P/ligji për shërbimin sekret ushtarak, mbikëqyrje edhe nga media/ Opozita kundër, Lutaj: PD e vesh dhe e zhvesh Presidentin sipas rastit

13 Qershor 2014, 11:52Politika TEMA

Komisioni parlamentar i Sigurisë është përfshirë nga debatet gjatë diskutimit të p/ligjit për Agjensinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Opozita ka kundërshtuar draftin e paraqitur duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën dhe që është një tjetër akt që cënon kompetencat e Presidentit të Republikës. Në anën tjetër deputetët e mazhorancës, si dhe zv/ministri Dritan Hila dhe nëndrejtor i SHIU-t Eduart Bala, që kanë mbrojtur draftin në Komision, janë shprehur se drafti është konsultuar me agjensitë e vendeve mike.

Nëndrejtori i SHIU u shpreh se shërbimet sekrete duhet të mbikëqyren nga shoqëria civile dhe nga masmedia, ndërsa shtoi se drafti do të diskutohet edhe me agjencitë ndërkombëtare.

Në anën tjetër zv.ministri Hila theksoi se ligji i ri ka ndryshuar me 50% nga i vjetri, duke shtuar se ligji ekzistues ka devijime dhe bie ndesh me ligjin bazë të Forcave të Armatosura.

“Ligji i ri është fokusuar vetëm tek FA. Ai është në konsultim me shërbimet sekrete të vendeve mike”, ka sqaruar Hila.

Diskutimi i draftit është shoqëruar edhe me akuza me palëve. Nënkryetari i Komisioni parlamentar të Sigurisë, deputeti i PD-së Flamur Noka tha se ligji actual është miratuar në konsulencë të plotë me NATO, ndërsa ka kërkuar sqarime se në cilin aspekt ai nuk ka funksionuar.

“Më thoni një arsye ku ka çaluar. A jeni konsultuar për ligjin me NATO-n?”, u shpreh Noka, duke shtuar se me këtë ligj ka kthim mbrapa në demokracinë tonë.

Në vijim ai ka pyetur nëse Nëndrejtori i SHIU ka përfunduar shkollën e Sigurimit të Shtetit, por përgjigjia ka ardhur nga kreu i komisionit Spartak Braho, i cili e ka cilësuar pyetjen provocative.

“Është pyetje provokative. Po kur Sali Berisha i bënte analiza veprës së Enver Hoxhës, Bala bënte detyrën”, ka reaguar Braho.

Në përgjigje të tij, Noka akuzoi kreun e komisionit parlamentar të sigurisë se ka dënuar me vdekje një ushtar gjatë periudhës së diktaturës.

Ndërkohë, Sekretari i Komisionit parlamentar të Sigurisë deputeti socialist Piro Lutaj duke mbrojtur draftin tha se ai i jep zgjidhje shqetësimeve të deritanishme në lidhje me shërbimin. Përsa i takon pretendimit të PD-së se drafti zhvesh Presidentin e Republikës nga kompetencat, Lutaj duke përdorur një batutë tha “ju mund ta vishni dhe zhvishni Presidentin sa herë të doni”.

Pas debateve, drafti është miratuar në parim vetëm me votat e mazhorancës. Në relacionin që shoqëron këtë projektligj thuhet se po bëhet një harmonizim edhe më i mirë me standardet e vendeve të NATO-s.“Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes” do të quhet tashmë “Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, duke bërë që kjo agjenci të përqendrohet në fushën e inteligjencës dhe sigurisë. Bazë referenciale për hartimin e projektligjit “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” kanë qenë ligji nr. 9074, datë 29.5.2003, “Për Shërbimin Informativ Ushtarak”, i shfuqizuar, i cili ishte një ligj që u pranua nga shërbimet partnere inteligjente dhe kryesisht nga ai amerikan dhe që u miratua me një konsensus të plotë parlamentar.

Struktura dhe organika e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes do të miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Ndërkohë që rregullorja e brendshme e saj do të miratohet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj Agjencie. Risi e projektligjit është plotësimi i kushtit të sigurisë për verifikimin e pastërtisë së figurës për të qenë kandidaturë e përshtatshme, me integritet të plotë personal dhe profesional për të ushtruar funksionin si drejtor apo zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ky kriter është përcaktuar te kriteret e përgjithshme të pranimit, të përcaktuara në nenin 31 të projektligjit. Për këto dy funksione është sanksionuar periudha e eksperiencës në struktura të inteligjencës ushtarake ose institucione të ngjashme me to, përkatësisht 15 vjet për drejtorin e Përgjithshëm, dhe 10 vjet, për zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm. Drafti parashikon që në çdo rast, një nga zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm do të jetë civil.

Një kusht themelor për t’u punësuar në strukturën e Agjencisë është dhe plotësimi i kushtit të sigurisë, i cili përfshin verifikimin e pastërtisë së figurës dhe pajisjes me “certifikatë sigurie”. Një kusht i fortë parandalues është ai që parashikon se nuk mund të lidhin marrëdhënie pune me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes personat, të cilët nuk plotësojnë kushtin e sigurisë. Projektligji, në nenin 26 të tij, parashikon autoritetet që do të kenë të drejtën e ushtrimit të kontrollit parlamentar, administrativ dhe ligjor mbi veprimtarinë e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i cili do të ushtrohet në përputhje më Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ligjore në fuqi. Ato janë Kuvendi, Kryeministri, ministri i Mbrojtjes dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes ose drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, i autorizuar prej tij, do të raportojë për veprimtarinë e kësaj Agjencie në komisionin përkatës parlamentar për sigurinë, lidhur me çështjet e inteligjencës dhe sigurisë, të paktën një herë në vit. Raportim do të bëhet edhe sa herë që kërkohet. Kontrolli i ushtruar dhe raportimet e bëra nga autoritetet e sipërpërmendura do të kryhen duke ruajtur burimet dhe informacionet e klasifikuara, sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas draftit, grumbullimi, përpunimi, analizimi, prodhimi dhe inteligjenca, administrimi dhe paraqitjen e informacionit për veprimtari, të cilat kërcënojnë e rrezikojnë pavarësinë e shtetit, tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të tij, planet ushtarake mbrojtëse, realizimin e misionit të Forcave të Armatosura, si dhe për veprimtari, që lidhen me spiunazhin, ekstremizmin, terrorizmin, sabotazhin, diversionin, subversionin, në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes e të Forcave të Armatosura janë detyrat kryesore të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes. Ndryshe nga ligji aktual, burimet sinjalore të Agjencisë grumbullojnë informacion vetëm me natyrë zbulimi jashtë vendit. Në projektligj janë përcaktuar në mënyrë të qartë format dhe metodat e grumbullimit të informacioni që janë bashkëpunimi me individë, përdorimi i mbikëqyrjes së fshehtë, krijimi dhe përdorimi i evidencës operative dhe përdorimi i mjeteve teknike dhe elektronike.

Ndërkohë që përgjimi i telekomunikimeve dhe kontrolli postar për sigurimin e informacionit të nevojshëm do të bëhen sipas legjislacionit në fuqi për përgjimin e telekomunikimeve. Këto procedura, në ligjin aktual në fuqi nr. 117/2012, nuk pasqyrohen në mënyrë direkte. Në projektligj i është dhënë një rëndësi e veçantë përdorimit të identitetit të dyfishtë, duke përcaktuar mënyrën dhe procedurat kur një individ dhe/ose punonjës i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes përdor identitet të dyfishtë, në mënyrë të përkohshme, me qëllim garantimin e sigurisë së operacionit.Neni 25 i projektligjit përbën risi pasi përcakton mënyrën e shpërndarjes së informacionit të klasifikuar që përftohet nga veprimtaria informative e Agjencisë dhe personin që ka të drejtën për t’u njohur me këtë informacion. Risi e projektligjit është edhe fakti i sanksionimit të ruajtjes së informacionit të klasifikuar, i cili përftohet nga veprimtaria informative e Agjencisë, informacion i cili ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” dhe të “NATOs. Është parashikuar një raport midis punonjësve ushtarakë dhe punonjësve civilë të Agjencisë së nteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, sipas të cilit personeli civil do të jetë deri 40 % të numrit të përgjithshëm të punonjësve të Agjencisë.

2 komente në “P/ligji për shërbimin sekret ushtarak, mbikëqyrje edhe nga media/ Opozita kundër, Lutaj: PD e vesh dhe e zhvesh Presidentin sipas rastit”

  1. arjan says:

    hajde civila se kane hapur vende pune. ushtaraket te gjejne informacion ndersa civilet ta shesin.po nuk jemi europe ne more te mjere.ku kemi kaq civila qe njohin punen e agjencise. me mire te ishte shkrire fare AIM.

  2. O zoterije a nuke kupton I realitetin ne paguajmekanalet ushtaret me rogen me mend je ne beri she’s mere I djembe e Rije te bejne ushtri ne si vendet e raj onit ne nuke jemi me te pasusur se greku edhe greku ne NATO eshte edhe Italians kurse ne fluturojme me mendoem e Salyut nenuke e ke I arritur akoma ekonomine e amerikes akoma nuke paguajmekanalet dote pensioner te paguajmekanalet ushtaret me leek djembe ti come me lope kjo eshte mend je e plakute te com endure a nuke e kupton I se ka rreshqiture ndryshon I lignin per ushtri ne me ato para qe paguni ushtaret blejme armatime dhe blejme rouge likujdoje borxhet sales dhe shume energjenca te Tjera,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje