UEFA jep shifrat e Championsit. Skuadra që në 6 qershor të 2015, në Berlin do ngrejë lart trofeun më të dëshiruar, do të shpërblehet me 37.4 milionë euro, përveç kuotës që lidhet me të drejtën televizive.
Vitin e kaluar vetëm ky zë, i kishte mundësuar dy skuadrave finaliste, Realit dhe Atletikos së Madridit një arkëtim shtesë prej 20 milionë eurosh, ndaj shuma totale që përfiton skuadra që do të fitojë Championsin është pothuajse 60 milionë euro, raporton Sport News.
Aspak keq, edhe pse në këto kohë nuk mjaftojnë për të blerë një top-player alla Hames Rodriguez apo Luis Suarez.
Federata futbollistike europiane, prezantoi sistemin e shpërndarjes së arkëtimeve të Championsit për sezonin 2014-2015.
Secili prej 32 klubeve që kanë arritur në fazën e grupeve, do të arkëtojë një minimum prej 8.6 milionë eurosh.
Në total skuadrat pjesëmarrëse do të ndajnë 900 milionë euro, një buxhet prej 500.7 milionë eurosh si kontribut fiks për shpërndarjen e shpërblimeve për fazën e grupeve, paraqitjet dhe bonuset për kualifikimet, si dhe 409.6 milionë euro si kontribut që varion nga kuotat e merkatos televizive.
Çdo skuadër që impenjohet në fazën e grupeve do të marrë bonusë në lidhje me paraqitjet, një milionë euro për cdo fitore dhe 500 mijë euro për cdo barazim në fazën e grupeve.
Skuadrat protagoniste në 1/8 do të marrin nga 3.5 milionë euro, ato që impenjohen në cerekfinale 3.9 milionë euro dhe gjysmëfinalistet 4.9 milionë.
Skuadra fituese e Championsit merr 10.5 milionë euro, ndërsa ajo që mposhtet në finale 6.5 milionë euro.
Për sa i përket Europa League, secila prej 48 skuadrave pjesëmarrëse në fazën e grupeve do të marrë nga 1.3 milionë euro.
Fitorja vlen 200 mijë euro, ndërsa barazimi 100 mijë.
Fituesja e Europa League do të mbledhë 9.9 milionë euro, plus të drejtat televizive.