Meta: Vizita e Presidentit të KE, historike/ Barroso apel në Kuvend: Respektoni marrëveshjet, gjeni konsensusin (VIDEO)

30 Qershor 2014, 12:57Sociale TEMA

Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, i është drejtuar me një fjalë përshëndetëse parlamentit shqiptar.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e cilësoi historike vizitën e sotme në Tiranë të Presidentit të KE-së, e cila ven pak ditë pas marrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit në BE.

“Shqipëria dhe rajoni ynë kanë avancuar në mënyrë të dukshme drejt integrimit euroatlantik. Presidenti Barroso vjen sot në një vend anëtar të NATO-s dhe vizita ka një kontekst tepër të rëndësishëm për Shqipërinë. Më lejoni të shpreh mirënjohjen e Kuvendit për punën e palodhur të Komisionit Europian në mbështetje të kandidaturës së Shqipërisë për statusin e kandidatit. Do ta siguroja Presidentin se Parlamenti shqiptar do të jetë i angazhuar në përmbushjen e reformave ligjzbatuese”, tha Kryetari i Kuvendit.

Meta theksoi se vendimi për Shqipërinë ishte ai i duhuri, por ishte dhe një mesazh pozitiv për rajonin tonë.

“Vendimi ishte dëshmi e angazhimit të BE-së në favor të perpektivës së rajonit tone”, theksoi Meta, i cili më pas i dha fjalën Presidentit të Komisionit Europian Hose Manuel Barroso.

Barroso: Anëtarësimi, në dorën e shqiptarëve

Presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso garantoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian nuk do të përfundojë pa integrimin e vendeve të Europës Juglindore. Duke iu drejtuar me një fjalim përshëndetës deputetëve shqiptarë, në seancën e posaçme, ku ishin të pranishëm edhe Ambasadorët e akredituar në Tiranë, Barroso theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është në BE.  Kryekomisioneri shtoi se vjen në Shqipëri për të sjellë asistencën dhe mbështetjen e KE-së në hapin e rradhës që ka vendi ynë pas marrjes së statusit kandidat.

“Natyrisht që vendet që duan të jenë anëtare duhet të plotësojnë kushtet. Ky proces zgjerimi nuk ka përfunduar dhe nuk do të përfundojë pa integrimin e Europës Juglindore. Vendet e rajonit e shohin BE-në si një vend shprese. E ardhmja juaj është në BE”, theksoi Barroso.

Në vijim ai drejtoi një apel për respektimin e marrëveshjeve mes palëve, ndërsa e cilësoi këtë si çelësin e suksesit që ka në Bashkimin Europian.

“Statusi është një hap i rëndësishëm, por tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues të një populli, të një vendi si Shqipëria të cilin unë e vlerësoj shumë. Unë besoj se ju jo vetëm do të merrni të mirat e anëtarësimit në BE por mund edhe të jepni kontribut për stabilitetin në rajon. Komisioni Europian do të vazhdojë të punojë bashkë me ju me përkushtim në këtë rrugëtim, që së bashku të shkruajmë të ardhmen europiane dhe kapitujt e ardhshëm të historisë suaj të madhe”, theksoi Barroso

Teksa foli për zgjerimin e BE-së, Presidenti Barroso, tha se procesi i integrimit kërkon tejkalimin e disa sfidave, dhe siç theksoi ai, kalimi i këtyre sfidave kërkon konsensusin e të dyja palëve. Ai tha se tashmë pas integrimit, vëmendja ndaj Shqipërisë do të jetë edhe më e madhe nga ana e vendeve anëtare.

“Është nder për mua dhe jam mirënjohës që të flas para Kuvendit të Shqipërisë vetëm disa ditë pas vendimit historik të BE-së për t’i dhënë Shqipërisë statusin, një vendim i propozuar nga KE dhe i miratuar me unanimitet nga të gjitha vendet anëtare. Ky vendim lë pas një faqe të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe shënon nisjen e një faze të re”, u shpreh Barroso.

Presidenti i Komisionit Europian i drejtoi një apel politikës shqiptare, që në kuadër të integrimit, duhet të ketë parasysh konsensusin e të dyja palëve për reformat që kërkojnë hapat në procesin e integrimit.

“Ka gjithmonë sfida të reja që dalin. Unë mund të them këtë pasi kam qenë në krye të KE-së dhe mund të them që kjo përpjekje ja vlen. Për të realizuar përpjekjet duhen 2 palë, dhe atëherë do të thotë që vendi është gati për anëtarësim, dhe pas marrjes së statusit, mund tju them se do të ketë një vëmendje edhe më të madhe, kjo sepse vendet anëtare do t’ ju shohin më me shumë realizëm pasi ju shohin si vend kandidat për në Union. Besoj se konsesusi duhet në shumicën e fushave, dhe në të njëjtën kohë ju nuk duhet të harroni këtë konsensus në fusha të rëndësishme si ajo e integrimit në BE. Dhe ne në BE e kemi të rrënjësorur këtë, si vlerë kyçe. Suksesi i Europës është rezultati i një vendosmërie të fortë nga kombet europiane dhe institucionet e BE-së që nga fillimi. Unë besoj që ky angazhim do të respektohet nga politika shqiptare. Në këtë kuadër unë Ju uroj për punën e bërë që do të ndihmojnë në konsolidimin e konsensusit dhe rrjedhimisht edhe integrimi në BE. Unë dua që t’i mbani sytë hapur në këtë drejtim, pasi integrimi në BE ja vlen. Është vetë udhëtimi që sjell të mira, duke mos harruar që ajo që është e rëndësishme për të gjtihë ne është synimi për paqe e begati për të gjithë”, tha Barroso.

Duke folur në lidhje me mbështetjen, Presidenti Barroso theksoi se kjo mbështetje, krahas të tjerave do të vijë edhe në aspektin ekonomik. Ai theksoi se mbështetja e KE-së për Shqipërinë do të vijë edhe në reforma financiare, ku siç shtoi Barroso do të sjellin stabilitetin ekonomik të Shqipërisë.

“Aplikimi i standarteve europiane, reformat ekonomike sado të vështira të jenë do t’ju ndihmojnë për të arritur stabilitetin ekonomik përmes rritjes graduale të ekonomisë. Të jeni të sigurt që KE do të bashkëpunojë me autoritete financiare, do të mbështesë në politika dhe financime ekonomike. Ndaj unë ju uroj ju për angazhimin tuaj në rajon, pasi me anë të nismave dhe projekteve ekonomike në rajon, e ndihmon edhe vendin dhe politikat financiare të rajonit. Europa nuk qështë një synim i largët, Europa jemi ne, secili prej jush. Shqipëria është pjesë e Europës. Integrimi i Shqipërisë në BE duhet të jetë një projekt për secilin prej nesh, jo vetëm i krerëve të politikës, por i gjithë shoqërisë. Ky është një nga mësimet më të mira që ne kemi marrë sa i përket zgjerimit”, theksoi Barroso.

1 komente në “Meta: Vizita e Presidentit të KE, historike/ Barroso apel në Kuvend: Respektoni marrëveshjet, gjeni konsensusin (VIDEO)”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje