Naço paraqet strategjinë e Qeverisë për drejtësinë/ Reformim KLD, Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Prokurorisë

6 Tetor 2014, 11:52Politika TEMA

“Të gjithë jemi dëshmitarë të një klime mosbesimi ndaj sistemit të drejtësisë, dhe për këtë nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar. Institucionet e drejtësisë shfaqin dukshëm problematika për të cilat ne bëmë disa ndryshime në ligjin për KLD.

Ligji parashikon qartë se procedimi disiplinor duhet të bëhet brenda 1 muaji nga depozitimi i tij nga ana e Ministrit të Drejtësisë, pasi ka fakte se kjo nuk është zbatuar nga KLD prej mëse 2 vitesh.

Po ashtu ligji parashikon se mbledhjet e KLD duhet të bëhen çdo 1 muaj për të rritur efektshmërinë. Në ndryshimet e miratuara janë parashikuar qartë kriteret për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nga monitorimi i bërë rezulton se nga 28 kryetarë gjykatash, 21 janë  të komanduar për 4-6 vjet”.

Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë Nasip Naço në fjalën e mbajtur në tryezën për reformën në drejtësi  ku ishin të pranishëm Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kreu i Kuvendit Ilir Meta, kreu i PD-së Lulzim Basha etj.

Naço vuri theksin më pakënaqësinë dhe mosbesimin që ka ndaj sistemit të drejtësisë, çka sipas tij ka sjellë edhe kritika nga faktori ndërkombëtar. Në këtë kuadër, Naço theksoi se qeveria ka ndërmarrë nisma për përmirësimin e sistemit, siç është edhe ndryshimet e miratuara në ligjin për KLD.

Naço parashtroi edhe disa nga ndryshimet që ka sjellë ky ligj, në funksion të përmirësimit të sistemit të drejtësisë në vend. Por sipas tij, këto ndryshime nuk e ezaurojnë thelbin e reformës në sistemin e drejtësisë, por erdhën më së shumti si një nevojë për të frenuar papërgjegjshmërinë në funksionimin e këtij Këshilli.

Në vjim, ministri i Drejtësisë theksoi se reforma do të përqëndrohet në këto shtylla: reformimi i Gjykatës Kushtetuese; reformimi i Gjykatës së Lartë; reformimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë; reformimi i Konferencës Gjyqësore Kombëtare; reformimi i Këshillit të Prokurorisë; reformimi i Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar; reformimi i Organizimit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë.

 “Për arritjen e këtij objektivi madhor kërkohet kontributi i të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë në këtë proces, vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të shoqërisë civile, vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të misioneve të asistencës të partnerëve ndërkombëtar (veçanërisht misionit Euralius ) përfshirë Komisionin e Venecias, ndërveprimi i Legjislativit me Ekzekutivin dhe ngritja e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Ligjore (përfshi edhe një grup ekspertësh të nivelit të lartë) pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Si fazë e parë kërkohet që për kryerjen e reformave të identifikohen problematikat konkrete duke ofruar masat konkrete ligjore, institucionale dhe organizative për konsolidimin e pavarësisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë së sistemit të drejtësisë. 

Në vijim, problematika e evidentuar do t’i nënshtrohet ekspertizës së një Komisioni të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, pranë Kuvendit, ku në përbërje të tij do të ketë ekspertët më të mirë vendas, të shoqërisë civile, si dhe ekspertë ndërkombëtarë, si një instrument i përshtatshëm kushtetues për të ecur përpara drejt gjetjes së një konsensusi në evidentimin e problematikave dhe adresimin e tyre”, tha Naço.

Sipas ministrit të Drejtësisë, reformimi i Gjykatës Kushtetuese do të konsistojë në emërimin në mënyrë transparente, në bazë të meritave dhe profesionalizmit të gjyqtarëve të kësaj gjykate, përmirësimin e kritereve për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese si dhe statusit të tyre, përcaktimin e rregullave për publikimin vendimeve gjyqësore, përcaktimin e rregullave për kuorumin e nevojshëm të votës në vendimmarrje etj.

Ndërkohë reformimi i Gjykatës së Lartë do të konsistojë në emërimin në mënyrë transparente, në bazë të meritave dhe profesionalizmit të gjyqtarëve të kësaj gjykate, përmirësimin e kritereve për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Lartë si dhe statusit të tyre.

 “Pjesë e përmirësimeve ligjore, që lidhen me përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, do të jetë krijimi i një këshilli të pavarur, jashtë ndikimit të politikës, duke iu referuar modeleve ekzistuese të vendeve anëtare të BE-së.

Ky Këshill, do të ketë në përbërje të tij jurist nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. Këshilli do të përpilojë një listë të renditjes së kandidaturave, sipas një sistemi pikëzimi, të cilën do t’ja paraqesë Presidentit të Republikës, përpara se ky i fundit të dekretojë kandidaturat, me të cilat  i drejtohet për pëlqim Kuvendit të Shqipërisë”, tha Naço.

Në vijim ai shtoi sereformimi i thellë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të synojë nga njëra anë ruajtjen e pavarësisë dhe rritjen e përgjegjshmërisë së këtij institucioni, por nga ana tjetër evitimin e emërimit dhe të promovimit në karrierë të gjyqtarëve në bazë të sistemit koorporatist, nepotik dhe klientelist.

 “Ka ardhur koha që anëtarët e KLD-së, përfaqësues të legjislativit, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të jenë të depolitizuar dhe ndoshta duhet të zgjidhen me një shumicë të cilësuar në Kuvend dhe të parashikohen kritere të qarta në ligj për emërimin e tyre. Formula ekzistuese e KLD-së ka dështuar dhe kjo është një çështje fakti.

Në këtë kuadër, mund të rishikohet edhe roli i Ministrit të Drejtësisë, në raport me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke forcuar njëkohësisht rolin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë në drejtimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këto ndryshime nuk cënojnë pavarësinë, përsa kohë që është e garantuar maxhoranca e gjyqtarëve në vendimmarrjen e KLD-së, por një gjithëpërfshirje dhe një përfaqësim më i plotë i institucioneve të drejtësisë në KLD-në do të ishte i mirëpritur për ne”, theksoi ai.

Sipas ministrit të Drejtësisë, reforma në Konferencën Gjyqësore Kombëtaredo të konsistojë më së shumti në rritjen dhe fuqizimin e kompetencave të këtij organizmi, në raport me të zgjedhurit e tyre në KLD-së.

“Kjo reformë do të konsistojë në drejtim të një selektimi më të kujdesshëm në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLD-së dhe të një raporti llogaridhënie të vazhdueshme, midis të zgjedhurve prej tyre dhe  Konferencës Gjyqësore”, tha Naço.

Një tjetër reformë, sipas ministrit të Drejtësisë, do të jetë ajo në Këshillin e Prokurorisë. Naço tha se kjo reformë do të zbatohet duke pasur parasysh parimet e përzgjedhjes, emërimit, ecurinë në karrierë, fuqizimi i rolit të  Këshillit të Prokurorisë, duke e transformuar Këshillin ekzistues të Prokurorisë nga një organ këshillimor në një organ vendimmarrës përsa i përket emërimit dhe disiplinës për prokurorët.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje