Të hënën Qeveria dorëzon në Kuvend p/buxhetin e vitit 2015

30 Tetor 2014, 12:25Politika TEMA

Qeveria do të dorëzojë në Parlament Projektbuxhetin e ri, sipas “sekondës” që parashikon Kushtetuta, duke i lënë legjislativit, kohën e duhur për ta diskutuar me grupet e interesit dhe publikut. Kjo u bë e ditur nga Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Parlament.

“Të hënën kur do të dorëzohet projekt-buxheti i ri, për here të parë Kuvendi do të ketë të gjithë hapësirën kohore të nevojshme për të shtrirë diskutimin me të gjithë grupet e interesit dhe deputetët do të kenë kohën për ta diskutuar me të gjithë zgjedhësit në të gjithë territorin”, tha Rama.

Duke folur për buxhetin, Kreu i Qeverisë  është ndalur me ndryshimet që do të pësojë ai në kuadër të reformës radikale në energji.

“Pensionistët kryefamiljarë do të kenë pension të rritur, familjet që marrin ndihmë ekonomike do ta marrin pagesën të rritur dhe personat me aftësi të kufizuar do ta marrin gjithashtu pagën e shtuar”, u shpreh Rama.

Në vijim ai shtoi se “në të shkuarën janë bërë ndryshime në adresimin, në çështjen e të ardhurave. Janë bërë 4 herë reforma dhe në 4 herë është thënë se do të ketë kompensim ose rimbursim dhe në të 4-tat herë ata që e kanë pësuar kanë qenë më të dobtit.

“Ata që nuk kanë mundur ti shpëtojnë dhimbjeve të padrejtësisë kanë qenë më të dobtit. Ne nuk do të bëjmë as rimbursim as kompensim, ne do të rrisim pensionet, ndihmën ekonomike dhe pagën e aftësisë. Askush nuk do ndjejë asgjë lidhur me heqjen e të ashtuquajturës fashë mbrojtëse që në fakt është bërë mburojë e hajdutëve të energjisë”, u shpreh Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare deklaroi se nga humbjet në sektorin e energjisë shteti humbet investime të mëdha që mund të bëhen në infrastrukturë, sshëndetësi arsim dhe fusha të tjera.

“Do të kalojmë në fazë tjetër të historisë së vendit, që nga sektori energjitik të na vijnë fitimetm të ardhura shtesë për të financuar nevojat e mëdha të këtij vendi. Kjo është ambicja jonë”, tha Rama.

Në paketën fiskale të vitit 2015, Ministria e Financave planifikon të bëjë disa ndryshime, efekti i të cilave në buxhet llogaritet rreth 10 miliardë lekë.

Pjesën dominuese në rritjen e të ardhurave do ta mbajë rritja e nivelit të akcizës për cigaret (20 lekë për paketë deri më 31 dhjetor 2015), duhanin me të dredhur (me 1400 lekë/kg deri në fund të vitit 2015), miratuar tashmë në Kuvend, ndërsa pritet rritje edhe për taksën e pijeve alkoolike dhe birrën.

Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës së cigareve, për vitin 2015, do të jetë rreth 3.4 miliardë lekë dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja. Ndërsa efekti në të ardhura për rritjen e taksës për duhanin me të dredhur është 200 milionë lekë për vitin e ardhshëm.

Për vitin 2015 është parashikuar të ndryshojnë edhe disa zëra të Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP). Sipas draftit të përgatitur nga Ministria e Financave, të ardhurat e qytetarëve, veç pagave, do të taksohen me 15%. Po ashtu, me 15% do të taksohen edhe depozitat, dhuratat, të ardhurat nga lojërat e fatit dhe qiratë.

Gjithashtu, pritet të vendoset 2% taksë për të ardhurat e kompanisë koncesionare të autostradës Durrës-Kukës. Po ashtu, do të vendosjet TVSH mbi ndërtesat e reja, përfshirë vlerën e tokës. Një nga taksat nacionale që do të rritet është ajo e qarkullimit që mbahet në çmimin e karburantit. Aktualisht kjo taksë është 17 lekë për litër, por pritet që vitin e ardhshëm të jetë 27 lekë, pa përfshirë këtu TVSH-në (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar), qe e rrit edhe me 5.4 lekë.

Pra, rritja mund të jetë 120 lekë për litër. Ndërkohë, përjashtohet nga TVSH-ja sigurimi i automjeteve. Ministria e Financave parashikon uljen e taksave për sektorin e peshkimit, bujqësisë dhe fasonit dhe uljen e tarifave doganore për disa artikuj ushqimorë. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje