Reforma në Drejtësi, nis përgatitja e strukturave këshillimore/ Procesi mund të nisë me reformimin e Gjykatës Kushtetuese

2 Nëntor 2014, 12:12Politika TEMA

Ndërmerren hapat e parë konkretë për nisjen e reformës në drejtësi. Pas dy tryezave të inicuara gjatë muajit tetor nga Presidenti Bujar Nishni dhe Ministria e Drejtësisë, kjo e fundit në bashkëpunim me Kuvendin ka nisur procesin e përgatitjes së strukturave këshillimore. Këto struktura synojnë mbledhjen e propozimeve dhe sugjerimeve nga grupet e interesit, partitë politike, shoqëria civile etj, të cilat më pas do ti paraqiten Komisionit të Venecias për konsultime në lidhje me reformën në drejtësi.

Reforma sipas mazhorancës pritet të prekë jo vetëm institucionet e drejtësisë, por edhe dokumentin themeltar të shtetit, Kushtetutën. Ndryshimi i kësaj të fundit në parim është këkuar nga aktorët politikë në vend, si dhe drejtuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë, të cilët kanë vënë theksin në realizimin e një reforme të plotë dhe që do të mund të garantojë një sistem të pavarur dhe efikas.

Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Konferenca Gjyqësore, etj, do të jenë disa nga institucionet që do të preken nga ky reformim i drejtësisë shqiptare, që konsiderohet prioritet parësor i ekzekutivit në vend dhe një nga kërkesat e BE-së për Shqipërinë.

Në tryzën e 31 tetorit të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, Ambasadori amerikan në Tiranë Aleksander Arvizu apeloi për bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, konsensus dhe gjithëpërfshirje të të gjithë aktorëve për realizimin e Reformës në Drejtësi. “Ne nxisim me forcë qeverinë që të punojë me BE që të ndiqet udhërrëfyesi, prania e SHBA tregon dhe mbështetjen që i japim këtij procesi. Dëshiroj t’ju lë një recetë dhe një mendim që ne kemi: Hapi i parë është: Merrni hapa të matur pasi reforma gjyqësore është maratonë dhe jo një vrapim shpejtësie. Hapi i dytë: Procesi të jetë tërësor dhe gjithëpërfshirës. Hapi i tretë: Udhërrëfyesi i BE duhet të shërbeje si parim kyç. Hapi i katërt: Reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe aktoreve përkatës. Hapi i pestë: Duhet të kurohet imputo, pjesëmarrje nga komisioni i Venecias. Hapi i gjashtë: Procesi nuk duhet të politizohet, por të jetë konsenguent për qytetarët shqiptarë, i cili do të jetë rezultati më i miri për ta”, theksoi  Arvizu.

Gjykata Kushtetuese

Reforma mendohet se mund të nisë nga Gjykata Kushtetuese, ku shihet e nevojshme ndërhyrja në dispozitat që lidhen me emërimin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe me kualifikimin e procedurën e përzgjedhjes së tyre. Parashikohet ngritja e një Këshilli, që do të shqyrtojë në mënyrë objektive dokumentacionin e paraqitur nga ana e kandidatëve për anëtarë në këtë Gjykatë. Këshilli më pas do të bëjë dhe renditjen e aplikantëve, në bazë të një sistemi pikëzimi.

Gjykata e Lartë

Propozimet e qeverisë parashikojnë që reformat kryesore që kërkohen në Gjykatën e Lartë nuk mund të rregullohen drejtpërdrejt me ligjin për funksionimin e saj. Sipas ministrisë së Drejtësisë, Gjykata e Lartë po përballet me një numër të lartë çështjesh që janë bërë të papërballueshme dhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Civile dhe Penale do të çonte në reduktimin drastik të çështjeve përpara kësaj Gjykate.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë konstaton se modeli ekzistues në KLD nuk është gjithëpërfshirës, për sa kohë nuk përfshin Gjykatën e Lartë në drejtim të emërimit, kontrollit dhe përgjegjësisë disiplinore. Ky model imponohet nga zgjedhja që ka bërë Kushtetuta, ku Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit përfshihen në kompetencat e KLD-së, ndërsa Gjykata e Lartë nuk është pjesë e këtij sistemi, siç e kanë disa vende të BE-së. Me reformën në drejtësi mendohet të ndryshohen dhe kushtet për t’u zgjedhur anëtar i KLD-së.

Konferenca Gjyqësore Kombëtare

Reforma në Konferencën Gjyqësore Kombëtare do të konsistojë kryesisht në rritjen dhe fuqizimin e kompetencave të këtij organizmi, në raport me të zgjedhurit e tyre në KLD. Kjo reformë do të konsistojë në drejtim të një selektimi më të kujdesshëm në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLD-së dhe të një raporti llogaridhënie të vazhdueshme, midis të zgjedhurve prej tyre dhe Konferencës Gjyqësore.

Këshilli i Prokurorisë

Reformimi në Këshillin e Prokurorisë do të ketë objektiv kryesor zbatimin e njëjtë të parimeve në përzgjedhjen, emërimin, ecurinë në karrierë dhe fuqizimin e rolit të tij, duke e transformuar Këshillin ekzistues të Prokurorisë nga një organ këshillimor në një organ vendimmarrës për sa i përket emërimit dhe disiplinës për prokurorët, ristrukturimin e prokurorisë me qëllim përmirësimin e organizimit hierarkik dhe territorial të Prokurorisë, pavarësisë së saj dhe statusit të prokurorëve etj.

Shkolla e Magjistraturës

Pjesë e reformës do të jetë dhe reformimi i Shkollës së Magjistraturës, strukturës që nxjerr gjyqtarë dhe prokurorë të rinj. Në këtë aspekt, parashikohet rishikimi i ligjit ‘për Shkollën e Magjistraturës’, me qëllim rritjen e pavarësisë dhe cilësisë programore të këtij institucioni dhe përcaktimi në ligj i kritereve për përzgjedhjen dhe karrierën e trupës pedagogjike të kësaj shkolle, si masa legjislative të dobishme. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje