Ishte viti 1995. Dy miq gjermanë që kishin udhëtuar rrugës së bregdetit, duke kapërcyer Llogaranë, po tregonin përshtypjet e tyre mbi peizazhin e kësaj zone. Ishin të kënaqur me çfarë kishin parë, sadoqë edhe kritikë për mungesën e infrastrukturës turistike në këtë zonë. Teksa i dëgjoja nuk m’u durua pa thënë: po, ne kemi një bregdet vërtet perlë. Dy miqtë, seriozë, ashtu siç mund të jenë gjermanët, thanë thuajse me një gojë: i bukur ishte vërtet zoti Muka por jo perlë…
E pra ne kemi një Shqipëri të bukur dhe të pasur sa i përket peizazhit natyror, klimës, bimësisë, gjallesave të pyllit, të ujit, të tokës e nëntokës…Përkundruall kësaj Shqipërie ka qenë gjithmonë ajo që ka bërë njeriu shqiptar. Për fat të keq, në gjithë zhvillimin historik, vepra e këtij njeriu ka arritur deri në kufinjtë e të admirueshmes (betejat e Skënderbeut). Më tej si e veçantë është vlerësuar gjuha shqipe, intriguese ka qenë besa, e çuditshme ka qenë mikpritja, proverbiale ka qenë varfëria, idioteske kanë qenë vëllavrasja dhe izolimi. Të pamundur për t’u bërë tok, të pamësuar për të bashkëpunuar, të prirur për të qenë njësha, të paduruar për të gjykuar rezultatet… i kemi bërë “veprat” shkel e shko, i kemi ndërtuar dhe sakaq i kemi prishur, i kemi ringritur dhe sakaq i kemi shembur dhe… kemi mbetur pa kujtesë materiale. Kemi vetëm kujtesën e fjalës. Edhe atë e kemi asgjësuar kur nuk na ka pëlqyer.
Dhe kemi arritur në një kohë që po e quajmë koha… e lirisë së fjalës. Aq e lirë është fjala sa e ke të pamundur të kuptosh përdorimin e saj. Në këtë liri ajo që ka humbur është fjala e mençur. Ajo çfarë dëgjojmë e shikojmë është për të vënë duart në kokë. Kur shtrojmë pyetjen: si do t’i vejë halli këtij vendi? të vetmen shpresë se do bëhet më mirë e kemi tek përdorimi i atyre “çfarë na ka dhënë natyra” pra, atyre që ne i quajmë me të drejtë “bukuritë e Shqipërisë”. Nuk është se nuk i njohim këto bukuri. Problemi qëndron tek përdorimi i tyre, pikërisht atje ku ato fitojnë vlerë. Të vjen vërtet keq kur dëgjon vlerësime të tilla: ju të gjitha i keni por… Dhe pas kësaj duhet shtuar: nuk dini t’i bëni të dobishme.
Këto ditë tok me studentët e diplomës “Master Shkencor në Gjeomjedis” bëmë një eskursion praktike në një rrugëkalim interesant: Mali i Robit-Golem-Patok-Shëngjin-Shkopet- Bulqizë-Peshkopi-Dibër e Madhe-Kukës-Rubik-Tiranë. Qëllimi ishte të shikonim e vlerësonim disa nga ato që natyra i vë në dispozicion njeriut dhe përdorimin që i ka bërë njeriu ofertës së natyrës. Kështu prekëm me dorë rërën e “situr” të Adriatikut, u zhytëm në ujin këndellës të detit, u harlisëm në flladin e puhizës detare, i ngopëm mushkëritë me jodin “magjik” të tij dhe… ndërkaq nuk mundëm ta njehsonin pozicionin ku ishim për shkak se sinjalet satelitore pengoheshin nga ndërtesat deri në “kupë” të qiellit dhe deri tek “lakorja” e ujit (kjo e fundit përparon thuajse 10 metra në vit për t’i kurthëzuar ndërtesat), nuk mundëm ta pirgonim rërën e “situr” pasi na ngatrroheshin nëpër duar hedhurinat, nuk mundëm t’i zhysnim këmbët në funddetin natyror pasi uji, në inatin e tij për të mos pranuar “të huajën” e kish “mbuluar” ashtu siç “mbulohet” shtatzania me një fëmijë të paligjshëm-pasojë e një përdhunimi. Me siguri edhe uji flet. Ai ankohet se e kanë përdhunuar. Po kush e dëgjon…Politikanët, bosët e ndërtimeve, juristët… e kanë kuletën për pushime “ku t’ua dojë kokrra e qejfit”. E si mund të dëgjohet fjala e ujit?!…
Pastaj vjen toka. Hidrocentrali i Shkopetit është aty që nga viti 1963. Ai është përpjekur t’i japë njeriut atë që ka më të mirën-dritën. Dhe e ka bërë e vazhdon ta bëjë më dinjitet këtë. Studentët dëgjojnë me vemëndje historikun e përdorimit me dobi të ujit. Uji dhe drita janë një binom me dobi të përjetshme. Njeriu ka në dorë rritjen dhe uljen e kësaj dobie. Studentëve u mësohet të kontribuojnë në rritjen e saj. Shpresojmë që të kenë jo vetëm veshë për të dëgjuar.
Një ndalesë tek Ura e Topojanit. Poshtë saj rrjedh Drini i Zi. Të gjithë e dinë që në këtë rrjedhë janë ndërtuar hidocentralet më të mëdhenj të vendit tonë. Po me çfarë i shpërmblejmë ne mirësitë e Drinit? Po të dëgjonim zërin e troftave të trembura, rënkimet e arave që i sulmon dhe për fat të keq i pushton furia e ujit, ankesat e shtratit mijravjeçar për vjedhjet shtratore të rërës e zhavorit të tij do të kuptonim se edhe ky lumë është përdhunuar. Ndoshta mendon ndonjë hakmarrje…. Faktet gjeologjike nuk i përjashtojnë katastrofat. Ndaj duhet vemëndje. Dhe duhet sot. Studentët mbushin bllokun e shënimeve…Profesor Çerçizi. profesor Spiro dhe unë rekomandojmë nënvizime.
Tani jemi në Kombinatin e Gipsit. Koordinatat gjeografike na pozicionojnë në Dibër të Madhe. Adresa tregon pronësinë e firmës gjermane “Knauf”. Këtu bëhet përpunimi i gipsit. Minerali është disa kilometër larg kombinatit. Ndërsa origjina e metodës së përpunimit të tij dhe stili i të punuarit ndodhen shumë kilometra larg. Gjeologu dibran, Refiku, që na shoqëron e thotë me plot gojën: Këtu trajtimi si i materialit ashtu edhe i njeriut bëhet sipas stilit gjerman. Materiali hyn “gurë” dhe del pllakë. Po njeriu? Ai hyn i angazhuar dhe del i shpërblyer. Studentët konkludojnë vetë që këtu kemi të bëjmë me një model. Si mund ta arrijmë? Ah po, kollaj fare… veçse na duhet fjala e mençur dhe puna me mend.
Minerali nxirrej në një shpat të lumit të Radikës. Me një pastërti deri në 96%- thotë gjeologu Refik. Dhe me një teknologji që nuk lejon të shkojë kot as “kokrriza” (përsëri stili gjerman). Sasitë e rezervave janë milionëshe por ky bollëk administrohet me nikoqirllëk. Brezat e sotëm duhet të mendojnë edhe për brezat e ardhshëm- u thuhet studentëve. Kaq. Epo duhet nënvizuar.
Në kuotën 600 m mbi nivelin e detit, disa metra më lart se pasqyra e ujit të Radikës është hapur galeria e kristalit. Gjatësia e saj 420 m. Veçanësia e saj- kristalet ‘’gjigandë’’ dhe unikalë të mineralit të Gips-Selenit. Përjetimi ynë: marrja e kampioneve kristalorë – dëshmia e një vizite të paharruar atje ku natyra ka bërë çudira dhe ku çudirat preken me dorë, biles “pranojnë” të futen edhe në çantën (Ruecksack-un) e prof. Çerçizit duke realizuar një nga ëndrrat e tij për t’i patur atje, në koridoret e fakultetit, si fakte gjeologjike.
Po ajo që mbetet këtu? Firma “Kanuf” ka menduar jo vetëm t’i nxjerrë kristalet, por t’i bëjë ato edhe objekt gjeoturistik. Galeria do “lahet” dhe vizitorëve do t’u krijohen të gjitha kushtet ta “prekin” çudinë kristaline të ketij fenomeni të rrallë mineralogo-gjeologjik. Dhe ta dini-u themi ne studentëve- kjo nuk është “të nxjerrish dhjamë nga pleshti” por t’i trajtosh vlerat e natyrës ashtu si ato e meritojnë.
