Zv.ministrja e Arsimit Nora Malaj deklaron se provimi i Maturës Shtetërore për lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi shënoi një standard të lartë cilësie në administrim. Malaj tha se provimi i detyruar i Maturës Shtetërore 2014, sesioni i parë, në lëndën “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, u zhvillua në 212 qendra provimi në të gjithë vendin, të administruara nga 3856 administratorë, trajnuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Ajo bëri me dije se në provimin Gjuhës shqipe dhe Letërsisë u përjashtuan nga procesi: 13 nxënës të gjetur me celularë, 4 nxënës të gjetur me karta identiteti të rremë dhe 3 administratorë për shkelje të rregullores së MSH.
Duke sqaruar se masat e sipërpërmendura, për nxënësit dhe administratorët e provimeve, janë marrë në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore 2014, Malaj tha se MAS mori të gjitha masat për të realizuar një proces me standard të unifikuar, për të mundësuar një vlerësim objektiv.
“Bazuar në nenet 28, 29 dhe 30 të Rregullores së MSH 2014, AKP, ka zbatuar me korrektësi procedurat e vlerësimit të testeve të lëndës “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, për maturantët në të gjithë vendin. Siç e dini, risi e MSH 2014 ishte rritja dhe deklarimi i pragut të kalueshmërisë që përpara zhvillimit të provimit. Nxënësit duhet të marrin 10 pikë (20%) për të qenë kalues. Kjo në kuadrin e transparencës dhe për të parandaluar abuzivitetit në vlerësim”, bëri të ditur zv. ministrja e Arsimit.
Ajo shtoi se është filluar me vlerësimin e testeve në dt.02.06.2014 në qendrat e vlerësimit: Tiranë, Elbasan, Shkodër, Korçë dhe Fier. Procedura e vlerësimit ka përfunduar në dt.12.06.2014. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit është realizuar me pikë, të cilat u ekuivalentuan në notë të përshkallëzuar.