Paketa fiskale/ Konfindustria: Qeveria të arsyetojë rritjen e taksave dhe të publikojë pasojat

3 Nëntor 2014, 14:30Ekonomia TEMA

Konfindustria kërkon arsyetimet shoqëruese të Qeverisë për ndikimin dhe pasojat e masave fiskale të parashikuara në cilindo fushë të ekonomisë reale të prekur dhe në përgjithësi.

“Mungesa e arsyetimeve shoqëruese ekonomike, sikurse ndodhi edhe ne vitin 2014, e kthen politiken fiskale vetëm si mjet për sigurimin në afatshkurtër të të ardhurave për buxhetin e shtetit si qellim në vetvete dhe krijon shkak për rrezikim në afatgjatë të ekonomisë kombëtare”, thuhet në reagimin e Konfindustrias.

Më tej theksohet se në kushtet e një evazioni fiskal prej pothuaj 50% të PBB mënyra më e mirë për sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe mbi të gjitha për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë kombëtare është mirëadministrimi fiskal me politikat e taksave të ulëta dhe të sheshta.

“Rritja e përgjithshme e taksave dhe tatimeve me 50% për të ardhurat personale të qytetarëve parashikuar për vitin 2015, rritja e çmimit të energjisë elektrike, mbajtja e tatimit te fitimit me 15% dhe shtimin e taksave për qarkullimin dhe karburanteve, mbajtjen e tatim fitimit prej 15% për biznesin e madh, nuk krijon kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, godet rritjen e domosdoshme të fuqisë blerëse, të fuqisë konkuruese të Shqipërisë me vendet e rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja, por edhe vetë rritjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit. Përmendim se vendet e rajonit punojnë me taksën e sheshtë prej 9-10% të tatimeve të mësiperme dhe njëkohesisht kanë çmime konkurente të energjisë, karburanteve, etj”, theksohet në reagim.

Konfindustria vlerëson si masë pozitive parashikimin në paketën fiskale 2015 për rritjen e pjesës së ndarë për pushtetin vendor të rentës minerare, duke nxitur qeverinë shqiptare në vazhdimësinë e decentralizimit fiskal në mbeshtetje të reformes administrative territoriale.

Konfindustria është duke përgatitur dhe do të paraqesë së shpejti paketën me vërejtjet dhe propozimet përkatese për paketen fiskale 2015. /gj.k/

1 komente në “Paketa fiskale/ Konfindustria: Qeveria të arsyetojë rritjen e taksave dhe të publikojë pasojat”

  1. Bruins says:

    Gezohem qe kjo lloj oponence eshte shume e kulturuar dhe e shendetshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje