Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Florian Raunig, në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit dhe me Policinë e Shtetit kanë çelur siparin e fushatës kundër dhunës në familje.
Gjatë fjalës së tij Raunig tha se duhet të dryshojmë mentalitetin që e pranon dhunën ndaj grave dhe fëmijëve.
“Kjo fushatë është një zgjerim i punës ndërgjegjësuese që kemi bërë gjatë muajve të fundit me studentë nga e gjithë Shqipëria. Ajo përfshin nxënës dhe punonjës policie, si dhe parlamentarë, organizata jofitimprurëse, punonjës socialë dhe të fushës së shëndetësisë, në një sërë veprimtarish që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth dhunës në familje – çfarë është dhuna, kush mund të ndihmojë dhe çfarë duhet bërë nëse ata apo një i njohur apo e njohur e tyre bien viktimë e dhunës.
Gratë janë viktimat kryesore, por jo të vetmet. Edhe fëmijët dhe burrat mund të jenë objekte të dhunës në familje” , ka thënë Raunig.
Raunig bëri me dije se sipas sondazhit të INSTAT-it të zhvilluar në vitin 2013, afërsisht 60% e grave shqiptare të pyetura në këtë sondazh kanë qenë në një moment të jetës së tyre viktimë e dhunës në familjedhe vetëm 8% e këtyre grave kishin kërkuar ndihmë.
Sipas përfaqësuesit të OSBE , synimi i kësaj nisme është që të parandalohet dhuna në familje dhe të rritet numri i grave që njoftojnë për rastet kur dhunohen.
“Shqipëria e ka një kuadër ligjor për të asistuar viktimat, për t’i mbrojtur ato, duke i ndihmuar në të njëjtën kohë që të rindërtojnë nga e para jetët e tyre. Ekzistojnë një sërë strukturash dhe autoritetesh që mund t’i ndihmojnë ata që preken nga dhuna në familje. Disa prej tyre si Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, janë këtu me ne sot. Ashtu si Prezenca e OSBE-së, ato janë të gjitha të angazhuara për ta parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës në familje. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet fakti se dhuna në familje nuk mund të adresohet vetëm përmes mjeteve ligjore” , ka përfunduar fjalën e tij Raunig.