Qeveria miraton p/ligjin për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë.
Në relacionin që shoqëron p/ligjin thuhet se ligji ka për qëllim rregullimin e pensioneve të pleqërisë për punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, me moshë, vjetërsi të përgjithshme dhe vjetërsi pune në profesion, më të vogël se ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Neni 2 i draftit të propozuar përcakton subjektet përfituese të cilat janë:
a) punonjësit, të cilët deri në datën 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, sipas përcaktimeve në vendimin nr.526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori, për efekt pensioni”, të ndryshuar, kreut 1.
b) punonjësit, të cilët pas datës 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, të dokumentuara sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e mësipërm, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror.
Sipas p/ligjit, klanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë, punonjësit, të cilët:
a) arrijnë moshën 55 vjeç;
b) kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë.
Përjashtohen nga kushtet e vendosura në shkronjën “b”, të këtij neni, ish-punonjësit e nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji kur të arrijnë moshën 55 – vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë (përfshirë këtu edhe periudhën e trajtimit të veçantë financiar), nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë.
Pensioni do të llogaritet sipas përcaktimeve të neneve 32 dhe 59, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Sipas p/ligjit, e drejta për të përfituar pensionin e pleqërisë sipas këtij ligji nuk parashkruhet.
Personi, i cili kërkon të përfitojë pension sipas këtij ligji, jo më vonë se një vit nga data e lindjes të së drejtës, e merr pensionin nga ajo datë. Në raste të tjera, pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës.
Personi, i cili ka përfituar pension sipas këtij ligji, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve për periudhën/periudhat gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi.
Përfitimet e caktuara, por të patërhequra apo të paguara më pak paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.
E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër, gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit. Personi, i cili ka përfituar të ardhura në mënyrë e me mjete të padrejta dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet të kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit.
Personat, të cilët do të kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do të paguajnë kontribute shtesë, në masën 5 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi. Kontributi i sigurimeve shoqërore, në masën 5 për qind, mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuar në ligjin nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji, deri në plotësimin e moshës së përfituesve, sipas nenit 31, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me kontributin shtesë, do të përballohen nga buxheti i shtetit.
Sipas p/ligjit, pensioni jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili do të paraqesë dokumentacionin përkatës, sipas rregullave në fuqi dhe përcaktimeve në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Kërkesa për pension, së bashku me dokumentacionin përkatës, paraqitet pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore ku përfituesi ka vendbanimin.
Gjithashtu drafti përcakton se për pensionet me datë fillimi para datës 1.1.2015, masës së pensionit të llogaritur sipas nenit 4, të këtij ligji, do t`i shtohen edhe kompensimet për çmimet dhe për të ardhurat, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në bazë të kritereve që zbatohen edhe në rastin e pensioneve të pleqërisë, të caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Përfitimet e caktuara sipas këtij ligji indeksohen, me vendim të Këshillit të Ministrave, sa herë dhe në atë masë që rriten ose indeksohen pensionet e pleqërisë, nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror.
Llogaritja, caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave në fuqi për pensionet, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Pse paska akoma rota k… qe detyrohen te nxjerrin krom per te mbushur xhepat e fullhajnave?