​Cliff e quan barrikadën në Mitrovicë atraksion turistik

28 Maj 2014, 18:18Rajoni TEMA

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, me të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme në Mitrovicë, me theks kthimin e të zhvendosurve në pronat e tyre.

Bahtiri tha se gjendja politike dhe e sigurisë në këtë qytet është duke u përmirësuar vazhdimisht, ndërsa gjendja ekonomike-sociale është shumë e rëndë.

Ai veç tjerash foli për takimet që i ka pasur me kryetarin e posa zgjedhur të komunës së re në veri të Mitrovicës dhe për përpjekjet që po bënë në kthimin e familjeve të zhvendosura gjatë luftës në pronat e tyre, në të dyja pjesët e qytetit.

Në anën tjetër, ambasadori Cliff, tha se Britania e Madhe dhe ai personalisht mbështesin fuqishëm sovranitetin territorial të Kosovës dhe janë të interesuar për ndryshimin e gjendjes për të mirë në qytetin e Mitrovicës.

Sipas tij, Bashkësia Evropiane, shtetet më të fuqishme në kuadër të saj dhe SHBA-ja, janë të interesuar të investojnë në Kosovë e veçanërisht në Mitrovicë.

Ai shtoi se BE-ja po ashtu është e interesuar që të punoj me kryetarët tashm ë të dy komunave të Mitrovicës për kthimin e personave të zhvendosur në pronat e tyre, në veri dhe në jug.

“Ne tashmë kemi një projekt për kthimin e këtyre personave dhe këtë duam ta realizojmë bashkërisht. Fillimisht duhet të bëjmë vlerësimet adekuate për gjendjen dhe mundësitë për kthimin e tyre. Në realizimin e këtij projekti do të kyçet edhe DRC-ja, ndërsa jam i bindur se në këtë drejtim do të kemi sukses”, ka thënë Cliff.

Duke folur për barrikadën, ai tha se kjo barrikadë është politike, dhe se për fat të keq ajo po bëhet një atraksion turistik, sepse shumë vizitorë nga Britania e Madhe dhe nga vendet e tjera dëshirojnë ta shohin atë dhe të fotografohen pranë saj.

“Më duket se për njerëzit në veri barrikada është pak edhe çështje psikologjike. Sidoqoftë, unë pajtohem se barrikada duhet të hiqet dhe ne duhet të angazhohemi për realizimin e projektit për kthimin e njerëzve në pronat e tyre, kudo qofshin ato”, tha ambasadori Cliff. /Kosovapress/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje