Nga Prof. Dr. Vezir Muharremaj
Prof. Dr. Sherif Lushaj
Në këtë artikull dëshirojmë të shprehim mendimet tona lidhur me disa çështje të platformës për reformën në arsimin e lartë, të nxjerra nga përvoja jonë e gjatë e punës në institucione të arsimit të lartë (IAL) dhe ato shkencore.
Përvoja tregon se dy janë shtyllat kryesore të arsimit të lartë: mësimdhënia dhe puna kërkimore shkencore. Mësimdhënia cilësore me personel pedagogjik të kualifikuar, e gërshetuar me punën kërkimore shkencore brenda dhe jashtë shkollës së lartë, mundëson përgatitjen e studentëve specialistë të ardhshëm me njohuritë e nevojshme teorike e praktike për të përballuar sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Për më tepër, kjo shtrohet sot, në kushtet e globalizmit, kur studentët e diplomuar në vend të jenë të aftë për të konkurruar në tregun e punës të vendit dhe atë rajonal.
Gjatë viteve të tranzicionit ndodhi një masivizim tepër i skajshëm i arsimit të lartë, u krijuan një numër i jashtëzakonshëm institucionesh publike e private, të përhapura në shumë qytete të vendit. Ky masivizim është bërë pa u bazuar në kritere dhe studime të thelluara, pa mbajtur parasysh kapacitetet ekzistuese si personelin mësimdhënës të specializuar, infrastrukturën dhe laboratorët e përshtatshëm, mundësitë e kërkimit shkencor dhe nevojat e tregut të punës për specialistë të fushave të ndryshme. Pa dyshim, që cilësia e përgatitjes së këtyre specialistëve nuk ka qenë në nivelin e duhur profesional. Për më tepër, shumë studentë të diplomuar në institucionet e arsimit të lartë nuk kanë gjetur vend pune në specialitetin e fituar, por në punë të tjera ku nuk kërkohet niveli universitar. Nuk është normale që numri i IAL-ve në Shqipëri të jetë më shumë se 10 herë më i lartë se në vendet e zhvilluara europiane si Gjermania, Franca, Italia etj. (për 1milion banorë), sikurse theksohet në platformë. Nuk duhet harruar se përgatitja e çdo specialisti të lartë është një investim i kushtueshëm i krejt shoqërisë.
Për të përmirësuar këto raporte, është e nevojshme që të rishikohet e të reduktohet numri i shkollave të larta, publike dhe private, veçanërisht filialet e tyre, ku vërehen dhe mangësi të theksuara. Për këtë qëllim, kërkohet të përgatiten kritere të sakta për miratimin dhe akreditimin e IAL-ve, bazuar në një raport të pranueshëm me popullsinë e vendit (krahasuar me vendet europiane) dhe mundësitë e përgatitjes së specialistëve. Kërkesë parësore është ndërmarrja e një studimi shumëdimensional i kërkesave të tregut të punës për specialitete të profileve të ndryshme në nivel kombëtar e rajonal, në mënyrë që arsimi i lartë t’i shërbejë sa më shumë tregut të punës. Po ashtu, një IAL duhet të plotësojë standarde të caktuara për sa i përket nivelit të personelit mësimdhënës, cilësisë së programeve, profilizimit të specialistëve të ardhshëm, infrastrukturës së mësimdhënies, nivelit të kërkimit shkencor etj.
Kontrolli i zbatimit të kritereve dhe standardeve nga ministria përkatëse merr rëndësi të veçantë, për të garantuar cilësi dhe shmangur shkeljet dhe zhvillimet negative si niveli i dobët i përgatitjes profesionale dhe paaftësisë për të hyrë në tregun e punës, shtrirja e korrupsionit tek pedagogë të veçantë për shitjen e notës, dukuri që duhet luftuar me forcë nga e gjithë shoqëria. Pedagogë të tillë nuk meritojnë të bëjnë pjesë në IAL.
Për këtë qëllim, konsiderohet si shumë pozitiv krijimi i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, e cila do të kontrollojë dhe monitorojë cilësinë e mësimdhënies në IAL. Në këtë mënyrë plotësohen nevojat e sipërmarrjeve për specialistë të kualifikuar, gjë që çon në zhvillimin e vendit dhe, nga ana tjetër, rriten mundësitë për punësim për të diplomuarit.
Të dyja kategoritë e institucioneve të arsimit të lartë, publike e private, janë të nevojshme si komplementarë të njeri tjetrit për sa i përket profilizimit të tyre, si konkurrues për zhvillim. Shkollat e larta private lehtësojnë dhe buxhetin e shtetit për arsimimin e studentëve; kanë lehtësira më të mëdha për vendosjen e lidhjeve me universitete, institucione të larta dhe qendra të kërkimit shkencor të huaja.
Një aspekt tjetër pozitiv i reformës së propozuar është nxitja e konkurrencës midis IAL-ve, publike e private, duke i barazuar ato në të drejtën për të përfituar fonde prej Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë (AKF), bazuar në cilësinë e projekteve të paraqitura para saj. Ndonëse një propozim i tillë është kritikuar si favorizues për IAL private, përkundrazi, ne e vlerësojmë si tepër të rëndësishëm për të shkundur nga gjumi IAL publike, të cilat, duke pasur të garantuar financimin nga shteti, nuk kanë bërë përpjekjet e duhura për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Është krejtësisht e pabazuar kritika që i bëhet reformës si “favorizim” që i bëhet IAL private, pasi në studimet bachelor, që përfshin dhe numrin më të madh të studentëve, shteti do të vazhdojë të financojë ekskluzivisht vetëm IAL publike.
Në nivelin master është studenti ai që do të përzgjedhë IAL se ku dëshiron t’i kryejë studimet, dhe sigurisht që kjo zgjedhje bëhet sipas cilësisë së IAL.
Shumë pozitiv është dhe propozimi për kryerjen e ciklit të tretë të studimeve, atë të doktoraturës, që të pranohen vetëm ata kandidatë, projekti i të cilëve është miratuar që më parë, pas një procesi rigoroz seleksionimi. Ka kohë që kjo është bërë një domosdoshmëri, për shkak të një inflacioni të jashtëzakonshëm të gradave “doktor i shkencave” të dhëna vitet e fundit. Atashimi i kandidatëve pranë departamenteve përkatëse do të bëjë që këtë cikël studimesh ta ndjekin vetëm ata që realisht e meritojnë dhe që synojnë një karrierë akademike. Kjo do t’i jepte fund absurditetit shqiptar, në të cilin gradën “doktor i shkencave” e kanë fituar edhe politikanë gjatë mbajtjes së posteve drejtuese deputetë, ministra, gjyqtarë etj.
Reforma synon po ashtu, t’i japë fund edhe marrjes së diplomës me studime “dy ditore” në sistemin part time, një sistem i cili në jo pak raste mundësonte “futjen nga dritarja” të atyre që u “ishte mbyllur dera”. Jo rrallë, kandidatët që nuk plotësonin kriteret për të ndjekur studimet me kohë të plotë, arrinin të futeshin në sistemin part time, duke siguruar kështu në përfundim të studimeve një diplomë të barasvlershme me atë të sistemit të ditës. Edhe ky aspekt i reformës është kritikuar padrejtësisht, gjoja me pretendimin se mohon të drejtën kushtetuese për arsimim gjatë gjithë jetës. Reforma nuk synon heqjen e një mundësie të tillë, por ajo synon eliminimin e studimeve “të përshpejtuara’ ose të “fundjavëve”, që përveç pranimit të studentëve që në shumë raste nuk i plotësonin kriteret e pranimit, dhe, nga ana tjetër, mbingarkonte edhe personelin akademik të IAL-eve, duke mos u lënë as mundësi të pushonin gjatë fundjavës. Mund të imagjinohet lehtësisht se sa kohë mund t’i mbetej personelit akademik për të realizuar kërkim shkencor, kur u kërkohej të ishin në auditor nga e hëna deri të djelën.
Po kështu, reforma synon eliminimin e një praktike tjetër “të pandershme”, atë të transferimit të studentëve nga IAL-et private drejt atyre publike gjatë viteve të ndërmjetme të studimit. Studentët që nuk plotësonin kriteret e pranimit në IAL-et publike, fillonin studimet në IAL-e private që nuk përcaktonin kritere për pranimin e studentëve dhe pastaj siguronin transferimin drejt IAL publike. Në këtë mënyrë, arrinin t’i shmangeshin filtrit fillestar të seleksionimit të atyre kandidatëve që i kanë aftësitë për të ndjekur studimet në arsimin e lartë. Këtij qëllimi i shërben edhe vendosja e një niveli minimal të notës mesatare për të ndjekur studimet në arsimin e lartë.
Aspekt tjetër është veçimi i drejtimit akademik të universiteteve nga ai administrativo-financiar. Për të balancuar të dy këto aspekte, e konsiderojmë si shumë pozitiv veçimin e funksioneve të senatit akademik nga ato të bordit të administrimit. Sigurisht që këto autoritete drejtuese nuk mund të funksionojnë të veçuara prej njeri tjetrit dhe duhet të koordinojnë veprimtaritë e tyre për të përmbushur me sukses misionin që ka IAL. Kjo do të sillte dhënien e mundësive drejtuesve akademikë që të “çliroheshin” nga barra e çështjeve administrative, e cila u kushton atyre kohë dhe energji. Ndoshta, ka vend që të rishikohet propozimi për caktimin e një administratori pranë çdo departamenti, pasi shumë departamente janë me një numër aq të vogël personeli, saqë një administrator do të përbënte një barrë financiare për këtë njësi bazë. Ligji mund t’ia lejojë këtë hapësirë vlerësimi çdo IAL-i në se e konsideron të domosdoshëm caktimin e administratorit pranë çdo njësie bazë në kushtet kur gjykon që këto funksione mund të përmbushen nga administratori i njësisë kryesore.
Krijimi i Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor ka qenë një domosdoshmëri prej kohësh për shkak se kërkimi shkencor në IAL është lënë pas dore, duke u shndërruar thjesht në institucione mësimdhënëse. Për një zhvillim ekonomik të suksesshëm kërkimi shkencor është i pazëvendësueshëm. Aftësimi profesional i personelit akademik ndikon pozitivisht edhe në përgatitjen e studentëve për karrierën e tyre profesionale.
Aktualisht ndodhemi në kushtet e një mungese të një baze kombëtare të të dhënave për kërkimin shkencor. Shumë prej punimeve “shkencore” janë thjesht përkthime të shëmtuara dhe plagjiatura të rëndomta, gjë që ka mundësuar marrjen e gradave shkencore dhe titujve akademikë në mënyrë të pamerituar. Ngritja e një agjencie të tillë do të synojë shmangien e këtyre dukurive negative të deritanishme.
Kritikat e bëra mbi financimin edhe të IAL-eve private prej kësaj agjencie janë krejtësisht pa vend sepse kërkimi shkencor i shërben zhvillimit të përgjithshëm të vendit, pavarësisht faktit nëse vjen prej një IAL-i publik apo privat. Financimi i kërkimit shkencor duhet të bëhet mbi bazën e parimit të meritës: le të përfitojë më i afti. Vetëm zbatimi i një parimi të tillë garanton zhvillimin e vendit, siç ka treguar tashmë përvoja e vendeve perëndimore.
Ne propozojmë që e gjithë reforma të fillojë të zbatohet pas një pune skrupuloze të një agjencie akreditimi, e cila të lejojë vazhdimin e veprimtarisë vetëm për ato IAL-e që plotësojnë standardet. Të gjitha të tjerat, qofshin private apo publike, duhet të mbyllen.
Po kështu, zbatimi i reformës duhet të jetë gradual, pra i përshkallëzuar në kohë, në mënyrë që IAL-et që do të lejohen të vazhdojnë veprimtarinë e tyre t’u jepet kohë për t’u përshtatur me risitë që sjell reforma.
punojne te privati prandaj do mbrojne privatin. shkrim pa interes me konflikt interesi