Një prej të akuzuarve se ka tentuar të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin, Genc Tafili, thotë se nuk është e vërtetë që ka tentuar të arratiset.
Si shprehet për “GSH”, se ka dalë gjashtë herë me leje nga burgu dhe pot ë donte, mund të ishte arratisur.
Tafili thotë se nuk ka arsye për t’u arratisur, pasi për pak muaj do të dalë në liri me kusht.
“Nuk kemi pasur një plan për t’u arratisur. Nuk është e vërtetë që ne kemi tentuar të arratisemi nga burgu. Një javë më parë kam dalë 6 orë me leje nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin, leje konform ligjit, sepse kam 15 vjet që qëndroj i izoluar. Kam dalë edhe 5 herë të tjera me leje dhe jam rikthyer.
Përgjatë atyre orëve kam takuar të afërmit e mi, kam ngrënë drekë me ata dhe nëse do doja të arratisesha, do isha arratisur që në ato momente, por unë jam rikthyer sërish në burg pasi më mbaruan orët e lejes dhe për pak muaj fitoj lirimin me kusht”, thotë Tafili, i dënuar për vrasjen e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.
“Unë mendoj se emrat tanë po përdoren nga persona të veshur me pushtet, për qëllimet e tyre; ose mund të jetë ndonjë plan i brendshëm, ose mund të jetë loja brenda burgut për të larguar ca njerëz dhe për të sjellë ca të tjerë. Për atë vepër penale që më kanë dënuar po e kryej dënimin, pavarësisht qëndrimit tim, që e kam bërë publik. Por duke e lënë këtë pjesë, sot dua të sqaroj se për kohën që unë qëndroj në burg, në asnjë moment emri im nuk është përfshirë në asnjë vepër penale. Dua t’u sqaroj edhe se të burgosurit e tjerë, Fran Marashi dhe Gëzim Guri nuk janë në burgun e Peqinit, Marashi është në Bradashesh dhe Guri në Fushë-Krujë”, vijon më tej ai.
Ditën e shtynë prokuroria tha se Admir dhe Genc Tafili, së bashku me Fran Marashin dhe Gëzim Gurin, kishin bërë plan të arratiseshin.
Një vit më parë ata ishin arratisur edhe nga burgu i Drenovës./b.l