Kuvendi diskutoi në seance plenare disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, i miratuar në vitin 2009. Amendimi i ligjit synon të rregullojë marrëdhëniet e pronësisë mbi truallin dhe objektet e ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin, që janë dhënë për realizimin e veprimtarive të stimuluara, sipas ligjit në fuqi.
Sipas ministres së Turizmit, Eglantina Gjermeni, ligji aktual rregullon marrëdhëniet e krijuara me ligjin e mëparshëm ndërmjet personit që kishte fituar titullin “person i stimuluar”, që nënkupton çdo person fizik ose juridik, që ka lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me qiradhënësin, për një veprimtari të stimuluar.
Drafti i propozuar rregullon mangësitë ose korrigjon çështje teknike, të cilat i ka të domosdoshme çdo ligj pas disa vitesh. Ligji i ri përfshin disa kategori ndërtimesh me leje në zonat turistike, të cilat ligji i 2009-s nuk i përfshinte. Ministrja Gjermeni theksoi se zgjidhja e problemit të pronësisë së truallit pronë private do të kryhet përmes procedurave të kompensimit financiar, sipas çmimeve të tregut .
Partia Demokratike shprehu votën e saj kundër ndryshimeve, qëndrim që solli reagimin e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj, i cili e cilësoi të çuditshëm këtë qëndrim. Xhafaj theksoi se kjo e bën të mendojë se opozita ka dy qëndrimë, një në Kuvend dhe një në Komision.
“Po më bën habi qëndrimi i shfaqur nga PD në Kuvend që kërkoi të mos votohej projektligji, sepse ne kemi qënë së bashku në Komision dhe nuk kam dëgjuar ndonjë mendim kundër. Me sa duket ka dy qëndrime, një në komision dhe një në kuvend. Vlerësoj debatin konstruktiv në komision që është edhe komisioni përgjegjës për këtë projektligj. Kjo është një përpjekje e jashtëzakonshme për të vendosur rregull në kaosin e ndërtimeve në zonat turistike, që ka ardhur edhe për shkak të mangësive në legjislacion”, theksoi Xhafa
Duke folur për projektligjin, Xhafaj tha se ky ligj do të rregullojë kaosin e krijuar nga ndërtimet në zonat turistike, gjë e cila nuk është arritur sipas tij në ligjet e mëparshme.
“Kur erdhën propozimet në komision, disa prej nesh përfshirë edhe unë, ishim disi skeptikë. Ligji për turizmin prodhoi vetëm apartamente dhe shtëpi banimi që iu shitën qytetarëve, por jo zhvillim për zonat. Ishte një absurd sepse me ligjin e vitit 2007, shteti nuk merrte më as qiratë nga trojet shtetërore në zonat turistike. Zgjidhjet ligjore kanë qënë gjysmake. Ligji i vitit 2009 ishte edhe selektiv, sepse trajtonte vetëm një kategori të caktuar të personave të stimuluar. Kanë qenë rreth 59 persona të stimuluar që kanë ndërtuar. Ky duket si ligj turizmi, por në fakt është edhe për legalizimin e 14 mijë familjeve. Siç e dimë, në proces legalizimi janë përfshirë rreth 273 mijë ndërtime pa leje. Vetëm nga 1 marsi deri në 31 qershor, janë azhornuar në terren mbi 20 mijë objekte”, tha Xhafaj.
PD ska ditur kurr cte thote, vetem llafe kot ka pasur vetem zhurm kot sa per te bere zhurm kot me kot jane kto.