E ka ndarë më në fund mendjen lojtari më i spikatur në kampionatin kosovar, kryegolashënues disa herë në shtetin më të ri të Europës. E priste Skënderbeu për të firmosur, kishte oferta edhe nga klube të tjera shqiptare, por Mentor Zhdrella ka vendosur të vishet i kuq. Duke ndjekur rrugën e shumë lojtarëve të tjerë kosovarë, që erdhën “me shumicë’ sezonin e shkuar në radhët e “demave”, Zhdrella do të jetë një përforcim cilësor për 15 herë kampionët e Shqipërisë, duke pasur objektiv të njëjtë me trajnerin Shpëtim Duro dhe të tijtë: fitimin e trofeve kombëtarë.
Ndoshta këto ambicie maksimaliste, që përkojnë me qasjen profesionale të vetë lojtarit, por edhe joshja e duhur financiare, kanë dërguar në këtë “martesë”, raporton Panorama Sport. Gjithçka ka ndodhur “flakë për flakë” si njëfarë kundërpeshe ndaj largimit të katër titullarëve të sezonit të shkuar nga Partizani; të Ertan Demirit, Gëzim Krasniqit, Behar Maliqit dhe Elvis Prençit, sepse zyrtarizimi i akordit me Zhdrellën është i një rëndësie të veçantë. Sidomos duke pasur parasysh problemet në repartin ofensiv të të kuqve, i hetuar si pika më e dobët në kampionatin që sapo u mbyll dhe që kërkon ndërhyrje të studiuar mirë. Aftësitë konkluduese të 4 herë lojtarit më të mirë të kampionatit kosovar japin shpresa të mëdha për fuqizimin e sulmit të “demave” në sezonin 2014-2015.
Zyra për shtyp e Partizanit ka njoftuar se marrëveshja me Zhdrellën është arritur pas takimit që sulmuesi 25-vjeçar ka zhvilluar me presidentin Gazment Demi, me të cilin ka rënë dakort për të gjitha kushtet e bashkëpunimit. Sezonin që sapo u mbyll, Mentor Zhdrella është aktivizuar me KF Dritën, ndërkohë që ishte pjesë e kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e fundit, ndaj Turqisë dhe Senegalit, në të cilat u aktivizua si zëvendësues. Klubi i kuq konfirmon se prezantimi i Zhdrellës do të bëhet gjatë kësaj jave.
Tema, nuk quhet kombetare e Kosoves, por PERFAQESUESE. Kombetarja e te gjithe shqiptareve eshte KUQ DHE ZI.