De Biazi nuk e harron dot dhunën e Beogradit: Ne rriheshim, policia bënte sehir

7 Nëntor 2014, 16:36Sport TEMA

Trajneri i Kombëtares shqiptare e ka të vështirë të harrojë dhunën e pashembullt që skuadra e tij pësoi më 14 tetor në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Edhe pse që nga ajo ditë ai ka dhënë shumë intervista në mediat italiane, ku nuk ka ngurruar të tregojë me detaje tmerrin e përjetuar, këtë herë është “Sky sport” që gjatë një komenti para dy ditësh për Ligën e Kampioneve është ndalur edhe te Serbi- Shqipëri. De Biazi ka theksuar sërish se gjithçka që ndodhi erdhi për shkak të keqorganizimit nga ana e vendësve, aq sa dukej qartazi se edhe policia ishte indiferente ndaj dhunës që pllakosi në stadium mes lojtarëve shqiptarë dhe tifozëve serbë që u futën në fushën e lojës, raporton Panorama Sport.

“E kam thënë me qindra herë se gjithçka erdhi nga keqorganizmi, por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte fakti se edhe forcat e rendit nuk lëvizën as gishtin e vogël, teksa ndodhnin ato incidente. Ishin gjëra, të cilat nuk i kisha parë kurrë në karrierën time. Ekzistonte një klimë urrejtjeje ndaj shqiptarëve që para se të shkonim në stadium, por edhe më pas, gjatë ndeshjes dhe derisa u larguam. Natyrisht, unë si italian e përjetoja në një mënyrë disi tjetër, paksa më të largët gjithë atë urrejtje”, deklaroi De Biazi.

Dhuna në Beograd në atë ndeshje u përshkallëzua më së shumti në momentin kur në qiellin e stadiumit hyri droni me flamurin e Shqipërisë etnike, i komanduar natyrisht nga jashtë. Nga ai moment, kur flamuri u kap nga mbrojtësi serb Mitroviç, nisi edhe sherri masiv, i cili kulmoi me futjen në fushë të tifozëve. Por, tanimë, me një mendje më të ftohtë, për De Biazin, përtej gjenialitetit të atij që e bëri, do kishte qenë më mirë që ai dron të mos kishte hyrë në fushë. “Droni? Dikush që bën diçka të tillë, duhet të jetë paksa i çmendur, por ajo gjë mund të ketë qenë edhe thjesht një provokim”, ka pohuar trajneri. Pikërisht për shkak të dronit me flamurin e Shqipërisë etnike, skuadra jonë u dënua me 100 mijë euro gjobë nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës. Gjithsesi, ky vendim do të apelohet në ditët në vijim, menjëherë sapo UEFA të sjellë zyrtarisht në Federatën Shqiptare të Futbollit (pritet sot), vendimin e argumentuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje