Diagnostikimi në kohë i kancerit të gjirit, ndihmon edhe në trajtimin më efikas të sëmundjes. Ndaj i gjithë theksi gjatë muajit tetor është vënë në sensibilizimin e grave dhe të gjithë shoqërisë për të kryer kontrollet dhe depistimet.
Ky është mesazhi që ka përcjellë Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së dytë ndërkombëtare “Bashkë kundër kancerit të gjirit”, që u zhvillua në Tiranë.
Rama theksoi se beteja kundër kësaj sëmundjeje fitohet me anë të depistimit, ndërsa kërkoi nga cdo grua të tregojë kujdes dhe të kryejë në kohë kontrollet.
“Kanceri i gjirit është një plagë shumë e thellë. Nismat shoqërore kundër kancerit të gjirit duhet të jenë edhe më të shumta, pasi vetëm kështu do të mund të shpërhapet sa më shumë informacion për këtë sëmundje, dhe të rritet ndërgjegjësimi për kryerjen e kontrolleve.
Angazhimi i ministrisë së Shëndetësisë gjatë muajit tetor ka sjellë rezultatet pozitive. Nga 1 deri në 15 tetor është kryer 85% e ekzaminimeve që janë kryer nga 1 janari deri në 30 shtator”, u shpreh kryeministri Rama.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në fjalën e tij u ndal tek angazhimi i Qeverisë shqiptare për të siguruar mbulim universal. Beqaj tha se mamografia falas që ofrohet përgjatë muajit tetor për të gjitha gratë, do të vijojë edhe gjatë nëntorit derisa t’i nënshtrohen kontrollit të gjitha ato gra që janë regjistruar në listat e pritjes.
“Qeveria jonë është e angazhuar për mbulim universal, dhe mamografia siç kemi thënë për këtë muaj do të jetë falas. Dhe të gjithë ato gra që janë regjistruar në listën e pritjes do ta përfitojnë falas këtë shërbim edhe pas muajit tetor, derisa kjo listë të ezaurohet.
Kemi dyfishuar buxhetin për barnat citostatikë, dhe kemi furnizuar spitalin me medikamente, për këtë sëmundje që është shkaktar i vdekjeve në moshë të re”, u shpreh ministri Beqaj.
I pranishëm në konferencë, Ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani u ndal tek bashkëpunimi i dy vendeve tona edhe në fushën e shëndetësisë. Gaiani theksoi se duhet t’i jepet rëndësi projekteve të parandalimit të kancerit.
Doktoresha italiane Giovanna Gatti ka ndarë eksperiencën e saj, pasi është diagnostikuar me kancer në qafën e mitres 6 vite më parë, dhe u ka bërë apel të gjitha grave që të mos ngurojnë të kryejnë kontrolle. Gatti është ndalur tek rëndësia e aktivitetit fizik në parandalimin e kancerit të gjirit, ndërsa shtoi se është me rëndësi informimi i kësaj sëmundje, në mënyrë që edhe të rritet ndërgjegjësimi i shoqërisë.
“Unë i mbijetova kancerit në qafën e mitres, dhe falë kontrollit që bëra tashmë kam 6 vite më shumë jetë. Them se të gjitha gratë nuk duhet të kenë frikë të bëjnë vizitën dhe kontrollin. Kjo do të mbrojë jetën e tyre. Aktiviteti fizik ul rrezikun e kancerit të gjirit.
Ndërsa konsumimi i duhanit rrit rrezikun për kancer. Informacioni ndihmon në parandalimin e kancerit të gjirit dhe rrit ndërgjegjësimin e grave për kryerjen e kontrolleve dhe vizitave”, u shpreh doktoreshë Gatti.
Specialisti i ISHP-së Alban Ylli bëri një analizë të situatës epidemiologjike mbi kancerin e gjirit dhe të qafës së mitrës, duke dhënë edhe disa rekomandime për politikat shëndetësore. Ylli theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të sëmundjes në mënyrë që trajtimi të jetë më efikas. /gj.k/