Ministri Gjiknuri në Kiev, Shqipëria merr Presidencën e Komunitetit të Energjisë

23 Shtator 2014, 15:19Politika TEMA

Në mjediset e Akademisë Diplomatike të Kievit në Ukrainë zhvilloi punimet sesioni i 12-të i Këshillit Ministerial të vendeve pjesë të Komunitetit të Energjisë.

Takimi u bashkëdrejtua nga zv.Presidenti i Komisionit Evropian Z. Gunther Oettinger, Kryeministri i Ukrainës Z.Arseniy Yatsenyuk, Ministri i Energjisë së Ukrainës Z.Yuri Prodan në cilësinë e vendit që mban Presidencën e Komunitetit të Energjisë dhe Ministri i Energjisë e Industrisë së Shqipërisë Z.Damian Gjiknuri si vendi që merr Presidencën për vitin 2015.

Ministri Gjiknuri paraqiti para të pranishmëve prioritetet e Presidencës shqiptare dhe objektivat kryesore. Z. Gjiknuri tha se prioriteti kryesor do të jetë reforma e Komunitetit të Energjisë dhe vënia në zbatim e rekomandimeve të propozuara me synim krijimin e një bashkimi energjitik.

“Sot, më shumë se kurrë, palët kontraktuese duhet të kuptojnë rëndësinë e shfrytëzimit të potencialit të plotë të kuadrit ligjor të Komunitetit të Energjisë me qëllim reformimin e sektorit të energjisë dhe krijimin e një zone të përbashkët rregullatore me Bashkimin Evropian”, u shpreh Z.Gjiknuri.

Ministri tha se e mbështet plotësisht rolin aktiv të Komunitetit të Energjisë në promovimin e tregut të integruar energjitik dhe përpjekjet për zbatimin e paketës së tretë të energjisë.

“Zbatimi i paketës së tretë, ndonëse nuk do të jetë diçka e lehtë, është parakusht për një kuadër rregullator dhe koherent, si bazë për një treg të integruar evropian të energjisë që siguron konkurencë efektive dhe fuqizon rolin e konsumatorit”, u shpreh Ministri.

Z.Gjiknuri insistoi se politikat që garantojnë furnizim të sigurtë, konkurues dhe të qëndrueshëm të energjisë do të jenë në krye të axhendës. Në këtë linjë, ministri përmendi adoptimin e rregullave të reja për të adresuar sfidat e ardhshme, konkretisht rregulloren mbi sigurinë e furnizimit me gaz, atë për infrastrukturën energjetike, transparencën në tregjet e energjisë dhe direktivën e efiçiencës së energjisë.

Në raportin përfundimtar për zbatimin e reformave në vendet anëtare, që u miratua nga të gjithë anëtarët e Komunitetit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian u vlerësua zgjidhja e konfliktit për çështjen e investimeve me CEZ-in si një gur themeli për kryerjen e reformave aq të rëndësishme për sektorin e energjisë në Shqipëri.

Me kërkesë të Ministrit Gjiknuri u shtua si prioritet për Komunitetin e Energjisë për vitin e ardhshëm Korridori i gazit, duke përfshirë projektin e gazsjellësit TAP si lider të këtij korridori.

1 komente në “Ministri Gjiknuri në Kiev, Shqipëria merr Presidencën e Komunitetit të Energjisë”

  1. jona says:

    Nje sektor ky ku shqiperia mund te ishte superfuqi ne ballkan te pakten por per shkak te keqmenaxhimit e abuzimit klientelist te deritanishem eshte degraduar ne kete grade. Shume mire per shqiperine qe bashkerendohen keshtu, do kete shume perparsi besoj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje