Fyle apel vendeve kandidate: Vijoni reformat, demokratizoni institucionet

8 Tetor 2014, 16:25Politika TEMA

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle ka prezantuar progres-raportin me rezultatet e vendeve kandidate për anëtarësim në BE gjatë mandatit të tij në këtë detyrë.

Eurokomisioneri theksoi rëndësinë e vijimit të reformave të vendeve kandidate, duke vënë theksin tek demokratizimi i institucioneve, ndarja e pushteteve dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së.

Duke u ndalur tek Shqipëria, komisioneri Fyle theksoi rëndësinë e vijimit të reformave në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe raportet pozitë-opozitë. Fyle tha se qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë që debati politik të zhvillohet kryesisht në parlament.
 
“Negociatat për anëtarësim në BE duhet të hapen sapo vendi të ketë arritur një nivel të nevojshëm tek kriteret e anëtarësimit. Procesi ka ngecur nga përplasjet e vazhdueshme politike, por Shqipëria ka bërë progres të mirë për të përmbushur kriterin politik, falë dialogut pozitë-opozitë.

Është koha që t’i japim Shqipërisë mundësi për të ecur përpara me mendimin se Shqipëria do të vijojë përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat, por vendi duhet të konsolidojë vijimin e reformave, dhe të vijojë me sfidat e integrimit në mënyrë të qëndrueshme. Qeveria dhe opozita duhet të bashkëpunojnë që debati politik të zhvillohet kryesisht në parlament”, tha Fyle.
 
Duke u ndalur tek Mali i Zi, komisioneri Fyle tha se po vijohet me reformat, ndërsa u ndal edhe tek hapat e ndërmarra deri më tani në kuadër të integrimit.
 
“Mali i Zi gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm në negociata”, tha Fyle.
 
Komisioneri Fyle tha se Serbisë i është rekomanduar statusi kandidat nisur edhe nga përpjekjet e bëra në vend në kuadër të realizimit të reformave.
 
“Mirëpresim ritmet e Serbisë, të cilit iu rekomanduar statusi kandidat me mirëkuptimin se Serbia do të angazhohet në përmirësimin e raporteve me Kosovën. Serbia duhet të vazhdojë me realizimin e reformave”, tha ai.
 
Në vijim eurokomisioneri theksoi rëndësinë e rritjes së përpjekjeve të Maqedonisë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për çështjen e emrit.
 
“Nga Maqedonia nevojitet punë dhe të gjendet një zgjidhje e përbashkët për çështjen e emrit. Duhet të vijohen përpjekjet në realizimin e reformave në kuadër të integrimit”, u shpreh Fyle.
 
Duke u ndalur tek ecuria e Bosnje-Hercegovinës, eurokomisioneri tha se duhet të ketë ndryshime në Kushtetutë dhe të vijohet me reformat.
 
“Bosnjë-Hercegovina duhet të përpiqen që të përputhin kushtetutën me standardet e BE dhe Konventën e të drejtave të njeriut. Koha ka ardhur që të adresojmë këtë verdikt; Bosnja-Hercegovina mbeten në stanjacion sa i përket rrugës për integrim. Është jetike që vendet të flasin në një zë, të zgjidhin situatën ekonomike, dhe të vijojnë me reformat drejt integrimit”, tha Fyle.
 
Gjithashtu ai vlerësoi përpjekjet e bëra nga Kosova në rrugën drejt integrimit europian. Fyle ndërkaq tha se Kosova duhet të përmbushë reformat sa i takon shtetit ligjor.
 
“Autoritetet duhet të sigurohen për një mënyrë konstruktive sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në forumet rajonale. Ka angazhim të Kosovës për MSA-në. Po punohet shumë nga Kosova për të forcuar pozicionin e saj në këtë rrugë të zgjerimit. Kosova duhet të përpushë reformat kryesore sa i përket shtetit ligjor”, tha Fyle.
 
Duke u ndalur tek Turqia, Fyle tha se negociatat kanë ngecur, por theksoi rëndësinë e përbashkët për rifillimin e tyre. Fyle tha se procesi duhet të vihet sërish në rrugë, nisur edhe nga ecuria që ka bërë Turqia me çështjen e Kurdëve.
 
“Ka zhgënjim nga të dy palët me Turqinë për ecurinë e negociatave. Është në interesin e përbashkët që negociatat të rifillojnë. Ka ardhur koha që të vendosim procesin sërish në rrugë. Zbatimi i disa angazhimeve për reforma ka vazhduar siç ishte në vitin 2013 për të marrë hapa për çështjen e kurdëve. Ka pasur shqetësime sa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe ndarjes së pushteteve. Duhet të kuptojmë ligjin për internetin apo problemet me median sociale”, u shpreh eurokomisioneri.
 
Sa i përket negociatave me Islandën, Fyle tha se procesi i anëtarësimit ka nisur, dhe tashmë po hyhet në një fazë decizive.
 
“Procesi i anëtarësimit ka nisur. Negociatat janë hapur. Po hyhet në një fazë decizive me Islandën. Do të forcojmë marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Fyle.
 
Eurokomisioneri Fyle tha se tashmë do të jetë në dorën e komisionit dhe vendeve partnerëve e anëtare për të vendosur sesi kjo histori do të ecë. 

1 komente në “Fyle apel vendeve kandidate: Vijoni reformat, demokratizoni institucionet”

  1. MARA says:

    Mire por kujt ja thua. Njerezit duheshin licensuar te pakten 8 vitet qe shkoi, ndersa askush nuk kupton nga paria e ministrive. Stafi i ri e i vjeter mbahen mbyllur tete ore e gjysem ne kafaz dhe ju komunikohet ne outlook se JENI TE MONITORUAR NGA KAMERAT NESE LEVIZNI BRENDA AMBIENTIT APO TENTONI TE DILNI JASHTE….

    Kjo qeveri me sa duket si gjithe te tjerat nuk do ta beje shqiperine. Thjesht nuk do!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje