Safeti, reciprociteti dhe “Bashkimi Kombëtar”

4 Gusht 2014, 15:46Blog TEMA

Nga Remzi Ejupi

Sa herë që flitet për bashkëpunimin tregtar Kosovë – Shqipëri, më kujtohen patatet nga Kosova që kalbeshin në kufirin me Shqipërinë, kur brenda natës u vendos taksa doganore, që dëmtoi keqas prodhuesit kosovarë. Dhe matanë kufirit çimentoja e Shqipërisë e bllokuar sepse Kosova pat vendosur që importuesit të paguajnë tarifën prej 35 për qind. Kur i shtohet kësaj situate, paradoksi që pa reshtur dëgjon premtimet patriotike për bashkim kombëtar, sfiduar nga një realitet ekonomik tërësisht në kundërshtim me propagandat politike që na shfaqen çdo ditë nëpër media.

Teksa flitet në skenën politike për avancimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy shteteve, e gjithë çfarë eksportohet nga Kosova për në Shqipëri janë hekurishtet. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë për trendin negativ të bilancit tregtar Kosovë – Shqipëri, vetëm gjatë muajit që lamë pas, Kosova ka eksportuar në Shqipëri në vlerë prej 3.9 milionë eurosh, ku pjesa dërmuese e tyre janë hekurishte, kurse në periudhën e njëjtë kohore importi nga Shqipëria ka kapur vlerën prej 12,1 milionë eurosh.

Derisa sfidohemi me deficit enorm tregtar, në kohën kur duhet angazhuar për një treg të përbashkët ekonomik, të propozohet një strukturë e përbashkët udhëheqëse e të dyja shteteve për të dyja tregjet paralelisht, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, del me propozimin për vënien e masave të reciprocitetit ndaj Shqipërisë.

Nuk do të isha habitur, sikur këtë propozim ta kishte dhënë OEK-ja për Turqinë, Algjerinë, Pakistanin…Për çudi, kur vetë Gërxhaliu dy vjet më parë kishte kritikuar ashpër vendimin e ministres, Mimoza Kusari-Lila, për vendosjen e taksës për çimenton e importuar nga Shqipëria, madje ai personalisht pat kërkuar edhe hetim ndaj këtij rasti, duke i dhënë konotacion korruptiv atij vendimi.

Por, si duket qëndrimet e OEK-ut ndryshojnë sa herë që ndryshojnë interesat e bizneseve, që qëndrojnë prapa politikës.

Nuk duhet kushedi se çfarë analize ekonomike për të parashikuar rezultatet e një vendimi të tillë. Çfarë i ka mbetur për të eksportuar Kosovës në Shqipëri, kur deri më tani me të gjitha përpjekjet është dëmtuar prodhuesi vendor? Edhe ata pak prodhues vendorë, që u munduan të zhvillojnë biznes matanë kufirit, u dërmuan nga politikat e pushtetit, nën shërbim të cilit vazhdon të jetë haptazi OEK-u me udhëheqësin e saj që çirrej sikur është për “mbrojtjen e interesave të biznesit”.

Po të ishte vërtet në mbrojtje të prodhuesve vendorë, do të kishte përkrahur së paku moralisht protestën e prodhuesve të qumështit, të cilët për shkak të favorizimit të importuesve të qumështit, ata sot mezi mbijetojnë. Fermerët janë vënë para bankrotit, edhe atë qumësht që ju marrin nuk ua paguajnë. Protestat e tyre, ditë më parë në qendër të Prishtinës, teksa në shenjë revolte derdhnin qumështin në rrugë përballë ndërtesës së Qeverisë, nisën dhe përfunduan me aq, pa ndonjë rezultat. Sepse ata nuk kanë fuqi të sfidojnë gjigantët e biznesit, miq të politikës që kanë mbushur tregun me qumësht të importuar dhe të përzier me qumësht pluhur.

Gërxhaliu nuk bëri zë as kur kohë më parë nëpër media transmetohej fushata kundër blerjes së qumështit që shitej nëpër rrugë, tregje dhe nga duart e fshatarëve, me pretekstin se gjoja “është me baktere dhe i rrezikshëm për shëndetin”. Ai dhe as OEK-u nuk rrinë në mbrojtje të prodhimit të vendit, duke krijuar kështu indirekt mbështetje për bizneset që financojnë partitë në pushtet, të cilat gjatë fushatës mashtruan fermerët vendorë ”se do t’ua blejnë gjithë qumështin”.

Normalisht, që në një ambient të tillë biznesi, ku monopolet krijohen nga dora e politikës, nuk ju konvenon partneriteti i përbashkët Kosovë – Shqipëri me kompani serioze, që kanë synim tregun e përbashkët evropian, sepse kjo do të destabilizonte monopolin e tyre.

Gërxhaliu më mirë se kushdo tjetër e di se hapja e tregut me konkurrencë fer do të dëmtonte bizneset, që qëndrojnë sot fuqishëm vetëm falë politikës. Sa na del me idetë për reciprocitet me Shqipërinë, Gërxhaliu bënë mirë t’i hedhë një sy fitimeve të bizneseve që bashkëpunojnë me kompani serbe, të cilët vetëm gjatë vitit 2013 importuan 285 milionë euro nga Serbia.

Bizneseve dhe prodhuesve vendorë u duhet një përfaqësues i denjë i interesave dhe të drejtave të komunitetit të tyre dhe jo një mbrojtës i interesave të një grupi biznesmenësh të varur nga politika.

Gërxhaliu duhet ta dijë mirë, se duke injoruar prodhuesin, siç po bënë së fundmi me qumështarët, shumë shpejt “qumështi do t’i tharbet!”

4 komente në “Safeti, reciprociteti dhe “Bashkimi Kombëtar””

  1. Kosovar says:

    Foli edhe ky sa ke investuar ti ne kosove kur shete pordha se je multi milioner dhe ke mbi 20% aksione te hambure international etj . Ike o remzi se ti vetem fjale je. Me sa di une ti nuk ke asnje investim ne kosove pervec nje agjencie udhtimi dhe klubin e futnollit Prishtina Fc i cili ka shum probleme.

  2. Kosovar says:

    Kosova nuk munde ti bllokoje mallrat e serbis ase ti zevendesoj me mallra te shqiperis pasi shqiperi nuk prodhone asgje pervece atyre fasonve qe prodhojn brek per italian e greke. Shqiperia edhe vete i importon nga maqedonia bugaria rumani e greqia ato mallra qe importon kosova nga serbia.

  3. Korabi says:

    Nuk ke mundur te nxjerrish kryet artikullit??
    Pe bashkimin kombetar nuk jan ata qe flasin si vetvendosja ase kuq e zinjet.Ata bashkohen me gjithken edhe me serbin ,grekun vetem kunder shqiptarve.Shife sa patriot esht mustafa,limaj, ramushi e Kuthi-kurti sa kur ngeli ne ngerc puna ja dhen fjalen serbes dhe drejtoj kuvendin si dikur ne shqiperi MILADINI E DUSHABEJ.
    Kosoves me keto qendrime e sjellje.veprime Mustfajt.limes e rame plus vet vendosja len qe humben shume pik per veti.
    por kosoves i ra imazhi NDRKOMBETARISHT ne te gjitha aspektet ku ska qeveri ska shtet sepse nuk lejon Treshja.ajo pa marr mandatin thote do ti rrezojm vendimet e qeverise akriale.
    Bejn presion presidentes,gjykates kushtetuse,Qeverin nuk e njfin FARE
    Kjo tergon cfare jane shqiptaret.

    sdhqiperia e kosva pertasin per vllazrim kur nuk kan asnje program praktik bashkpunimi per te zhvilluatr dica substaciale ne KOSOV ose ne shqiperi
    Asnje veprim per RESURSET shqiptare apo kosovare.Heshtje
    Shkojn bashk ne perkujtime Private familjare shtrohen dreka e darka pa asnje kuptime.

  4. Emigranti says:

    Fillimi eshte i mbare.Tani ti vendosim edhe viza Kosovistanit,qe natyrisht do jene te ardhura plus per buxhetin e shtetit tone.Pastaj edhe nje takse te vogel per rrugen e kombit dhe te shpresojme qe do shpetojme nga specngrenesit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje