Çohen të gjithë në këmbë të marrin valixhet dhe rrinë presin. Presin të zbresin edhe pse te gjithe e dine se duhet pak kohë që dera të hapet, edhe pse stjuardezet u luten që të qëndrojnë ulur, por është e kotë. Pas 15 minutash stoicizëm në këmbë, dera hapet dhe pasagjerët të lodhur nga më pak se një orë udhëtim fillojnë të zbresin me nxitim. Vetëm kur paraqitemi në sportel kuptojmë pse gjithë ai nxitim. Kush hipën i pari në autobus, është edhe i pari që paraqet dokumentat në sportel duke i shmangur vetes pritje të mëtejshme në radhë. Pas kontrolleve rutinë dalim në sallon. “Është i vogël, por është terminali me arkitekturën më moderne që kam parë “-më tregon Lorenzo, i cili nuk ia kurseu fotografitë as aeroportit.
Aeroporti “Nënë Tereza” i rikonstruktuar në vitin 2006 sipas stilit arkitekturor post modernist-bashkëkohor, impakton dhe shkrumbëzon vizionin imagjinar të cilitdo të huaji që vjen në Shqipëri, i bindur se po shkon në një vend të botës se tretë. Të ardhurve u shpëton fakti se varfëria e vërtetë është përtej xhamave pasqyrë që fanarizojnë zonën përreth, nuk e dinë se varfëria e vërtetë është tek njërëzit…
“Thirrja e fundit për fluturimin drejt Romës. Pasagjeri me emrin Shkëlqim Kola është i lutur të paraqitet në daljen numër 5” – dëgjohet zëri i ngrohtë i një vajzë në altoparlant. Njëkohësisht shikohet hovi i një zotërie ulur në barin e aeroporit, i cili i humbur në bisedën me familjarët e tij rrezikon të humbasë edhe fluturimin. Ah po, edhe ne gjendemi në të njëjtin bar. Çdo gjë ecën e leviz rreth nesh, nxiton e vrapon si simbol i vetë rrugëtimit që Shqipëria ka nisur drejt Europës, me hap breshke ama. Fryma e Shqipërisë gjendet ngado rrotullon sytë. Nga kamarierja e cila përmes vështrimit dhelpërues ‘peshon’ çdo klient në kërkim të bakshishit që do i rrumbullakosë rrogën mujore, e deri tek punojëset e higjenës që kujdesen që dyshemeja e mermerte të thahet para se ta shkelë dikush.
“Për çfarë po zihen ata?“- kureshton Lorenzo për personat e rehatuar në tavolinën pas nesh. Buzagaz mundohem t’i shpjegoj që thjesht po debatojnë ‘qetësisht’, siç i ka hije çdo shqiptari. E pamundur të mos i dëgjoj, ndaj kurioziteti më bën të kthehem e t’i bashkohem bisedës. Eltoni, një djalë imcak por i mprehtë, rrëfen se është 20 vjeç me origjinë nga Kuksi dhe se po niset për në Belgjikë tek i vëllai të punojë. Ka një problem të vogël ama, zotëron vetëm një vizë turistike.“Do jem ilegal, e di, mund të shkoj në burg , e di dhe këtë! Po sa të shkel andej , nuk kthehem më , ishalla s’më kapin!”– tregon plot vendosmëri e kur guxoj ta pyes se ç’do bëjë me shkollën këtu, ai ngurron. Merr frymë thellë e thuajse me pendesë tregon se kishte studiuar inxhinieri elektronike ndërsa natën kishte punuar kamarier por ndarja nga jeta e të atit e detyroi të kthehej në Kukës të kujdesej për të emën.“Nëna ime është sëmurë, më duhen lekë ta shëroj. Motra do kujdeset për të, duhen vetëm lekët, lekët! Nuk mund ta shoh në sy përditë pa bërë asgjë. Nuk mundem më, duhet të largohem! Ky vend është si një bushtër që të merr lekët e nuk ofron asgjë”. Me këtë ‘perlë’ tragji-komike e mbyll bisedën çunaku i burrëruar dhe largohet nga tavolina se orari i nisjes po afron.
Statistikat tronditëse thonë se 1035 azilkërkues shqiptarë aplikuan vetëm në muajin shkurt në Belgjikë, Suedi, Luksemburg dhe Zvicër. Quhen ilegalë, sepse lumturia ose më mirë mundësia për të qënë i lumtur kalon përmes ilegalitetit në një vend si Shqipëria.
“Fati është një çështje gjeografike”– shkruante Dante Alighieri shekuj me parë.
Dy vajza të reja, Fjorda e Lorena ndajnë të njëjtën tavolinë me ne dhe Eltonin, të cilin e patën njohur gjatë rrugës për në Tiranë. Por Fjorda nuk ishte ndjerë gjatë gjithë kohës, dukej se biseda nuk përbënte interes për të. Vajza brune me bukurinë e saj tipike mesdhetare i përket një tjetër realiteti. Teksa luan me Iphonin e saj, me Ray-Banet që i mbulojnë shikimin dhe me tymin e cigares që na vesh firmato kokë e këmbë nën markën “Marlboro”, na tregon gjithë modesti se po niset drejt Milanos për të bërë shooping.
“Në Tiranë mbërrin vetëm malli italian i dorës së dytë. Zor se gjen diçka të hajrit. Moda italiane këtu vjen me vonesë e mua më duhet të jem gjithmonë e azhornuar. Më kupton i dashur?” Më vonë shpjegon së është vajza e një politikani të njohur dhe se lekët për të janë problemi i fundit. Dukej e hutuar por idetë i kishte të qarta aq sa pyetjes në do largohej nga Shqipëria i përgjigjet shkurt :”Je në vete?! Këtu është parajsë…për njërëzit si unë.”
Të huajt nuk e dinë, s’kanë se si në fakt, por Shqipëria është një medalje me dy anë, dhe ajo që perceptohet aq bukur e llustruar nga mass media është vite dritë larg së vërtetës. Ana tjetër e medaljes gjendet aty, përballë nesh, çdo ditë. Në duart e çdo kamarieri që na shërben kafen e mëngjesit, në fytyrën e çdo muratori që punon në një kantier ndërtimi, në sytë e çdo të papuni tek “Ushtari i Panjohur”. Është ajo Shqipëria tjetër, ajo e Marin Memës.
Edhe Lorenzo e perceptoi këtë frustrim e dëshirë për tu larguar aq sa kur kamarierja u afrua të marrë lekët, e pyeti duke qeshur nëse dhe ajo ka ndërmend të largohet nga Shqipëria. Përgjigja na e preu buzëqeshjen.”Unë?! Po sigurisht, vetëm të marrët qëndrojnë këtu. Fatmirësisht më ka dalë Lotaria Amerikane dhe së bashku me burrin nisemi për në Boston këtë dhjetor. E diplomuar në Juridik e Ekonomik me notat maksimale, dhe shikomëni ku ndodhem! Ky aeroport duhet të kishte vetëm avionë që nisen, jo avionë që kthehen. Duhet ikur një orë e më parë pa e kthyer kokën mbrapa.“
Na la pa fjalë dëshmia e asaj vajze. Edhe ajo është pjesë e Shqipërisë tjetër…
Kaloi më shumë se një orë prej çastit kur u ulëm, erdhi momenti të largoheshim. Përshëndesim Fjordën dhe kamarieren e largohemi drejt daljes në pritje të autobusit që do të na çojë në Tiranë.
Sapo bëjmë një hap jashtë aeroportit, fillon një skenë që përsëritet sa herë shkel në Shqipëri. Taksixhinjtë, një grumbuj burrash me mustaqe, shumica mbipeshë duke tymosur vrullshëm duhan si të jenë në pritje të lindjes së fëmijës së parë, na vërsulen për të na rrëmbyer si klientë. Këtu, fjala e urtë “I duruari i fituari” nuk gjen vend. “Only 40 euro for Tirana”– na propozon një prej tyre e kur i themi që jemi Shqiptarë, buzëqesh. “Po ti fol mer çun! Hajt mo,15 mij lek t’vjetra për ju”. I shpjegojmë se po presim autobusin por gjenialiteti i tij është befasues. “Aaa po s’ka mo autobuz, o prish” – edhe pse autobusi po shfaqej dalëngadalë në sfond pas shpinës së tij. Injoron sistematikisht refuzimin tonë e në fund lëshon një ‘ofertë’ që nuk mund ta refuzonim.“ As 15 mij lek s’doni, atëher 13 euro djema, më posht nuk zbres!”
13 euro, dikça më shumë se 18 mijë lekë të vjetra! Këtu edhe matematika shndërrohet në opinion…
Ai po dridhte duhan pak më tutje. Ishte një zotëri i thyer në moshë e na afrohet për të kërkuar çakmak. Dukshëm i trishtuar flet nëpër dhëmbë. Kur e pyesim se çfarë ka, dukej se nuk priste tjetër pyetje e fillon rrëfehet. Tregon se po nisej përtej atlantikut drejt Sheteve të Bashkuara të Amerikës tek fëmijët e tij, të cilët ishin larguar vite më parë. Tashmë që gruaja i është ndarë nga jeta ka ngelur vetëm. “Jam veteran luftë, por lufta ime zgjati gjithë jetën. Luftë me nazistet, luftë kundër komunizmit, dhe luftë për demokracinë që kurrë s’erdhi. Nuk e kisha menduar kurrë që do lija Shqipërinë në këtë moshë, por ja që…“ – dhe lotët e frenojnë të mbarojë fjalinë.
“Thirrja e fundit për fluturimin drejt Bostonit! Pasagjeri me emrin Gëzim Shkreli është i lutur të paraqitet në daljen numër 3! Thirrja e fundit për pasagjerin Gëzim Shkreli!”– dëgjohen sërish fuqishëm ato fjalë të hidhura përmes zërit të ëmbël të zonjushes. Është thirrja e fundit për zotërinë që kemi përballë. E shuan përtokë cigaren e fundit në terren shqiptar, fshin lotët që i kishte injoruar gjatë gjithë monologut dhe largohet mes psherëtimash.
Gëzimi i hidhëruar nuk ishte i shkolluar si Eltoni, Lorena, Fjorda apo kamarierja e barit, ndaj u çudita kur citoi fjalët e famshme të Konicës që mesa duket kishin trokitur edhe në skajin e largët të fshatit ku kishte kaluar jetën.“Shqipëri të kam dhjerë, s’të kuptova asnjëherë” – psherëtiu teksa largohej .
Si t’ia përkthej unë këtë Lorenzos tani?!
Bravo Ermal,shkrim shume i goditur. Kur te keshe mundesi na i prezanto Lorenzon….
Nuk po kuptoj po qaj apo po qesh. Pergezime nga (fi)
Shpjegoji Lorenzon: Ne na ka hum barra e vojit ti thu gjemoji kokrres se ullinit
Nuk ke pse ia shpjegon Lorencos.
Kuptoje fillimisht vetë.
Stili i shkrimit shumë simpatik. Je në rrugë të drejtë!