Në rrugëkalimin tonë nuk mund të anashkalohen llixhat e famshme. Studentët kanë lexuar për vlerat e ujrave termale. Ata e dinë origjinën, përmbajtjen, dobinë… Sot e ka rradhën njohja e përdorimit konkret të tyre. Vendndodhja nuk është vetëm ajo që ka bërë natyra. Këtu është ndërtuar një “qytet” kurativ. Rrjedha është disiplinuar nëpër vaska ku uji me temperaturë 38.5 0C ndjehet si në shtëpinë e tij. Këtu marrdhënia ujë-njeri ka një cilësi të veçantë. Njeriu e përfytyron ujin si një mjek, duart e të cilit “gatuajnë” mrekullinë e shërimit. Dhe mjekja që instrukton pacientët duket se i dorëzon ata tek “kolegu” i saj. Ndjehet një erë bezdisëse squfuri por kënaqësia e shërimit është ku e ku më e madhe. Studentët mësohen me erën e squfurit dhe duan të mësojnë më shumë për vlerat kurative të ujit që përmban squfur. Sa vetë e kanë provuar dobinë e tyre? Historia e shkruar për këtë është vërtet një histori suksesi. E shkruar prej natyrës dhe e çertefikuar prej njeriut…
Mëngjezi i 6 qershorit na gjeti tek llixhat e Peshkopisë. Qysh në fillim bie në sy që nuk kemi të bëjmë me një qytet kurativ. Shumë ndërtesa të reja, private. Një rrëmujë urbanistike. Krijohet përshtypja e përpjekjes jo vetëm për të dominuar atë që ka mbetur nga e kaluara por edhe për ta zhbërë atë. Është e qartë që vlerat kurative të ujit janë po ato, si në Dibër të Madhe. Mjeku Mentor i njeh mirë ato dhe studentët i përqasin si identike. Tani vjen rradha të flitet për kushtet konkrete. S’ke ç’të bësh. Dielli nuk mbulohet me shoshë. Ambientet e plakura (jo për të pritur pleq), vaskat e ciflosura (jo për të treguar shëndet), aparaturat e heshtura (jo për të reguar respekt), shërbimet e hallakatura (jo për të treguar gjithëgjindje). Doktor Mentori shpjegon shterueshëm vlerat natyrore të ujit, por edhe ai ndjehet keq kur na shoqëron nëpër ambientet e shërbimit. Më keq ndjehet kur studentet e pyesin për cilësitë e argjilës. “I kemi dërguar provat për analiza por akoma nuk kemi marrë përgjigje sepse duhet paguar”. E ç’të thuash më tej. E mira nuk është peshk që vjen vetë në tigan.
Kemi arritur në buzë të Veleshicës, lumit të Korabit. Një lumë tekanjoz si gjithë lumenjtë malorë. Sasia e ujit varet nga stina por s’ka bërë vaki që ai të shterojë. Me siguri para se të arrijë aty tek ura e rrugës Kukës-Peshkopi, ai ka tentuar të fitojë terren në krahun lindor por… nuk ia ka dalë mbanë pasi aty ka zënë vend një masiv solid me bardhësi “ të dhuruar” nga bora e Korabit(diapir, thonë gjeologët, gjeomonument, thonë vizitorët edhe pse shteti nuk e ka shpallur të tillë). Tek e hedh vështrimin tek ata shkëmbinj të gdhendur (agjentët atmosferikë nuk e marrin “rrogën” kot) kupton që edhe vetë shkëmbinjtë nuk kanë bërë shumë rezistencë. Janë shkëmbinj që përmbajnë mineralin e gipsit, një pasuri akoma e pashfrytëzuar në këto anë edhe pse sivëllezërit e tij në Dibër të Madhe kanë hyrë mysafyrë në të katër anët e botës. Me siguri edhe këta e duan këtë fat por u mungon…Knauf-i. Edhe ne, edhe studentët e marrim me vete këtë masiv (jo vetëm në fotografi) dhe shpresojmë të jemi në rrugën drejt…Kanuf-it.
Erdhi një ditë që edhe Kukësi, që nuk kishte liqen, ta ketë një të tillë. Tani, përpos të tjerash, flitet edhe për peshkun e liqenit të Kukësit. Ne e shijuam një të tillë dhe mbetëm të kënaqur. Ama, që të ketë peshk të mirë liqeni duhet të ketë dhe ujë të pa ndotur. Po ç’ti bësh që prurjet natyrale të tij mbarsen përdhunisht me aciditetin e bakrit të Gjegjanit dhe mbeturinat e skorjeve të metalurgjisë. Një rrezik i madh ky për shëndetin e liqenit. Meraku i deritanishëm është vetëm fjalë (mbase dhe letra). Studentët interesohen kur do të fillojë puna. Përgjigja e liqenit do ishte: një orë e më parë. Përgjigja e peshkut do ishte: një orë e më parë. Po përgjigja e njeriut?!
Jemi sërish në Tiranë. Udhëtimi ishte edhe i lodhshëm edhe mbresëlënës. Kërkohet njëfarë kohe për ta mbledhur veten. Por në Tiranë nuk mungon tollovia e fjalëve. Të gjithë flasin. Pakkush dëgjon. Jemi mjaft të pasur në resurse natyrore- themi. Jeni “shih e shkruaj”- na thonë. Ec e merre vesh.
sa vlere ka nje vend[qofte edhe i bukur] i mbushur me zhapike si Zike marmida…..!!!!!!!!!
Vite më parë, është bërë një studim krahasues midis Zvicrës dhe Shqipërisë, përsa u përket resurseve/pasurive natyrore…(janë dy shtete me sipërfaqe dhe popullsi përafërsisht të barabartë). Studimi tregoi se Shqipëria ka pesë herë më shumë pasuri natyrore se Zvicra…(!!!???) Shpjegimi: Zoti na fali natyrën dhe na “mori” mëndjen…! Më mirë të dish, apo të kesh…???
Me kujtove rinine! Po ta kishe shkruar 30 vjet me pare , do mendoja “sa afer eshte socializmi”…”Komunizmi” e do gjona t’jera qe s’po me vine ndermend.
Po rrofte “Knauf” qe e nxorri kete popull nga erresira ne drite.