Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Z. Arben Ahmetaj ka zhvilluar një sërë takimesh të nivelit të lartë me FMN, Bankën Botërore, BERZH dhe një sërë institucionesh të tjera gjatë vizitës së tij në Washington DC, me rastin e takimeve të përvitshme të përbashkëta të FMN dhe Bankës Botërore.
Ministri Ahmetaj dhe delegacioni shqiptar janë takuar me Presidentin e Bankës Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Sër Suma Chakrabarti. Pasi theksoi trendin rritës të ekonomisë dhe kthesën që po marrin sivjet si treguesit e ekonomisë reale ashtu edhe të ardhurat dhe shpenzimet, Ministri Ahmetaj theksoi se Shqipëria është në rrugën e drejtë për të arritur një rritje të qëndrueshme, bazuar mbi potencialet e pashfrytëzuara të ekonomisë dhe duke u fokusuar më shumë në një rol rajonal, që do të sillte një integrim më të zhvilluar si me tregjet e rajonit ashtu edhe me tregun Europian. Po ashtu Ministri Ahmetaj foli për rolin që BERZH mund të marrë në një sërë sektorësh me impakt real dhe imediat, dhe ku BERZH ka ekspertizën për të ndihmuar performancën e sektorëve, që nga kreditë me probleme dhe ristrukturimi i tyre nga bankat, e deri tek investimet dhe asistenca me linja kredie për sektorë të ndryshëm.
Nga ana e tij Presidenti i BERZH tha se Banka është e gatshme që të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare, e cila pas një viti në krye të punëve po tregon një angazhim për të kryer reformat në sektorët kyçë. Sipas Chakrabarti, kjo ka qenë një faktor që ka ndikuar tek angazhimi i BERZH, duke treguar se viti që shkoi ka qenë një vit rekord për sa i përket angazhimit të BERZH në Shqipëri, me mbi 140 milionë dollarë investime. Po kështu Presidenti foli për përmirësimin e klimës për investitorët dhe për gatishmërinë e Bankës Europiane për Zhvillim e Rindërtim për të qenë prezente me projekte të reja dhe për të mbështetur qeverinë edhe me projekte në aspektin rajonal.
Ministri i Ekonomisë zhvilloi edhe një takim me zëvendës drejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Zhu Min. Në këtë takim u fol gjerësisht për performancën e ekonomisë dhe vazhdimësinë e programit me FMN. Sipas Zv. Drejtorit të Fondit, Shqipëria ka treguar se po vazhdon në rrugën e duhur me një sërë reformash strukturore që do ta çojnë përpara ekonominë. Z. Zhu ritheksoi gatishmërinë e FMN për të qenë krahas qeverisë në këto procese të rëndësishme, duke ofruar asistencën dhe duke bashkëpunuar për të arritur rezultate reale dhe afatgjata pozitive. Nga ana tjetër Ahmetaj theksoi se në vazhdim të programit, si Fondi ashtu edhe Shqipëria do të duhet të jenë fleksibël në mënyrë që të mbështetet çdo moment rritjeje i ekonomisë dhe për të mobilizuar plotësisht potencialin ekonomik të vendit.
Takimet e përbashkëta të FMN dhe Bankës Botërore zhvillohen çdo vit në Washington DC, duke mbledhur bashkë ekspertë, personalitete dhe përfaqësues të qeverive të të gjithë botës. Në këto takime Shqipëria përfaqësohet nga Ministri i Financave, Ekonomisë, ekspertë të këtyre ministrive dhe Bankës së Shqipërisë.
Ne rrugen e duhur po nje rruge jashtzakonisht shume e veshtire qe sapo eshte nisur
Bravo ministrave per punen e palodhur qe po bejne, te dy jane nder me te aftet qe mund tu gjenin per kto pozicione.
Njeri hajdut telekomit dhe tjetri hajdut I thesarit te dy me llogari bankare ne usa
Te dy kan vajt ne usa te bejne pazarin e radhes me BB dhe FMN qe per ironi keta jan hajduta nderkombetare me diploma
VK sbehet ky vend