Në kohën kur flitet për një largim të mundshëm të Lorik Canës nga Lacio, në Francë përgatitet terreni për rikthimin e tij pas 5 vjetësh në Ligue 1. Eshtë Marseja që i kujton me mall kohërat kur kishte në skuadër mbrojtësin shqiptar dhe tani ka hapur një sondazh, nëse klubi duhet të hidhet në sulm apo jo për rikthimin e tij, raporton Sport News.
“Portreti i një luftëtari” quhet përmbledhja në aksion e Lorik Canës ndër vite, e publikuar në faqen zyrtare të klubit francez. Ndër të tjera thuhet se futbollisti nuk shkon mirë me trajnerin Edi Reja te bardhekaltërit dhe kjo mund të jetë arsyeja kryesore e largimit nga Seria A pas 3 sezonesh.
Këtu Marseja citon Agim Canën, të atin dhe njëkohësisht agjentin e futbollistit, i cili shpreson që situata te Lacio të ndryshojë, sepse Loriku kërkon të luajë dhe në të kundërt, diçka duhet bërë.
Në dedikimin kushtuar kapitenit të kombëtares shqiptare thuhet se skuadrës i kanë munguar liderët dhe lojtarët luftarakë si Lorik Cana. Këtu i shtrohet pyetja tifozëve: ky është një rast i mirë dhe a duhet të hidhet Marseja në aksion për rikthimin e tij?
Përgjigjet e para janë vërtet befasuese dhe thuajse unanime. Janë 87% e të anketuarve që e duan rikthimin e Lorik Canës në “Stade Vélodrome”.
Ndërkohë, sipas mediave italiane, janë edhe Volfsburg, Shalke 04 dhe Shutgart, që ndjekin mbrojtësin shqiptar.