Shqipëria ime fantastike/ Lezha, treva mbarëshqiptare

31 Korrik 2014, 21:16Kulturë TEMA
Shqipëria ime fantastike/ Lezha, treva mbarëshqiptare

“Shqipëria ime fantastike” është një projekt i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, i cili synon që të sjellë në vëmendjen e lexuesit shqiptar destinacione dhe atraksione turistike, të cilat vlejnë të vizitohen përgjatë 2014. Ky suplement do të çojë lexuesit në çdo cep të vendit për ta bërë atë të njohë elementë nga kulinaria, trashëgimia kulturore, hoteleria dhe artizanati, që zona të veçanta ofrojnë

 

Gushti nuk mundet veç të na nxisë dëshirën për të ndalur vrapin në breg të detit.

E ku tejtër vecse në Shëngjin, plazhin e vjetër të qytetit, por ndoshta më mirë akoma në plazhet e rinj fare pranë të famshmes “Rëra e Hedhur” apo edhe në drejtim të Kunës…

Eshtë fare pranë kryeqytetit (për të mos folur për afrinë me Shkodrën apo qytete të tjera më të vogla). Dhe pastaj është destinacioni më i afërt i turistëve nga Kosova, që prej vitesh e kanë bërë zakon t’i kalojnë pushimet në Shqipëri.

E pra Shëngjini ia vlen. Dhe kjo vetëm për një drekë me peshk të freskët apo prodhime të tjera deti, por mbi të gjitha për cilësinë e rërës, në të cilën jodi i detit ka lënë gjurmë të dukshme.

Nuk e teprojmë aspak nëse themi se njollat e errta të jodit në bregun verior të Shëngjinit, në një shëtitje drejt “Rërës së Hedhur”, të bindin për cilësitë kurative të këtij plazhi.

Por jo vetëm.

Sepse turizëm nuk do të thotë doemos vetëm plazh. Sigurisht bregu i detit është joshës në temperaturat e larta të gushtit, por kur mundësia e freskimit në valët e buta dhe puhizën e bregut shoqërohet me jo pak gjëra të tjera, atëherë padyshim që duhet shkuar pikërisht atje.

Dhe në këtë rast, vetëm 8 kilometra larg Shëngjinit dhe kemi mbërritur në Lezhë (5-10 minuta larg me makinë pra, varësisht trafikut)… që bën këtë zonë një pasuri natyrore dhe kulturore njëkohësisht.

 

Turizëm natyror dhe kulturor

Turizmi që ju ofron Lezha është i shumëllojshëm, turizmi historik dhe arkeologjik, dhe nëse themi turizëm natyror, kësaj here e kemi fjalën për malin.

Ajo që e bën qytetin e Lezhës interesant dhe me vlera të mëdha turistike, janë objektet historike muzeale, objektet arkeologjike si dhe objektet e kultit. Përsa i përket turizmit detar, 38 kilometra vijë bregdetare (duke i kapërcyer kufijtë e Shëngjinit, sepse një breg jo pak interesant ofron edhe Talja, një plazh i shfrytëzuar vetëm pas viteve ’90), krijojnë mundësi zhvillimi për pika e vende të tjera plazhi e pushimi, përveç plazhit të Shëngjinit, Kunes.

Ky vend të ofron një tjetër turizëm, atë lagunor, i cili krahas bukurive natyrore të lagunave të Kune- Vainit, të ofron florën e faunën të shumëllojshme, të cilat kontribuojnë në biodiversitetin dhe që shtojnë vlerat eko- turistike të këtyre lagunave.

Lumenjtë si Drini, Mati, Fani etj, krijojnë kushte të favorshme dhe mjedise të bukura për turizmin. Prania e maleve me florën dhe faunën e pasur, klimën kuruese dhe burimet ujore favorizojnë turizmin malor ku mund të përmendim Bjeshkën e Kunorës, Shenjtit, Zepës, Kroi në Bardhë.

 

Në qytetin e Lezhës

Që të shkoni në kështjellë, duhet të merrni një rrugë pas Memorialit të Skënderbeut dhe të ngjiteni lart. Kështu do të keni mundesi të ecni nëpër një peizazh, që ka mbetur deri diku i paprekur.

Para se të shkoni në kala, do të ndeshni në një lagje me shtëpi të vjetra. Mbase janë të fundit që kanë mbetur që nga kohët e para. Do t’i dalloni menjëherë nga arkitektura e veçantë, të mbuluara nga gjelbërimi i dendur.

Një pjesë e mureve rrethues të kalasë janë restauruar kohët e fundit, duke e rikthyer disi madhështinë e dikurshme.

Brenda mureve të kështjellës do të keni mundësinë të shihni disa ndërtime të periudhës osmane e disa edhe më të hershme.

Në përgjithësi ndërtimet e brendshme nuk janë gërmuar ende sa duhet.

Nëse udhëtoni në periudhën e verës, mirë është që këtë udhëtim që zgjat rreth një ore e gjysmë në këmbë, ta bëni pasdite. Kështu jo vetëm i shpëtoni vapës, por do të keni mundësi të shihni edhe një pamje të paharrueshme: perëndimin e diellit mbi Adriatik.

Nga kalaja shihet një pjesë e mirë e Fushës së Zadrimës, derdhja e Drinit dhe ajo e Matit. Mos e humbisni rastin!

Pak histori

Kështjella e Lezhës konsiderohet më e madhja në Shqipërinë Qendrore si dhe simbol i arkitekturës ushtarake të vonë romake, bizantine e osmane.

Ajo ndodhet mbi një kodër rreth 305 metra të lartë dhe rreth 80 metra prapa kishës françeskane.

Porta e hyrjes ndodhet në anën jugperëndimore të fortifikimit dhe është pjesë e kullës që ruante anën e poshtme të qytetit të lashtë.

Vlen të përmendet se teknikat e ndërtimit janë të ndërlikuara, pasi janë përdorur blloqe të mëdha guri, të prera me precision të lartë e te latuara mirë.

Në brendësi të kështjellës, sapo hyn nga porta, do të shihni rrënojat e ndërtesave osmane, një xhami garnizioni, si dhe një masiv gëlqeror në qendër.

Sheshi rreth këtij masivi është afërsisht 250 metra katrorë, ndërsa muret rrethuese që i përkasin periudhës bizantine janë dëmtuar nga osmanët, të cilët i përdorën gurët për ndërtime të tjera. Duke kaluar nga ana e murit juglindor gjendet një kullë që përbehet nga një hark romak, ndërsa në pjesen jugore të murit gjendet vetëm një bazë kulle, mbi të cilën janë bërë rindërtime të mëvonshme.

 

…dhe monumente të tjera

Memoriali i Skënderbeut, që është ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku u varros Skendërbeu në 1468.

Kisha Françeskane që është ndërtuar në vitin 1240. Ka marrë këtë emër pasi këtu është zhvilluar kuvendi i parë françeskan në nderim të Shën Françeskut.

Mos harroni hotelin e Kontit Çiano…

Fama e Hotelit të Gjuetisë në Lezhë prej kohësh e ka kapërcyer famën e qytetit.

Jo vetëm hoteli dhe arkitektura e tij, por edhe zona rrotull ka një natyrë të mrekullueshme për faunën dhe florën që përmban…

SI PËRFUNDIM: Shkoni në Lezhë, vizitoni monumentet, ngjituni në kala, kaloni nga Hoteli i Gjuetisë… dhe pastaj zgjidhni një nga hotelet e Shëngjinit… eksplorojeni vijën e gjatë bregdetare. Nëse do të shëtisni drejt veriut e të kapërceni Rërën e Hedhur do të mbërrini në Rrjoll e madje edhe në Velipojë, nëse nuk lodheni të ecni. Por mund të zgjidhni që ta bëni plazhin edhe në Tale, duhet të merrni kthesën në autostradë, edhe pa hyrë në Lezhë, majtas, teksa vini në Tiranë (apo edhe nga Kosova). Restorantet e zonave bregdetare, apo ato të lagunës do t’ju bëjnë të mendoni për t’u kthyer sërish…

Shkoni në Lezhë!

4 komente në “Shqipëria ime fantastike/ Lezha, treva mbarëshqiptare”

  1. al says:

    Agjensia kombetare e bregdetit po kryen nje pune fantastike me pronovimin e turizmit tone dhe bukurive te mahniteshme te shqiperise.Auron Tare pa frike eshte manaxheri me i mire i turizmit dhe kultures shqiptare.Bota tani ka filluar te njohe shqiperine dhe magjepset nga peisazhet e virgjera si ne bregdet ashtu dhe ne mal.Ndryshimi i infrastrukures se rrugeve dhe hotelerise si edhe menyra me e mire e sherbimeve patjeter do te sjellin bum ne sektorin e turizmit.Shqiperia eshte fantastike.

  2. shqipe says:

    ME E BUKUR LEZHA SE DURRESI SPO VJEN KUSH NE DURRES PER PLAZH SE VANGJUSHI NUK DIN TE NGOPET ME LEK.

  3. Mondi_TR says:

    @ al Ore mos je gje Auroni qe mburr veten ahahahah, se ketu ne artikull nuk permenden as emra ? direkte ne lavderime, mos harroni here tjeter dhe adresen e shtepise qe te jemi te sigurt se per ke flitet. Vazhdoni akoma me mentalitetin e kohes se xhaxhit…genjejme veten se jemi nr 1! Shqiperise nuk i keni lene asgje te bukur dhe ato qe kishte i bete beton te gjalle, shtepi te shemtuara, si ajo qe ke tek foto e pare, kujdes me cropin here tjeter; dhe kioska shpifarake ( s’po permend plehrat se jemi njeosoj me Somaline pastaj) Po pse o te uruar keshtu behet turizmi, me wikipedia? Dhe ata turiste te huaj qe vijne si hyne dalin. Dembelhanet e AKT dhe gjithe sektorit te turizmit nuk kane si te shtyjne kohen dhe te justifikojne rrogen dhe hedhin nganje kabull si ky

  4. Kola i Druve says:

    I nderuar MERO!

    Ju lutem, fshijeni nje ore e me pare kete shkrim përçudnues per Lezhen.
    Nuk kam lexuar shkrim me idiot! Eshte nje turp i vertete! Me pasaktesira dhe absurditete ne cdo fjali thuajse! Tamam per “mbiemrin” tim.
    Psh,
    Vec nje idiot/e (ca idiote/r) mund te shprehet, se keshtjella e Lezhes qenkesh SIMBOL i arkitektures ushtarake te vone romake,bizantine e osmane!?
    Vec nje idiot/e (ca idiote/r) mund te shprehet, se Kisha Franceskane (Dom Lleshit, ne fakt)e ndertuar ne 1240 paskesh marre kete emer pasi ketu qenkesh mbledhur kuvendi i pare ne nderim te Shen Franceskut!?
    Idiotesira te tilla, profanizma qe eshte turp t’i degjoje njeri!
    Do ta denoncoj neser ne median e shkruar!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje