Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku, gjatë një konferencë për shtyp, sqaroi edhe një herë për studentët se ata nuk kanë asnjë detyrim financiar për të tërhequr dosjen me dokumentacionin e tyre, pranë institucioneve të arsimit të lartë që ju është hequr licenca.
“I bëjmë me dije këtyre institucioneve, studentëve të tyre, dhe gjithë publikut, se ky veprim është i paligjshëm, pasi VKM 539, e publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 123, dt 7 gusht 2014, pika III, b, shprehet qartë: Të përgatisin dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve, dhe t’ia vënë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 1 shtator 2014”, tha Mazniku.
Nisur nga shqetësimet e studentëve se, disa institucione të arsimit të lartë privat kërkojnë para për t’u dhënë studentëve dokumentacionin, zëvendësministri tha se këto institucione do të përgjigjen para ligjit për çdo veprim të kundërt me sa më lart.
“Studentëve i bëjmë me dije që MAS i gjendet pranë secilit prej tyre, dhe koha kur atë ishin lënë të braktisur në dorë të piramidave ka mbaruar. Ata mund të na shkruajnë në çdo moment në adresën e email të MAS – [email protected]”.
Verifikimi i kritereve të ligjshmërisë është një ndër masat e marra në kuadër të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë, në të cilën u angazhuan më shumë se 40 punonjës me eksperiencë të gjatë pune në MAS, APAAL, dhe ISHA.