Histori me pavarësi e Guvernatorë

25 Tetor 2014, 19:06Blog TEMA

 Nga Keno Kotorri*

Të gjithë e dimë mirë se ne duam të jemi të parët e të mosvarur, pra të bëjmë si na do zemra e shpirti (lexo: interesi, e sot për sot). Ajo që po ndodh në Shqipëri është shprehja e kondensuar e kësaj marrëzie, që ka krijuar  një numër institucionesh “të pavarura”, drejtuesit e të cilave janë edhe më të privilegjuar se pronarët e një sipërmarrjeje, sepse nuk humbin asgjë nga xhepi i tyre por nga i shtetit, pjesë e të cilit janë, pra humbës, shqiptarët e tjerë.

Si baballarët e kombit, ashtu dhe ata që i këshillojnë me lloj lloj përvojash të huaja, kanë krijuar një model absurd të shtetit shqiptar ku pjesët godasin njëra tjetrën, dublojnë punët dhe kjo po shtohet në mënyre të habitshme. Dëgjojmë krijimin  pranë Policisë të një Byroje Hetimi që dublon Prokurorinë dhe të kujton  famëkeqen Drejtori e Hetuesisë e kohës së Sigurimit, parlamenti kërkon që të hetoj si prokurori dhe jo zbatimin e ligjeve dhe dukuritë që duhen rregulluar ne ndërhyrje ligjore. Ja vlejnë të kujtojmë fjalët e Zhan Zhak Rusosë se “kur pjesët e shtetit godasin njëra tjetrën shteti rrëzohet me një gisht”, dhe kemi përvojë të afërt në këtë drejtim, të cilën me sa duket nuk e njohin të lindurit rishtas.

Cilido shtet demokratik ka të përcaktuar me Kushtetutë e me Ligje të posaçme një hierarki të strukturave dhe posteve që përcakton detyrat dhe vartësit në atë  që po e quajmë organigrama apo arkitektura e shtetit. Çdo ndryshim  (sot quhet Reformë) duhet bërë duke respektuar Kushtetutën, por në se është e nevojshme dhe ajo duhet ndryshuar por një herë e mirë. Ndarja në tri degë e shtetit: Legjislativi, Ekzekutivi dhe Drejtësia, presupozon pavarësinë e tyre  por edhe kontrollin e baraspeshimin e veprimeve në përputhje me Kushtetutën e vendit. Legjislativi harton ligje  dhe kontrollon zbatimin e tyre, Ekzekutivi harton politikat dhe realizon zbatimin e tyre, por gjithnjë  në përputhje me mandatin e marrë nga Parlamenti dhe ligjet e vendit, ndërsa Drejtësia siguron qenien dhe veprimin e  shtetit ligjor, respektimin e ligjeve. Të tria këto degë janë të pavarura nga njëra tjetra në kufijtë e përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligjet dhe  përgjigjen për zbatimin e tyre, por varen pra nga ligji dhe kontrollohen reciprokisht, në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës dhe ligjeve  që burojnë prej saj.

Me qenë se  flasim për “pavarësinë”, nuk mund të lemë pa cekur cenimin e autonomisë vendore, një fitore e demokracisë në Shqipëri. Që e shohim në tendencën për një shtet autokratik nën Kryeministrin (vendimi arbitrar për ndërtimet), me reformën territoriale që duhet të jetë gjithëpërfshirëse (jo Idrizpërfshirëse), të cilën ka kohë për ta përmirësuar, por duke paraqitur njëherësh Ndarjen territoriale (rreth 90 e ca Bashki e 8 Qarqe – Prefektura) dhe Ligjin për Qeverisjen Vendore, për të shmangur një kolaps të  mundshëm të Shtetit.

Më ka rastisur të dëgjojë gjyqtarë të niveleve të larta që thonë se vendimin e jap sipas gjykimit tim, ndërkohë që ai është i kushtëzuar nga ligji  në dhënien e vendimit, pra nuk lejohet arbitrariteti nga padija, por dhe nga interesa : materiale apo politike, që për fat të keq ndeshim përherë. E një gjendje e tillë duhet të ndryshojë  sa më parë, por jo me arnime, por një zgjidhje sipas modeleve evropiane, e studiuar dhe nga të gjitha palët, jo për  ndryshime “ad personam”. Gjithashtu pavarësia, por jo nga ligji, mund tu jepet atyre që kanë përvojën dhe integritetin për të  kryer atë mision. Për këtë ka modele, ato duhen marrë për bazë, si për gjyqësorin e prokurorinë ashtu dhe KLD. Në Kodin Penal dikur kishte sanksione për gjyqtarët që vepronin në kundërshtim me ligjin, më vonë e hoqën atë nen, e si gjithmonë thonë se na thanë të huajt, kur dihet mirë që kurdoherë mund të gjesh nëpër botë nene që të pëlqejnë sot por mund të pengojnë nesër.

Një gjë e tillë po ndodh me  Bankën e Shqipërisë. Për arsye jo fortë të qarta  në shkurt apo mars 1996 u ndryshua Ligji për të, dhe Bankës ju dha një “pavarësi” që atëhere thuhej se nuk e kishte as Bundesbank-u gjerman. Banka dhe Guvernatori  vareshin vetëm nga Presidenti që e emëronte këtë të fundit duke qenë de facto dhe Kryetar i  shumicës. Banka ju shmang kontrollit të Qeverisë dhe nuk e ndjente veten të detyruar (mbase e kishte porosi) të mbikëqyrte tregun financiar-“shoqëritë huamarrëse” dhe kur erdhi fundi : u largua për të mos u kthyer më.

Po kjo pseudo pavarësi u vazhdua me ligjin që hartoj rilindja e parë në vitin 1997, duke ndryshuar çuditërisht dhe frazën “ruan thesarin e Shtetit” me “ruan thesarin e vet”, që ngre pikëpyetje të madhe për vjedhjen e tij. Më përpara në vitin 1993 u arrestua Guvernatori i atëhershëm i BSH Ilir Hoti lidhur me të ashtuquajturin “skandali Arsidi”.

Në dy mandatet e fundit  “pavarësia” ju la në dorë të Guvernatorit (me dije e mbështetje të politikës), duke qenë ai që përcakton rrogat, tenderët, shpenzimet e çfarë i deshte qejfi atij apo dhe  protektorëve të tij politik. Ai “bleu” nga shteti Hotel Dajtin për aq sa deshte Kryeministri, në vend që Qeveria të merrte borxh 30 milion euro si bono thesari. Banka e Shqipërisë është një institucion shtetëror dhe nuk blen dot prona të shtetit, ato i jepen në administrim po qe se i duhen. Ajo, po e nënvizojmë, është institucion shtetëror dhe si e tillë zbaton gjithë ligjet e shtetit  dhe ligji për të nuk mund ti anashkalojë (rasti i prokurimeve) Kodet dhe ligjet e vendit.

Guvernatori nuk mund t’i vendosi rrogat dhe të tjera favore për vete e të tijët “si ja do kokrra e qejfit”, por, në përputhje me gjithë sistemin e pagave të shtetit shqiptar dhe të përcaktuar në ligjin përkatës. Për dije : Drejtori i Federal Reserve (FED) amerikane merr rrogën e një sekretari Departamenti (ministri) dhe atë në Amerikë e kanë vetëm 16 zyrtarë ndërsa këtu nga viti 2000 e këndej disa qindra (kështu thonë). Me këtë rast, duke parë dhe heshtjen e mbrojtjen e politikës ndaj Fullanit deri sa u arrestua, pyesim çfarë kishte në dorë Guvernatori që në këmbim të favoreve, politika e privilegjoj tej çdo mase deri sa ndodhi, jo vetëm me të, që “fëmija e vjell atë që pi tepër”. Dhe nuk mund të mos vërejmë se  këto ndodhin kur Shtetin e drejton Sali Berisha ashtu si dhe  ndonjë tjetër dashnor i autoritarizmit e shpërfillës i ligjeve dhe demokracisë. Edhe një gjë tjetër, është Qeveria dhe Parlamenti ato që përcaktojnë buxhetin e BSH në tërësinë e buxhetit të shtetit dhe numrin e punonjësve, si dhe shpenzimet për të. Po kështu Banka ka fitime të cilat janë të shtetit dhe ai  përcakton çfarë mban BSH dhe përdorimin e tyre.

Mendoj se BSH duhet të jetë e pavarur nga Ekzekutivi në funksionet që  jep Ligji, por  në çdo veprimtari të saj duhet të zbatoj ligjet që vlejnë për tëe gjitha institucionet.

Rumpalla që  ka ndodhur në të, me mjaftë gjasë është lehtësuar nga lëshime në transaksione të ndaluara për të tretë me bankat e nivelit të    dytë, i lejoj ata t’i mundësojnë vetes shpërdorime të  tejskajshme : në rrogat, numrin e personelit nepotik, në tenderë e pazare me Qeverinë (blerja e Dajtit) e të tjera. Zor që të mos besohet se vjedhja e bankës është rezultat i rumpallës së atjeshme dmth e papërgjegjësisë , rezultat i bindjes se përgjithshme që punët bëhen vete dhe  ne bëjmë çfarë duam se jemi në mallin tonë.  te jeni të sigurt se kjo ndodh në të gjitha strukturat e shtetit që e quajnë veten se janë  “të pavarur alla shqiptarëshe” që nga drejtësia e KLD-ja, KQZ-ja e plotë të tjera…..

Në se ndokush nuk do ta kuptoj, megjithëse kjo nuk ndodh gjetkë,  duhet të pranojë pasojat e rumpallës. Kjo që na është treguar që ka ndodhur e të tjera që mbase na i thonë, duhet të na bëjnë t’i thërrasim mendjes se njerëz të papërgjegjshëm e të paprovuar, kur ju lihet  në dorë më shumë se sa ju takon apo lejohet, të bëjnë gjëmën.

Qeveria e sotme duhet të marri masa të menjëhershme në këtë drejtim:

të vendosi rrogën e Guvernatorit sa e  një ministri, kuptohet që ajo përcakton rrjedhimisht pagën e vartësve dhe të anëtarëve të llastuar të Këshillit Mbikëqyrës, të cilët (por dhe ata të çdo bordi tjetër) nuk mund të marrin më shumë se dy rroga mujore në vit. Më tej në bashkëpunim me Presidentin dhe Parlamentin të caktoj për një periudhë kohe një zëvendës me profil të lartë në drejtimin e ekonomisë dhe financave të vendit (por jo nga politika aktive) e detyrimisht me këshilltar të huaj e prani të FMN-së si deri pak vite përpara për të drejtuar Bankën e për të hartuar me Qeverinë e Parlamentin, së bashku me FMN dhe BQE, Ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, të pavarur në politikat monetare dhe ato të kontrollit të institucioneve bankare, mbase dhe financiare, dhe vetëm pas kësaj të caktoj Guvernatorin e ri (do ishte mirë me 84 vota, jo nga politika, por jo dhe nga importi. Shënojmë se për ne është qesharake konkursi për Guvernatorin dhe Këshillin Mbikëqyrës.

Me sa duket ka ardhur koha edhe  që në ligjin e shërbimit civil të përcaktohet qartë se nëpunësit e emëruar  me status civil dhe politik të mos kenë shtetësi të dytë të marr me vullnetin e tyre. Përjashtim bëjnë ata që zgjidhen nga populli: dmth deputetët dhe anëtarët e këshillave vendore.

Më në fund nuk më rihet pa bërë një propozim:

Krahas përmirësimit sa më parë të Kushtetutës, të sistemit të Drejtësisë dhe funksionimit të institucioneve, e cila u hartua nga PS “kundër” PD (sot po e përdor PD), shkaktare e keqfunksionimit të institucioneve dhe shregullimeve në qeverisjen e vendit, do të ishte me vend, meqenëse nga anët tona thonë “nuk këndojnë dy gjela në një kotec”, ja vlen ta mendojmë kthimin në një sistem presidencial, në të cilin ai (i zgjedhur nga populli) është dhe kreu i ekzekutivit, vetëkuptohet me të gjitha institucionet kontrolluese sipas modelit amerikan, dhe ku ministri i Drejtësisë është dhe Prokuror i Përgjithshëm, që të mos lihet pa ndëshkuar krimi e korrupsioni i tejskajshëm, që  kanë bllokuar përparimin e vendit, e të na thonë “nuk kemi çfarë t’i bëjmë Prokurorisë”.

Përfundimisht do deshëm të ritheksojmë se duhet ti jepet fund kësaj pseudo pavarësie, ndërkohë që institucioneve të pavarura duhet të mos ju cenohet pavarësia e të mos ndërhyhet në punën e tyre nga politika, madje  në krye të tyre nuk duhet të vihen njerëz të politikës. Por, pavarësia e tyre konsiston vetëm në çka përcakton Ligji për to dhe Kushtetuta, Kodet dhe ligjet që administrojnë shtetin  dhe ata të jenë të barabartë përpara “ligjit” dhe po kështu të përgjegjshëm si gjithë të tjerët dhe të mos fshihen prapa pretendimit  antiligjor e të dëmshëm se vendimet e strukturave kolegjiale janë të pa ndëshkueshme nga ligji. Ato veprime, Kodi Penal i dënon edhe më shumë, si grupe keqbërëse, kur me veprimin dhe mosveprimin dëmtojnë  Shtetin e shtetasit, ekonominë, dhe sigurinë kombëtare.

Botuar së pari në respublica.al datë 10 shtator 2014, këtu janë bërë disa shtesa të vogla, marrë nga debati me komentues.

Tiranë 25.10.2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje