Një punonjës i kompanisë OSHEE dhe pronari i një firme ndërtimi në Vlorë janë arrestuar nga Policia e Shtetit për shkak të abuzimit me energjinë elektrike.
Sipas një njoftimi zyrtar, Njësia Tirana 2 në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike denoncoi në organet e prokurorisë punonjësin e kompanisë Amarild Varfi, për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Varfi u pezullua nga detyra e lexuesit të ekipit (faturist) menjëherë dhe në bashkëpunim me organet e rendit sot u krye edhe arrestimi i tij nga policia
Arrestimi i ish-punonjesit të OSHE erdhi pas denoncimit nga një qytetar , i cili dorëzoi edhe një video ku faktonte shpërdorimin e detyrës nga ana e Varfit.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaron se nuk do të tolerojë askënd që shkel ligjin dhe abuzon me detyrën në dëm të interesave të qytetarëve.
“Të gjithë punonjësit e kësaj shoqërie vlerësohen mbi bazë të performancës si dhe korrektesës në detyrë. Ftojmë qytetarët që të depozitojnë ankesat dhe pakënaqësitë e tyre në të gjitha zyrat e Kujdesit ndaj Klientit”, thuhet në njoftimin e OSHEE.
Një tjetër arrestim është kryer në qytetin e Vlorës. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike kallëzoi penalisht pronarin e firmës AFA Construction, Flamur Kadëna. Sipas OSHEE, pas ndërtimit të një pallati në Vlorë, Kadëna ka kryer lidhjen e energjisë elektrike për të gjithë banorët pa asnjë kontratë me OSHEE-në.
Pas evidentimit të këtij rasti flagrant, specialistët e OSHEE kanë bërë ndërprerjen e kësaj lidhje të paligjshme, por ndërtuesi Kadëna e ka rilidhur sërish. Mënjëherë më pas është bërë edhe denoncimi i tij në organet e rendit dhe policia kreu arrestimin në kushtet e flagrancës.