Kuvendi diskuton të hënën në seancë plenare paketën fiskale për vitin 2015. Paketa fiskale ka 14 masa në tërësinë e tyre, ku tre prej tyre realizojnë gjenerim të ardhurash, kurse 11 masa janë lehtësim i biznesit dhe qytetarit, konsumatorit.
Politikat e reja të taksave dhe tatimeve në vitin 2015 synojnë një zgjerim të mëtejshëm të bazës së të ardhurave për të mbështetur rritjen e shpenzimeve publike dhe konsolidimin fiskal. Njëkohësisht, hartimi i paketës fiskale 2015 është bërë në drejtim të mbështetjes së reformave të qeverisë për vitin 2015, për disa sektorë të ekonomisë.
Përmes paketës fiskale mbështetet sektori i sigurimeve, duke hequr TVSH për produktet e jo-jetës prej 20% dhe aplikimi i një takse mbi primin prej 3%. Mbështetje ofrohet edhe për sektorin e peshkimit duke e përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet, si dhe për sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit duke hequr tarifat doganore për disa lëndë të para.
Po ashtu, kjo paketë mbështet edhe rafineritë vendase, duke hequr taksën doganore të naftës bruto prej 10%. Sektori i pensioneve vullnetare, është një tjetër sektor që mbështet gjatë vitit 2015 duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale kontributet në fondet vullnetare të pensioneve që në momentin e kontributit.
Gjithashtu planifikohet rritja e rentës minerare për pushtetin vendor dhe heqja e kushtëzimit me transfertën e pakushtëzuar, duke rritur kështu financat e pushtetit vendor. Gjithashtu, në këtë paketë fiskale adresohen disa kërkesa disavjeçare të biznesit si çështja e firove apo e amortizimit me vlerën e mbetur.
Paketa Fiskale 2015 sjell ndryshime të rëndësishme të dakordësuara me Fondin Monetar Ndërkombëtar në disa taksa, si TAP, taksa e qarkullimit dhe akciza e cigareve.
Tatimi mbi të ardhurat personale synon ndryshimin e normës së taksimit mbi të ardhurat personale (TAP) nga 10% në 15%, përveç normës së tatimit mbi të ardhurat e përfituara nga paga që u ulën vitin e kaluar me Paketën Fiskale 2014. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015. Më konkretisht komponentët e TAP që ndryshojnë janë tatimi mbi dividentin, interesat nga huatë, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.
Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lek / litri për naftën dhe benzinën. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015. Gjatë vitit që vjen qeveria planifikon edhe rritjen e akcizës për duhanin është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Përpos kësaj, ne kemi një nivel modest taksimi të cigareve dhe një rritje progresive është e nevojshme për t’u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së. Për këtë arsye, në muajin tetor 2014, Kuvendi miratoi rritje të akcizës së cigareve nga 4500 lek/1000 copë (90 lek /paketë), që ishte në 5500 lek /1000 copë (110 lek /paketë). Efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja.
Pas miratimit në parim paketa fiskale do të rikthehet për diskutim nen për nen në komsionet parlamentare ku deputetët kanë paralajmëruar ndryshime. Nga taksat e reja efekti pozitiv ne buxhet llogaritet 160 milionë dollarë. /gj.k/
Mire eshte qe keta “baballaret” e kombit neser ne parlament ti therasin arsyes dhe llogjikes per ritjen e taksave se perseri populli do ti haje ne kuriz prandaj jo qe s”duhet ti risin por duhet ti ulin taksat ne menyre qe te futen te gjite bisneset ne ulline e ligjit dhe te regullit te heqin TVSH per te gjitha mallrat e shportes duke futur edhe TVSH per energjine dhe ujin dhe shendetsine sipas premtimeve qe dhane ne opozite mbasi te stabilizohet ekonomia atehere te riten taksat ne baze te ritjes ekonomike. Faleminderit